Rumani: Kur protestat nuk mjaftojnë. Historia e një viti në shesh

Francesco Magno “East Journal”

Rumania e vitit 2017, ka pasur një prirje rrethatore. Në fakt, viti nisi dhe u mbyll njëlloj:në shesh, për të protestuar. Me ngjarjet e fundit të nëntorit dhe dhjetorit, ra sipari i një viti të filluar me mijëra njerëz të mbledhur në “Piaţa Victoriei” (Sheshin e Fitores), kundër ndryshimeve në Kodin Penal, të miratuar me një dekret të jashtëzakonshëm nga qeveria socialiste e drejtuar nga Sorin Grindeanu.

 

Ishte fillimi i muajit shkurt. Ndërkohë, qeveria Grindeanu ra, duke qenë viktimë e një konflikti personal midis kryeministrit dhe Liviu Dragnea, kreut të partisë. Kryeministri i ri, Mihai Tudose, që shpalli hapur miqësinë e tij me udhëheqësin kryesor socialist në korrik, nuk humbet sot asnjë rast për të përsëritur pavarësinë e mendimeve të tij, dhe lirinë e plotë nga patronazhi i kreut të partisë.

 

Ndryshojnë kryeministrat, ndryshojnë ministrat, por ëndrra e Dragneas për zbutjen e legjislacionit anti-korrupsion, nuk vdes kurrë. Pasi u detyrua të tërhiqte dekretin e muajit shkurt, pas protestave të dhunshme popullore, Partia Socialiste paraqiti vjeshtën e vitit 2017, disa projektligjeve të reja që synojnë ta vendosin gjyqësorin rumun nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Drejtësisë.

 

Populli zbriti sërish në rrugë për të protestuar, dhe për momentin situata duket të jetë e ngrirë. Viti 2017, një vit mesa duket kalimtar, pa ndonjë palë zgjedhje të rëndësishme, tregoi shumë për nivelin e njohurive politike të rumunëve, dhe për mënyrën sesi përjetohet beteja politike midis Karpateve dhe Danubit. Ajo që shfaqet, është një panoramë e ëmbël.

Zhvlerësimi i zgjedhjeve

Mënyra se si qytetarët veprojnë politikisht, është e njohur në historinë e vendit, dhe jo vetëm e të kaluarës komuniste. Rumunët marrin zjarr kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave që ata i konsiderojnë të fituara dhe të patjetërsueshme, por nuk mund të imagjinojnë dot një betejë politike që kryhet përmes mjeteve zgjedhore.

 

Ajo që ndodhi në vitin 2017, e dëshmon më së miri këtë. Në shkurt, demonstruesit ishin disa mijëra në të gjitha qytetet e vendit; ashtu edhe në kryeqytet, me 150.000 në një mbrëmje të vetme.

 

Megjithatë, vetëm 50 ditë më herët, në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit 2016, vetëm 40 përqind e atyre me të drejtë vote u paraqitën në kutitë e votimit, dhe ato zgjedhje i dhanë Partisë Socialiste një shumicë dërrmuese.

 

Në këto kushte lind pyetja:si është i mundur një ndryshim kaq i madh i kursit në vetëm 50 ditë! Është e qartë se turma protestuese, ishte e mbushur me njerëz që vetëm një muaj më parë kishin votuar Dragnean dhe klikën e tij. Por kjo nuk mjafton për të shpjeguar këtë fenomen.

 

Le të përpiqemi të bëjmë këtë, duke u kthyer pas në kohë. Atëherë, do të kuptonim se asnjë udhëkryq i madh në historinë rumune, nuk është vendosur kurrë nga zgjedhjet. Pas Luftës së Dytë Botërore, regjimi komunist i hoqi votës çfarëdolloj rëndësie.

 

Po më herët? Rumania mes dy luftrave botërore, që rumunëve të sotëm u pëlqen të pikturojnë si idilike, ishte një autokraci e maskuar si demokraci, në të cilën të gjitha zgjedhjet fitoheshin nga partia që ishte në pushtet në kohën e votimit.

 

Ai që i organizonte materialisht operacionet zgjedhore, përmes praktikave pak a shumë ortodokse, arrinte gjithmonë të fitonte shumicën. Përveç kësaj, në një vend me një shkallë jashtëzakonisht të lartë të analfabetizmit, ishte e lehtë për disa zotërit e mëdhenj politikë, të merrnin vota përmes shpërndarjes së ushqimeve falas.

 

Një praktikë ende shumë e përhapur sot në kontekstin rural të Rumanisë, ku Partia Socialiste ka më shumë mbështetje. E gjithë kjo ka bërë që rumunët të jenë detyruar të fitojnë të drejtat e tyre, në një mënyrë pak a shumë dramatike dhe të dhunshme:Revolucioni i vitit 1989, është një shembull i qartë.

 

Ngjarjet e vitit 1990, të kujtojnë në disa aspekte ato të vitit 2017. Zgjedhjet presidenciale të muajin maj, u fituan me një shumicë të madhe nga Iliesku, me më shumë se 80 përqind të votave, duke shkaktuar protestat e vrullshme të studentëve, të cilët në qershorin e vitit të ardhshëm pushtuan sheshin e Universitetit. Në vitin 2014, për të siguruar fitoren e Klaus Johanis në zgjedhjet presidenciale, ishte përcaktuese vota e rumunëve që jetojnë jashtë vendit.

 

Një vend i përçarë

 

Nga ky kuadër përmbledhës, ndalin në pah disa elementë të qartë. Rumania është ende një vend i përçarë, në mesin e një bote rurale të ankoruar tek praktikat e vjetra të klientelizmit, dhe një konteksti më të ri dhe më dinamik urban, i cili synon ndryshimin.

 

Sidoqoftë, ky i fundit që nuk po arrin do të imponojë dëgjimin e zërit të tij kur vijnë zgjedhjet, shpesh heq dorë nga abstenimi. Dhe kjo për arsyet e përmendura më lart; rumunët nuk i shohin zgjedhjet si një instrument të dobishëm të luftës politike. Ata preferojnë rrugën, protestën, përballjen frontale me qeverinë.

 

Nëse të njëjtat energji të mobilizuara në protestën e shkurtit, do të përdoreshin gjatë fushatave zgjedhore, ndoshta rezultati do të ishte paksa i ndryshëm. Duhet pyetur nëse në vitin 2018, një vend anëtar i BE-së që synon standardet perëndimore, ka ende luksin ta lexojë politikën në këtë mënyrë.

Submit a comment