SHBA, organizatat bamirëse financojnë grupet e urrejtjes anti-myslimane

Nga Leila Fadel “NPR”

Organizata më e madhe myslimane për të drejtave civile në SHBA, lëshon alarmin se fondacionet kryesore bamirëse në vend, janë duke financuar drejtpërdrejt dhe tërthorazi, miliona dollarë për grupet e urrejtjes anti-myslimane.

Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike (CAIR), shqyrtoi financimet gjatë viteve 2014-2016 të më shumë se 1000 organizatave kryesore ndaj 39 grupimeve anti-myslimane, që ajo i quan “Rrjeti Islamofobisë”.

Në raportin, me titull “Të rrëmbyer nga urrejtja”, CAIR gjeti se rreth 125 milionë dollarë u ishin dërguar këtyre grupeve. Këtu përfshihen fondet e dhëna në mënyrë anonime, përmes fondacioneve bamirëse si “Fidelity Charitable” dhe “Schwab”.

Në grupimet urrejtjes që përfitojnë fonde të tilla, përfshihet edhe “Vepro për Amerikën”, grupi më i madh anti-mysliman në vend, i regjistruar si një organizatë jofitimprurëse. Grupi përshkruhet nga Lidhja Anti-Shpifje, si një organizatë që mbjell një “frikë irracionale ndaj myslimanëve”.

“Organizatat bamirëse tradicionale, përdorim fonacionet nga donatorë të pasur anonimë për të financuar “Rrjetin e Islamofobisë”- thotë Abaz Barzegar, drejtor i hulumtimit dhe avokimit në CAIR. Kështu thotë ai, një donator i pasur mund t’i japë para një institucioni të besueshëm si “Schwab”, nëpërmjet një fondi të këshilluar nga donatorët.

Pastaj këto para, u dhurohen organizatave anti-myslimane, të cilat janë regjistruar si organizata jofitimprurëse dhe të mirëqenies sociale. Donatori përfiton ulje taksash, dhe mund ta japë kontributin e tij në mënyrë anonime.

Në një deklaratë për NPR, “Schwab Charitable”, tha se është një organizatë bamirëse e pavarur që “lehtëson marrjen e fondeve në emër të individëve drejt organizata bamirëse që ata i zgjedhin vetë”.

Schëab shtoi se “nuk i toleron grupet e urrejtjes, dhe ne i marrim seriozisht shqetësimet rreth aktivitetit të paligjshëm nga përfituesit e grantit”. Ndërkohë gjatë një reagimi me e-mail, “Fidelity Charitable” i cilësoi gjetjet e raportit “shumë serioze”, duke shtuar se, “nëse ka ndonjë raport lidhur me një organizatë të veçantë, “Fidelity Charitable” nuk do t’i japë më asaj fonde”.

Barzegar fajëson administratën Trump për legjitimimin e disa prej këtyre grupeve anti-myslimane. Për shembull, kreu i “Vepro për Amerikën” u mirëprit në Shtëpinë e Bardhë. “Administrata Trump, i ka mbështetur këto institucione, dhe ka lejuar që veprimtaria e tyre të konsiderohet normale”- thotë Barzegar.

Ndërkohë raporti në fjalë, e lidh rritjen e financimit të aktiviteteve të këtyre grupeve anti-myslimane, me ndikimet negative në jetën reale, që variojnë nga krimet e urrejtjes deri tek vetëvrasjet, si pasojë e ngacmimeve të shumta për shkak të besimit fetar.

“Rrjeti i shtrirë i financimit i zbuluar në këtë raport, tregon se ‘Rrjeti i Islamofobisë’, nuk mund të konsiderohet si një fenomen periferik apo kalimtar në shoqërinë amerikane, por është një tipar i dukshëm dhe i turpshëm institucional i filantropisë amerikane. Këto fondacione kanë dhuruar shuma në një gamë të gjerë, nga 20 dollarë deri në shumën e tronditëse të 32 milionë dollarëve”- thuhet në raport.

Raporti, gjurmoi gjithashtu paratë që vijnë nga organizatat bamirëse me bazë fetare, dhe fondacionet familjare private. Dhe zbuloi se kapaciteti total i të ardhurave të 39 grupeve anti-myslimane, arriti në 1.5 miliardë dollarë gjatë periudhës 2014-2016.

“Pra 1.5 miliardë dollarë po përdoren në mënyra të ndryshme, që ndikojnë drejtpërdrejt mbi komunitetin mysliman amerikan, dhe pastaj amerikanët në tërësi”- thotë Zainab Arain, hulumtuesja kryesore e raportin të CAIR.

“Këto para janë përdorur për të avancuar ligjet anti-Sheriat, për të organizuar tubimet anti-myslimane, dhe lobuar për mbylljen e institucioneve amerikane myslimane, si strehimoret e grave, grupet e ndihmës, apo edhe vendet e adhurimit”- thotë ajo.

CAIR apelon për më shumë përgjegjësi, për të ndaluar donatorët jo vetëm nga dhënia e parave për këto grupe anti-myslimane, por edhe mos dhënien e asnjë lehtësie fiskale për donatorët. Arain tha se shpreson që raporti, të sjellë një mbikëqyrje më të madhe në botën e filantropisë në SHBA.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment