Raporti:Lufta mes fuqive të mëdha, parathotë një të ardhme armiqësore

“Reuters”

Berlin- Një epokë e re e konkurrencës midis fuqive të mëdha globale si Kina, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, do ta lërë botën përballë një të ardhme të paparashikueshme dhe më armiqësore, thanë sot organizatorët e një konference të rëndësishme të sigurisë në Mynih të Gjermanisë.

Konferenca me temë “Mozaiku i madh:Kush do të mbledhë copat?”, prezantoi një raport analitik, që synon të diktojë rendin e ditës për udhëheqësit botërorë në takimin vjetor të Konferencës së Sigurisë së Mynihut, që mbahet ditën e enjte.

Zëvendëspresidenti amerikan, Majk Pens, do të marrë pjesë në këtë aktivitetet në kryeqytetin e landit bavarez, pak ditë pasi Uashingtoni njoftoi se do të braktisë Traktatin mbi Kufizimin e Raketave Bërthamore me rreze të ndërmjetme, të nënshkruar dikur me Bashkimin Sovjetik.

“Duke pasur parasysh pikëpamjet mbizotëruese strategjike në Uashington, Pekin dhe Moskë, pritshmëritë për një epokë të re të konkurrencës mes fuqive të mëdha, duket se kthehen në një profeci vetë-përmbushëse”- thuhet në raport.

“Nëse të gjithë përgatiten për një botë armiqësore, ardhja e saj është pothuajse e paracaktuar … Periudha pas Luftës së Ftohtë, dhe optimizmi i përgjithshëm që lidhet me të, ka marrë fund. Por nuk është e qartë se çfarë lloj rendi i ri do të dale prej tij… dhe nëse periudha e tranzicionit do të jetë paqësore”.

Kryetari i konferencës, Volfgang Ishinger, ish-ambasador i Gjermanisë në Uashington, u kërkoi politikbërësve nga fuqitë e mesme, përfshirë Bashkimin Evropian, të bëjnë më shumë për të ruajtur një rend ndërkombëtar liberal.

Gjatë një intervistë për një gazette gjermane, Ishinger sugjeroi që arsenali bërthamor i Francës të shërbejë për të mbrojtur të gjithë BE-në, dhe jo vetëm Francën. Kjo do të thotë se vendet e BE, do të duhet të ndajnë koston finnciare të ruajtjes së armëve bërthamore të Francës, tha ai.

Kancelarja Angela Merkel, e cila do të mbajë fjalën e saj në Konferencën e Mynihut ditën e shtunë, po e përdor mandatin e saj të fundit, për t’u përqëndruar në një politikë të jashtme, që synon mbrojtjen dhe freskimin e multilateralizmit.

Por raporti thotë se Berlini dhe Parisi, duhet të bashkëpunojnë në një mënyrë më efektive, për të rritur kapacitetin e BE-së, “që është aktualisht e keqpërgatitur”, për t’u përballur me rritjen e konkurrencës mes fuqive të mëdha.

“Me kontekstet e brendshme në të dy kryeqytetet, që nuk kanë gjasa të bëhen më pak të ndërlikuara, viti i ardhshëm do të tregojë nëse vendet mund të zgjidhin dallimet e veta, apo nëse do të humbasë edhe një mundësi tjetër”- thuhet në raport.

Duke folur mbi fuqitë e tjera të mesme, raporti përmend Britaninë e Madhe, duke theksuar se “procedurat Brexit, do të vazhdojnë të shkaktojnë plagë në të dyja anët e Kanalit për vitet që vijnë”. Duke iu referuar situatës më tej në lindje, raporti nënvizon:”Ata që mbështeten tek Japonia, për të garantuar sigurinë e tyre në Azinë Lindore, do të duhet të ulin pritshmëritë e tyre”.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment