Rrëzohet sërish marrëveshja Brexit, gjysma e britanikëve duan largimin e kryeministres Tereza Mej

Nga Tom Mctague “politico.eu”

Londër – Zgjedhësit britanikë, duan që Tereza Mej të japë dorëheqjen si kryeministre pas disfatës poshtëruuese të rradhës, që ajo pësoi mbrëmjen e të martës mbi marrëveshjen e saj Brexit, me deputetët që votuan në shumicë kundër saj, si dhe bllokuan mundësinë e daljes nga Bashkimi Evropian pa asnjë marrëvedhje.

Anketa e Politico-Hanbury me 500 britanikë, e kryer në orët e vona të së martës, pasi marrëveshja Brexit e kryeministres së Mbretërisë së Bashkuar u hodh poshtë për herë të dytë nga parlamenti, zbuloi ekzistencën e pakënaqësive të mëdha me marrëveshjen e ndryshuar.

Sondazhi tregoi gjithashtu një mbështetje në rritje për daljen nga unioni pa asnjë marrëveshje, zhvillimin e një referendumi të dytë mbi Brexit, si dhe për mundësinë për të mbetur në Bashkimin Evropian.

Më e habitshmja, tani në Britani ka një mbështetje të qartë publike që kryeministrja Mej të largohet. Pas ngjarjeve të së martës, 50 për qind e të anketuarve thanë se zonja Mej duhet të japë dorëheqjen, në krahasim me vetëm 32 për qind që mendojnë se ajo duhet të qëndrojë në detyrë.

Edhe një e katërta e votuesve konservatorë, mendojnë tashmë se kryeministrja duhet të ikë. Ndërkohë publiku kërkon – 42 për qind – mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për të dalë nga ky ngërçc. Por mbi këtë çështje, ata janë të ndarë përgjatë linjave partiake, me votuesit konservatorë që kundështojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja (76 përqind), dhe votuesit e laburistëve në opozitë (67 për qind), që janë pro.

Deputetët do të votojnë sot, nëse do të vazhdohet apo jo me një dalje nga BE-ja në këto kushte. Nëse parlamenti refuzon të largohet nga BE pa një marrëveshje, deputetëve do t’u kërkohet të votojnë të enjten, nëse do t’i kërkojnë BE-së një zgjatje të periudhës negociuese, siç përcaktohet nga Neni 50 i traktatit themeltar të unionit.

Sipas anketës paraprake, ka një mbështetje të qartë të deputetëve për refuzimin e daljes pa një marrëveshje nga unioni, duke votuar më pas ditën tjetër për zgjatjen e zbatimit të Nenit 50, në një përpjekje për të gjetur një marrëveshje më të mirë me Brukselin.

Dyzet e shtatë përqind e opinionit publik, thotë se parlamenti duhet të votojë kundër daljes nga BE pa asnjë marrëveshje, krahasuar me 35 përqind që duan që deputetët të votojnë në favor të largimit nga unioni, edhe pa ndonjë  marrëveshje.

Ekziston gjithashtu mbështetje, për një zgjatje të periudhës së negociuar të Nenit 50, me 44 për qind pro dhe 39 për qind kundër. Sidoqoftë, kjo mbështetje zvogëlohet, sa më e gjatë kërkohet shtyrja e procedurave. Publiku mbështet në shumicë një zgjatje prej vetëm 1 muaji, me 52 për qind pro. Mbështetja për një vonesë 3-mujore është më e vogël, 44 për qind.

Në lidhje me atë që duhet të bëjë më pas kryeministrja, vendi mbetet i ndarë ashtu si më parë. Vetëm më pak se një e treta – 29 për qind – duan që kryeministrja Mej të organizojë një referendum të dytë, ndërsa një e katërta – 25 për qind – duan që ajo të dalë nga BE pa asnjë marrëveshje.

Gjithsej 35 për qind e të anketuarve, duan ende një lloj marrëveshjeje të negociuar me Brukselin, edhe nëse kjo kërkon mbështetjen e Partisë Laburiste. Kur u pyetën mbi mundësitë e ardhshme, 38 për qind thanë se preferonin të mbeteshin në Bashkimin Evropian. Kur e njëjta pyetje u shtrua në një sondazh të Politico-Hanbury në muajin shkurt, vetëm 31.5 për qind, thanë se donin të Britania të mbetet anëtare e BE-së.

Përktheu:Alket Goce

 

Submit a comment