Serbia do mbajë një paradë ushtarake, në përvjetorin e sulmeve të NATO-s

“B92”

Serbia do të përkujtojë 20-vjetorin e sulmeve të NATO-s mbi ish-Jugosllavi, jo duke reflektuar për masakrat e tmerrshme që ka kryer në Kosovë, por duke e sfiduar aleancës me një shfaqje force. Sikurse raporton agjensia serbe e lajmeve B92, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se sulmet ajrore ndaj objekteve kryesisht ushtarake dhe infratrukturës, do të përkujtohen me një paradë ushtarake në Nish.

“Kanë kaluar 20 vjet që nga agresioni i NATO-s ndaj një vendi sovran, që nuk ndodhi vetëm me sulme nga ajri, por thuajse në çdo mënyrë, edhe përmes sulmeve nga një media politike”-tha presidenti për Radio Televizionin Shtetëror të Serbisë.

Ai vuri në dukje, se nuk bëhej fjalë thjesht për një “bombardim”, pasi ky ishte një term teknik. Në vend të kësaj, ajo që ndodhi ishte sipas tij një agresion ndaj një vendi sovran, që sipas tij nuk e meritonte, por që iu nënshtrua sakrificave të tmerrshme.

“Serbia, pavarësisht faktit se nuk po zbatonte politikat më inteligjente dhe më të mençura, nuk bëri asgjë për ta merituar dhe nuk ishte përgjegjëse për agresionin e NATO-s”- deklaroi Vuçiç, pa përmendur 13 mijë shqiptarët e vrarë të Kosovës, dëbimin e 1 milionë shqiptarëve të Kosovës, dhe shkatërrimin e mbi 100 mijë banesave.

Vuçiç tha se në paradën ushtarake në Nish, qytetarët do të shohin prezantimin e 10 avionëve rusë MiG-29 dhe 19 helikopterëve të rinj, të cilët Serbia i ka marrë vitet e fundit nga Rusia, gjysmat në formën dhurate.

A.G

 

 

Submit a comment