S’ka marrëveshje, në bisedimet mes SHBA-së dhe talebanëve në Doha

“Al Jazeera”

Pas 16 ditë bisedimesh, negociatorët e SHBA-së dhe talebanët, i kanë dhënë fund raundit të tyre më të gjatë të bisedimeve, duke përshëndetur përparimin në disa çështje kyçe, por pa arritur një marrëveshje konkrete.

Në deklarata të veçanta, zyrtarët talebanë dhe ata amerikanë, thanë se negociatat maratonë në Doha të Katarit, prodhuan zhvillime mbi tërheqjen e trupave amerikane, dhe çështjet e sigurisë që lidhen me çdo tërheqje të Uashingtonit.

Zalmaj Khalilzad, i dërguari amerikan për paqes në Afganistan, tha se bisedimet kishin “përmirësuar” kushtet për paqen në vend. “Paqja kërkon marrëveshje për katër çështje:sigurinë kundër terrorizmit, tërheqjen e trupave, dialogun brenda Afganistanit, dhe një armëpushim gjithëpërfshirës. Në bisedimet e janarit, ne ramë dakord në parim mbi këto katër elemente”- tha Khalilzad pas përfundimit të bisedimeve në Doha.

“Ne jemi tani dakord në parim për 2 të parat”-shtoi ai. Ndërkohë, një zëdhënës i talebanëve, tha se është arritur përparim për çështjen e tërheqjes së të gjitha forcave të huaja nga Afganistani, me SHBA-në, që kërkon garanci për të ardhmen e sigurisë në vend, në rastin e tërheqjes së trupave të saj.

Përpjekjet diplomatike, për t’i dhënë fund konfliktit më të gjatë të SHBA-së, u intensifikuan vitin e kaluar pas emërimit si kryenegociator të Uashingtonit të diplomatit Khalilzad, i lindur në Afganistan, për të udhëhequr bisedimet e drejtpërdrejta me talebanët, të cilët kanë ndërmarrë një rebelim të armatosura që kur u rrëzuan nga pushteti në vitin 2001.

Rreth 14.000 trupa amerikane, ndodhen aktualisht në Afganistan, si pjesë e një misioni të NATO-s në për të trajnuar, ndihmuar dhe këshilluar forcat afgane. Disa forca amerikane, kryejnë ndërkohë edhe operacione kundër terrorizmit.

A.G

Submit a comment