Shefi i OKB-së homazhe për viktimat e Kristçërç:Urrejtja po përhapet si zjarri, duhet ndalur

“UN News”

Gjatë një vizitë 3-ditore në Zelandën e Re, Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres, kreu homazhe në Xhaminë Al Noor, në nderim të viktimave të sulmeve të tmerrshme në xhaminë në Kristçërç, ku dhjetëra besimtarë myslimanë u vranë në dy incidente të veçanta, gjatë Namazit të së premtes, më 15 mars.

Duke bërë thirrje për solidaritet, dhe për të kundërshtuar rritjen e kohëve të fundit të gjuhës së urrejtjes, shefi i OKB vizitoi edhe Xhaminë Linud, ku vendosi lule. Më 15 mars të këtij viti, një person i armatosur vrau 51 njerëz në të dy xhami, teksa po e transmetonte masakrën në llogaritë e tij në mediat sociale.

Gjatë vizitës në xhaminë Al Noor Guterres, i tha komunitetit mysliman se ndërsa nuk kishte fjalë për të lehtësuar plagët dhe dhimbjen e shkaktuar nga ky sulm barbar “desha të vija këtu personalisht, për t’iu transmetuar dashuri, mbështetje, dhe t’iu them se kam një admirim të plotë për ju”.

Shefi i OKB, shtoi se ashtu si ai, shumë njerëz nëpër botë ishin tronditur nga tregimet prekëse të dhembshurisë nga Kristçërç.“Unë u befasova në shumë aspekte. Ky komunitet, reflektoi një frymë që e kam njohur gjithmonë në besimin Islam – një besim tek dashuria, dhembshuria, falja dhe mëshira”-​​tha ai.

Ai kujtoi se si Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, kishte parë bujarinë e vendeve myslimane, që i kanë hapur kufijtë e tyre ndaj njerëzve në vështirësi, në një botë ku kaq shumë kufij të tjerë janë të mbyllur.

“Kjo sjellje, është në përputhje me atë që unë e konsideroj si receta më e mirë për mbrojtjen e refugjatëve në historinë botërore. Ajo gjendet në suran El-Taëbah të Kur’anit të Shenjtë:”Dhe nëse dikush kërkon mbrojtjen tuaj, atëherë jepjani atë, në mënyrë që të dëgjosh fjalët e Allahut. Pastaj shoqëroje atë atje, ku ai mund të jetë i sigurt”- u shpreh më tej Guterres.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, kujtoi gjithashtu se gjatë një vizite në Kajro të Egjiptit muajin e kaluar, ai ishte nderuar që takoi Imamin e Madh Ahmed Al-Tajeb, dhe e kishte falënderuar për takimin e tij të fundit ndërfetar me Papa Françeskun në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Deklarata e nënshkruar nga dy liderët, u bën thirrje njerëzve të besimit të njohin dhe të respektojnë njëri-tjetrin, dhe të punojnë së bashku për të mirën e njerëzimit. “Ne duhet të qëndrojmë bashkë në këtë periudhë vështirësish.

Gjuha e urrejtjes në mediat sociale, po përhapet si zjarri, dhe diskutimi publik është ashpërsuar. Mediat sociale, po shfrytëzohen si platforma për të ushqyer fanatizmin. Të gjithë duhet të tregojmë solidaritet, në kundërpërgjigje të kësaj dukurie të rrezikshme”- theksoi ai.

Guterres vuri në dukje dy nismat të fundit të OKB-së, respektivisht për të mbrojtur vendet e shenjta, dhe për të adresuar gjuhën e urrejtjes. Ai ka kërkuar nga Përfaqësuesi i Lartë për Aleancën e Qytetërimeve të OKB-së, Migel Moratinos, të zhvillojë një Plan Veprimi për OKB-në që të angazhohet plotësisht në mbështetjen e ruajtjes së objekteve fetare.

Zoti Guterres, i ka kërkuar gjithashtu Këshilltarit të tij të Posaçëm për Parandalimin e Gjenocidit, Adama Dieng, që të ngrejë një ekip të OKB-së, për të rritur përgjigjen ndaj gjuhës së urrejtjes, dhe për të paraqitur një plan global veprimi.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment