Siri, Idlibi po masakrohet pa dallim, bota duhet të ndërhyjë

Nga Fawaz Turki “Gulf News”

Një foto e agjencisë “Associated Press”, që shoqëronte një raport të gjatë mbi situatën në Siri më datën 8 qershor, të korrespondentes së “The Washington Post” në Beirut, Luiza lavlok, tregonte një poster të madh të presidentit Bashar Al-Assad, të pozicionuar në kufirin me Libanin, që duket sikur përshëndet refugjatët sirianë që muajt e fundit kanë zgjedhur të marrin ndër sy rreziqet, dhe të rikthehen në shtëpitë e tyre, me sloganin e mirëpritur:”Nga Siria fitimtare, paqja qoftë me ju!”.

Realiteti i trishtë është se paqja nuk ka mbërritur, dhe as nuk ka gjasa të mbërrijë së shpejti. Pavarësisht pretendimeve se ka dalë “fitimtar” në këtë luftë, regjimi sirian vazhdon ta përdorë ushtrinë kundër popullit të tij, që vazhdon të durojë vuajtje të papërshkrueshme.

Dhe kjo vuajtje – e ilustruar nga vdekja që nga viti 2011 e gjysmë milionë njerëzve, dhe zhvendosja nga shtëpitë e tyre e 12 milionë të tjerëve, 5.6 milionë jashtë vendit dhe 6.6 milionë brenda vendit, mbetet e njëjtë në intensitet.

Mendoni për shembull mbi katastrofën në provincën e Idlibit, shtëpia e 3 milionë njerëzve, gjysma e të cilëve civilë që kanë kërkuar strehim atje nga zonat e tjera që mbaheshin dikur nga rebelët, dhe që gjatë 3 viteve të fundit janë vënë nën kontrollin e forcave të regjimit të Asadit.

Idlibi ka gjithashtu mbi 20.000 luftëtarë nga grupime të ndryshme opozitare – disa me axhenda të dyshimta – të vendosur ta shndërrojnë krahinën në fortesën e tyre të fundit, duke luftuar deri në vdekje. Beteja për Idlibin, premton të jetë një përballje e përgjakshme, rezultatin e paracaktuar të së cilës, duke pasur parasysh shanset e pakta që kanë, rebelët mund të pranojnë që nga fillimi, ashtu si një ekipi futbolli që e paramendon humbjen, edhe përpara se të zbresë në fushën e lojës.

Kur ushtria siriane e Asadit, e ndihmuar nga Rusia, nisi ofensivën e saj mbi Idlib më pak se 2 muaj më parë, ne na u dha një shembull i asaj asaj që do të vinte më pas:bomba-fuçi dhe të shtëna të pandërprera të artilerisë mbi shkolla, tregje, spitale, shtëpi dhe dyqane.

Sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 10 spitale janë sulmuar që nga 30 prilli, qindra civilë janë vrarë dhe 270 mijë njerëz janë zhvendosur drejt kufirit me Turqinë. Por pasi Turqia e mbylli kufirin e saj, mijëra njerëz e panë veten “duke jetuar nën pemë, ose fjetur mbi plastmasë”, njoftoi zyrtarja e OKB, Ursula Myler muajin e kaluar para Këshillit të Sigurimit.

Që nga shtatori i vitit të kaluar, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres theksoi se “është absolutisht thelbësore të shmanget një betejë në shkallë të plotë në Idlib”, pasi pasojat e saj do të “krijonin një makth humanitar më të rëndë nga ato që kemi parë më herët” .

Një makth ndryshe nga çdo gjë tjetër që kemi parë më parë? O Zot, ki mëshirë për ne! Dhe në këto rrethana kemi posterin gjigant në kufirin libanezo-sirian, që “mirëpret” të sirianët që kthehen në atdhe. Pak kohë më parë, presidenti Bashar Al Asad, kërkoi që refugjat sirianë të kthehen në shtëpi, duke premtuar solemnisht se ata që janë qytetarë “të ndershëm”, do të falen për kundërshtimin që i bënë dikur atij.

Por faktet në terren, flasin për një realitet tjetër. Qindra të kthyer janë arrestuar, disa janë torturuar, rekrutuar në ushtri, ose në rastin më të mirë të ngacmuar. Shumë të tjerë kanë zbuluar se janë viktima të ligjeve të miratuara në mungesë të tyre, duke iu sekuestruar pronat, përfshirë edhe shtëpitë, që i përkasin “mbështetësve të dyshuar të terroristëve”.

Ndërkohë, në një postim të pazakontë të postuar mbrëmjen e 2 qershorit, presidenti amerikan Donald Trump shkroi:”Po shohim se si Rusia, Siria dhe në një masë më të vogël, Irani po bombardojnë provincën e Idlibit në Siri, dhe vrasjet pa dallim të shumë civilëve të pafajshëm. Bota po sheh një masakër të vërtetë. Cili është qëllimi i saj, çfarë do të sjellë ajo? Stop!”.

Në një editorial të sajin më 5 qershor, “The Washington Post” u përgjigj: “Fatkeqësisht, që atëherë bombardimet vetëm sa janë intensifikuar. Nëse zoti Trump dëshiron të ndalë masakrën e fundit në Siri, ai duhet të bëjë më shumë se sa thjeshtë të shkruajë në Twitter”.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment