S-400 mbërrin në Turqi, “topi” është tashmë në “fushën” e SHBA-së

Nga Serkan Demirtas “Hurriyet Daily News”

Të premten, Rusia nisi transferimi i pjesëve të para të sistemeve të mbrojtjes ajrore S-400 në Turqi. Kjo u konfirmua zyrtarisht përmes deklaratave të veçanta të Ministrisë së Mbrojtjes dhe presidencës së industrisë së mbrojtjes. Në këto 2 deklarata, ka disa detaje të rëndësishme.

Deklarata e Ministrisë së Mbrojtjes, njofton se Turqia dhe Rusia nënshkruan marrëveshjen për blerjen e sistemeve S-400 më 11 prill 2017, pra shumë më përpara miratimit të ligjit amerikan CAATSA (Kundërshtimi i Rivalëve të Amerikës përmes Aktit të Sanksioneve), që hyri në fuqi në gushtin e 2017-ës.

Meqë kjo deklaratë konfirmon zyrtarisht transferimin e sistemeve S-400, ajo mund të çojë në vendosjen e sanksioneve nga ana e SHBA-së, sikurse është përcaktuar nga CAATSA. Ky akt vihet në zbatim sapo të vërtetohet se ka ndodhur një sasi e konsiderueshme e transaksionit të mallrave të cituara në dokument.

Ministria e Mbrojtjes, bëri gjithashtu me dije se pjesët e S-400 janë vendosur në Myrted, një bazë ushtarake pranë Ankarasë. Megjithëse deklarata nuk thotë nëse sistemi do të vendoset aty përgjithmonë, fakti që baza është tashmë e pajisur me objekte të përshtatshme ushtarake, përfshirë hangarët, nuk do të ishte gabim të sugjerohej se adresa e sistemeve ruse do të jetë pikërisht Myrtedi.

Dhe kjo e zbeh mundësinë e vendosjes së S-400 në një vend të tretë, në një përpjekje për të shmangur sanksionet amerikane. Deklarata e lëshuar nga presidenca e industrisë së mbrojtjes, parasheh që “sapo sistemi të jetë plotësisht i gatshëm, ai do të fillojë të përdoret në një mënyrë të përcaktuar nga autoritetet përkatëse”.

Dhe kjo deklaratë, përjashton një opsion tjetër që ka qarkulluar prej kohësh brenda komuniteteve diplomatike në Ankara, Uashington apo gjetiu tjetër. Turqia e bëri të qartë, se ajo do të blinte sistemin S-400 për ta vënë menjëherë në përdorim, teksa përjashtoi mbajtjen e pjesë përbërëse brenda një hangari në kuti të pahapura.

Përtej këtyre elementëve, transferimi i S-400 e bën Turqinë vendin e parë të NATO-s që vë në përdorim një armë të sofistikuar ruse në kohët moderne, veçanërisht në mesin e një mosmarrëveshje në rritje midis aleancës dhe Moskës mbi një numër çështjesh, duke përfshirë edhe debatin mbi vazhdimësinë e Traktatit të Raketave Bërthamore me Rreze të Ndërmjetme (INF), si dhe për aneksimin e Krimesë.

NATO dhe disa prej anëtarëve të saj kryesorë, nuk i fshehin shqetësimet e tyre mbi vendimin e Turqisë, për të bashkëpunuar me Rusinë në fushën e industrisë së mbrojtjes, për shkak se kjo mund të distancojë më tej ushtrinë e dytë më e madhe të NATO-s nga blloku perëndimor.

Deklaratat e Turqisë, se ajo po synon të bashkëpunojë me Rusinë në bashkëprodhimin e sistemeve S-500, që janë ende në zhvillim e sipër, janë konsideruar si një fillim i një bashkëpunimi afatgjatë të Ankarasë me Moskën.

Ndërkohë, besohet se dërgesa e parë e sistemeve S-400, do të sjellë pasoja të menjëhershme. I pari ka të bëjë me pjesëmarrjen e Turqisë në projektin e avionëve luftarakë F-35. Një letër e dërguar nga ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Patrik Shanahan, paralajmëronte ndërprerjen e pjesëmarrjes nga Turqia, në rast se vendoste të merrte në dorëzim sistemet S-400 deri më 31 korrik.

Kjo masë përfshin trajnimin e pilotëve turq në SHBA, dhe prodhimin e rreth 900 pjesëve të avionëve nga kompanitë turke të industrisë së mbrojtjes. Për më tepër:transferimi i këtyre sistemeve ruse, mund të shkaktojë vendosjen e sanksioneve të përshkruara në CAATSA.

Konfirmimi i Ankarasë se ka filluar të montojë tashmë pjesët e këtij sistemi, duket të jetë një dëshmi e mjaftueshme për vënien në zbatim të këtij akti. Ky zhvillim i fundit, i fut me siguri marrëdhëniet turko-amerikane në një situatë të re, me shqetësimin se ato mund të dëmtohen seriozisht.

Pas kësaj lëvizjeje të Turqisë, “topi” është në “fushën” e SHBA-së. Turqia shpreson se do të arrijë të shmangë sanksionet, ose do t’i nënshtrohet disa sanksioneve të buta. Dhe kjo pas deklaratave gjatë takimit në Osaka midis presidentit Rexhep Taip Erdogan dhe atij amerikan Donald Trump.

Është fakt që Trump ka preferuar ta fajësojë administratën Obama për këtë krizë të vazhdueshme mes dy vendeve. Por ai nuk dha ndonjë garanci që Turqia nuk do të vihet nën sanksione nga SHBA.

Shtrirja, madhësia dhe përmbajtja e sanksioneve të mundshme të SHBA-së, do të jenë përcaktuese për marrëdhëniet e ardhshme turko-amerikane. Një reagim i ashpër nga Uashingtoni, me siguri që do të përkeqësojë më tej raportet mes dy vendeve, e shoqëruar kjo me shqetësimin se kjo mund të sabotojë gjithashtu dialogun në vazhdim, mbi një numër çështjesh në lidhje me Sirinë dhe ato në Mesdheun lindor.

Përktheu:Alket Goce

 

Submit a comment