Rreziku i përjashtimit të grave nga diskutimet mbi sigurinë kombëtare

Nga Peter Harris “National Interest”

Mbi 125 milionë gra duhej të ishin sot të gjalla. Por kjo nuk ka ndodhur për shkak të zhvlerësimit sistematik të jetës së tyre. Nga abortet selektive, deri tek praktika makabre e të ashtuquajturave “vrasje për nder”, ekzistojnë shumë mënyra përmes të cilave shoqëritë, kanë krijuar një pasiguri kronike për femrat.

Shkalla e dhunës është aq e madhe, sa që sipas disa vlerësimeve, mizogjia bashkëkohore në Azi, është përgjegjëse për më shumë jetë të humbura, sesa gjatë gjithë luftërave të shekullit XX të marra së bashku.

Megjithatë, teksa ekziston një komunitet tejet aktiv i feministëve dhe analistëve të sigurisë që tërheqin vazhdimisht vëmendjen ndaj vuajtjeve të grave, udhëheqësit politikë dhe politikëbërësit, vazhdojnë të mbeten prapa në raport me detyrimet e tyre ndaj kësaj dukurie.

Shumë shpesh, siguria fizike e grave trajtohet si një politikë e nivelit të ulët, që është tipike për vendet e pazhvilluara. Por kjo është një qasje e gabuar.  Axhenda Gratë për Paqe dhe Siguri (WPS), është një politikë e nivelit të lartë që ndikon në të gjitha vendet.

Ajo është me gjasë çështja më akute e sigurisë sot në botë. Prandaj duhet të konsiderohet si një lajm i mirë, që administrata Trump ka bërë publike një dokument strategjik gjithëpërfshirës, që njihet si Akti Bipartizan i Grave, Paqes dhe Sigurisë, i vitit 2017.

Dokumenti sugjeron zbatimin e një strategjie “të plotë qeveritare” për fuqizimin e grave, në mënyrë që ato të trajtojnë disa nga proceset që lidhen me konfliktet e dhunshme. Sigurisht, disa rezerva dhe dyshime janë të pranueshme.

Së pari, presidenti Donald Trump është larg së qëni kandidati më ideal për të zbatuar agjendën WSP. Diskriminimi i tij ndaj grave është i mirë-dokumentuar, dhe administrata e tij nuk e ka pozicionuar veten si një model për të drejtat e grave.

Për më tepër, publikimi i një dokumenti strategjik, nuk është i njëjtë me zbatimin cilësor të asaj strategjie, sidomos kur dokumenti në fjalë u shkrua vetëm sepse kërkohej nga ligji. Administrata Trump, pati 2 vjet e gjysmë kohë për të shqyrtuar këtë çështje, por refuzoi ta bëjë këtë.

Sikurse shkroi Hilari Matfess në kohën e pubikimit të saj, Strategjia Kombëtare e Sigurisë e Trump, e anashkaloi gati tërësisht pabarazinë gjinore, si një nxitës i pasigurisë globale. Gjatë 20 viteve të fundit, lëvizja WPS e ka bindur Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të miratojë jo më pak se 9 rezoluta për ta cilësuar dhunën seksuale si një krim lufte, pranuar pabarazinë gjinore strukturore si një shkak të pasigurisë kronike tek gratë, si dhe propozuar mekanizma për rritjen e pjesëmarrjes së grave në planifikimin dhe operacionet e sigurisë.

S’ka dyshim, se ky ndryshim i normave në nivel ndërkombëtar, e ka nxitur Kongresin dhe administratën Trump, të ndërmarrin hapa drejt zbatimit të një strategjie të WPS-së. Megjithatë, ka ende një rrugë të gjatë, përpara se kjo axhendë të zërë vendin e saj të ligjshëm, në zemër të diskutimeve mbi sigurinë kombëtarë në SHBA-së. Dhe problemi nuk qëndron vetem tek e djathta e politikës dhe shoqërisë amerikane.

Edhe politikanët e të majtës, e kanë të vështirë të trajtojnë çështjet gjinore kur diskutojnë mbi çështjet e sigurisë kombëtare. Për shembull Elizabet Uoren, nuk tha asnjë fjali mbi pasigurinë e femrave në artikullin e saj në “Foreign Policy” që synonte të prezantonte një vision mbi atë që do të jetë një politikë e jashtme progresive nën presidencën e saj.

As kandidati tjetër nga rradhët e demokratëve, Berni Sanders, nuk e diskutoi këtë çështje në fjalimin e tij të mbajtur në vitin 2017 në Kolegjin Uestminster.  Por përse kjo heshtje? Shpjegimi më dashamirës, është se Uorren, Sanders dhe kandidatët e tjerë demokratë synojnë të zbatojnë një politikë të jashtme të fokusuar tek WPS, vetëm nëse do të jenë të suksesshëm në ofertat e tyre përkatëse për presidencën.

Tek e fundit, edhe Hilari Klinton nuk pranoi që çështjet e WPS të ishin qendrore në vizionin e saj mbi sigurisë kombëtare në vitin 2016, pavarësisht se bëri përpjekje të mëdha për të forcuar një politikë të jashtme feministe, kur shërbeu si sekretare e Shtetit nën presidentin Barak Obama.

Sidoqoftë, në një periudhë afatgjatë, çështja e pasigurisë së grave duhet të zhvendoset në qendër të vëmendjes. Ka shumë të dhëna empirike që thonë se duhet bërë më shumë për t’i mbrojtur dhe fuqizuar gratë në mbarë botën:se lufta prek gratë dhe burrat në mënyra të ndryshme; se barra e shpenzimeve të luftës, bie në mënyrë joproporcionale mbi gratë; se dhuna strukturore që i shkaktohet grave dhe vajzave, rëndohet nga fakti që shumë pak femrave u jepet një rol kuptimplotë udhëheqës në planifikimin dhe operacionet e sigurisë; se dhuna masive kundër grave nuk ndalet as kur ndërpriten luftimet; dhe se dhuna ndaj grave dhe vajzave brenda vendeve të caktuara, është e lidhur me nivele më të larta të konfliktit midis shteteve.

Zhvlerësimi mbarëbotëror i jetës së femrave, duhet të trajtohet si një çështje e nivelit të lartë të sigurisë. Studuesit në fushën e WPS, kanë bërë pjesën e tyre për të dokumentuar dukuritë e ndryshme, dhe se si mund të nisin të adresohen ato. Është koha që politikëbërësit në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë saj, të bëjnë pjesën e tyre.

Shënim:Peter Harris, është asistent profesor i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Kolorados në SHBA.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment