Ri-integrimi i militantëve dhe familjeve të ISIS, është një problem global

Nga James Durso “The Hill”

Me humbjen e luftës nga ISIS-i në Irak dhe Siri, qeveritë në mbarë botën – duke përfshirë Shtetet e Bashkuara – po përballen me një sfidë të re nga grupimi terrorist:Ç’duhet bërë me mijëra anëtarë të familjes së luftëtarëve të vdekur, apo të burgosur të ISIS-it?

Mijëra gra nga e gjithë bota – Amerika, Evropa Perëndimore dhe Lindore, Azia Qendrore dhe më gjerë – shkuan në Irak dhe Siri në kulmin e fuqisë së Shtetit Islamik, duke u martuar në radhët e tij, dhe duke rritur fëmijë.

Gra të tjera u kapën robër në komunitetet e kurdëve, Jazidi, të krishterët dhe pakicave të tjera fetare në Irak dhe Siri, që u shtypën nga ISIS, dhe përfundimisht u asimiluan në një formë apo tjetrën nga organizata terroriste.

Shumë nga këto gra dëshirojnë të rikthehen në vendet e tyre, së bashku me fëmijët, meqenëse “Kalifati” i ISIS nuk është më, dhe në kushtet kur Iraku dhe Siria, nuk kanë dëshirë t’i pranojnë ato si qytetare.

Nëse dhe si mund të riintegrohen ato, ky është një problem jashtëzakonisht i vështirë, që ka një ndikim të madh të mundshëm në fushën e sigurisë, veçanërisht për vendet e Azisë Qendrore, të cilat përballen me problemet e tyre etnike, fetare, politike dhe të sigurisë.

Uzbekistani njoftoi kohët e fundit riatdhesimin  e 156 të mbijetuarave të ISIS, kryesisht gra dhe fëmijë që kanë jetuar në pjesë të Sirisë të kontrolluara nga grupimi radikal. Ndërkohë, 300 uzbekë mbeten ende të bllokuar në shkretëtirën siriane. Ata mund të rikthehen së shpejti në shtëpi, dhe administrata presidenciale e vendit, tha se do t’i “sigurojë strehim dhe një punë të mire”.

Qeveritë e Kazakistanit dhe Taxhikistanit, kanë  njoftuar  rikthimin e qytetarëve të tyre, të cilët i ishin bashkuar dikur grupeve ekstremiste.  Ri-integrimi i mbështetësve të ISIS do të jetë një sfidë, por gjithashtu edhe një mundësi për të ndaluar rekrutimet e ardhshme nga ana e radikalëve, dhe për të zhvilluar edukimin islam që pasqyron përvojat dhe sensibilitetet e Azisë Qendrore, të ndërtuara mbi traditën intelektuale të rajonit.

Një analist thotë se mirëpritja ndaj familjeve të ISIS, përbën një “tërheqje të konsiderueshme” nga deklarata e presidentit të Uzbekistanit, Shavkat Mirzijojev në vitin 2017, se uzbekëve të përfshirë në luftimet në Irak dhe Siri do t’u hiqej shtetësia.

Në fakt, ajo që bën sot Tashkenti është në përputhje me qëndrimin e Mirzijojevti në qershor 2017, që bëri një dallim midis “personave të mashtruar” dhe njerëzve që i kanë duart me gjak duart e tyre.

Nëse është i suksesshëm, procesi i ri-integrimit do të sjellë përfitime afatgjata. Të rriturit ndoshta do t’i nënshtrohen hetimeve të hollësishme, për të mbledhur informacione dhe për të përcaktuar shkallën e fajësisë së tyre në krimet e ISIS.

Por në një periudhë më afatgjatë, ri-integrimi i grave dhe, më e rëndësishmja, fëmijëve të tyre, do të jetë një shenjë e përpjekjeve të qeverisë. Suksesi në këtë process, mund të bëjë shumë më të vështirë punën e rekrutuesve radikalë, në kushtet kur të rinjtë e dinë që vendi i tyre po tregon mëshirë për ata që kthehen në “rrugën e drejtë”.

Uzbekistani laik, mund të krijojë një përpjekje të suksesshme të ri-integrimit, dhe që mund të jetë një model edhe për vendet e tjera, sidomos për bashkëpunimin mes imamëve, qeverisë dhe shoqërisë civile.

Svante Kornell, ka vënë në dukje se trashëgimia sovjetike e ateizmit, ka lënë shumë njerëz në Azinë Qendrore pa një traditë fetare me rrënjë të forta, për të qenë një kundërpeshë ndaj ekstremizmit.

Riatdhesimi i familjeve të ISIS, e ka zhvendosur diskutimin mbi de-radikalizimin nga teoria tek praktika. Trashëgimia e ateizmit sovjetik, mungesa e edukimit fetar, dhe kërcënimi i rritjes së rekrutimit në internet, i jep qeverisë një mundësi unike për të ndërtuar traditën e vet fetare.

Qeveria po mendon ngritjen e një Qendre për Qytetërimin Islam në Tashkent për të trajnuar imamët, të cilët duhet të njohin gjuhët dhe zakonet lokale dhe më e rëndësishmja, që komuniteti lokal t’i njohë mirë ata.

Për ta bërë këtë, qeveria uzbeke mund të përdorë një kontroll më të fortë, sesa do të deshin disa avokatë të lirisë fetare, prandaj që do të duhet të shpenzojë kohë duke shpjeguar se çfarë po bën dhe arsyen përse po e bën.

Në vitin 2017, Uzbekistani ishte në qendër të kritikave të Komisionit Ndërkombëtar Amerikan për Lirinë Fetare, duke u  akuzuar  për kufizimin e të drejtave të të gjitha grupeve fetare, dhe për përpjekjen për të kontrolluar veprimtarinë fetare dhe censurimin e materialeve fetare.

Por në vitin 2018, Departamenti Amerikan i Shtetit  njohu disa “ndryshimeve thelbësore” të arritura nga vendi. Ky vendim i DASH do t’i japë Tashkentit frymëmarrjen e duhur, teksa po zbaton projektin e tij të de-radikalizimit.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment