Racizmi vazhdon të ekzistojë në zemër të BE-së

Nga Galaxy Henry “Politico.eu”

Përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian muajin e shkuar, liderët evropianë dhe kandidatët kryesore ankoheshin shumë për numrin e vogël të grave në pozicionet e larta drejtuese të BE-së, dhe u zotuan të punonin në drejtim të arritjes së barazisë gjinore në mandatin e ri.

Por asnjëri prej tyre nuk përmendi edhe një dështim tjetër të rëndë, në mos edhe më të rëndë në aspektin e përfaqësimit:mungesës së njerëzve me ngjyrë në korridoret e pushtetit në Bruksel. Klod Moraesh, europarlamentar britanik, thotë se mungesa e njërëzve me ngjyrë në drejtimin e ndonjërit prej komisioneve, pasqyron një diskriminim strukturor që shpesh neglizhohet, përkundrejt pakicave në të gjithë BE-në.

Si kryetar i komitetit të Parlamentit Evropian për liritë civile, Moraesh ka drejtuar një nismë për trajtimin e një pabarazie të tillë, duke parashtruar një mocion për të trajtuar diskriminimin ndaj evropianëve me prejardhje afrikane.

Në mars të këtij viti, eurodeputetët miratuan e këtë rezolutë, e cila u bën thirrje institucioneve të BE dhe vendeve anëtare që të luftojnë në mënyrë aktive format e ndryshme të diskriminimit strukturor, dhe racizmit kundër afro-evropianëve.

Moraesh, e sheh rezolutën si një hap pozitiv “për t’i nxitur njerëzit të reflektojnë”. Por në një Parlament Evropian me një numër më të madh deputetësh ekstremistë dhe nacionalistë, ai druhet se lufta kundër diskriminimit, do të bëhet një betejë edhe më e vështirë.

Ai thekson se diskriminimi strukturor, ndikon tek të gjithë brezat e shtetasve në BE. “Shumë pakica etnike në Evropë, janë në brezin e tretë, të katërt dhe të pestë në periudhën e pasluftës, dhe ende trajtohen sipas racës së tyre. Por ata janë evropianë, ndaj ky është një problem i madh”- shprehet ai.

Rreth 15 milionë afro-evropianë jetojnë në vendet e unionit. Numri i përgjithshëm i qytetarëve të pakicave etnike në BE është i panjohur – vendet anëtare kanë përkufizime të ndryshme, dhe shumë nga shtetet anëtare nuk mbledhin të dhëna mbi baza etnike – por vlerësohet të jenë rreth 50 milionë ose 10 përqind e popullsisë.

E megjithatë, institucionet e BE-së dominohen kryesisht nga të bardhët. Siç raportoi “Politico” në vitin 2017, vetëm 1 përqind e stafit të punësuar direkt në institucionet e BE i përkasin pakicës, sipas vlerësimeve të atyre që studiojnë diversitetin racor dhe fetar.

Në Parlamentin Evropian të viteve 2014-2019, vetëm 17 nga 751 deputetë – rreth 2 për qind – ishin njerëz me ngjyrë. Pas zgjedhjeve të muajit të kaluar, Moraesh kishte frikë se numri do të ishte edhe më i ulët. Fatmirësisht, këtë herë PE shënon një përmirësim të lehtë: sipas një raporti të fundit nga Rrjeti Europian kundër Racizmit (ENAR), 30 vende u takojnë njerëzve me ngjyrë.

Gjashtë vende të tjera, shkuan për grupet e pakicave kombëtare, siç janë hungarezët etnikë në Rumani. Sidoqoftë, ky numër është ende larg përfaqësimit real, dhe do të përkeqësohet sapo Britania të largohet nga blloku.

Sesil Kienge, që ishte bashkë-hartuese e rezolutës së bashku me Moraesh, kur ishte eurodeputete në rradhët e Partinë Demokratike italiane, beson se çelësi për të luftuar diskriminimin kundër pakicave etnike – dhe atyre afro-evropiane në veçanti – është që Evropa të gërmojë thellë në të kaluarën e vet problematike.

Kienge, ishte e vetmja deputete me ngjyrë në PE-në e viteve 2014-2019. Sipas saj, Evropa duhet më në fund “të njohë përgjegjësinë” për historinë e saj të kolonializmit, dhe rolin e saj negativ në tregtinë e skllavërve.

“Derisa të kemi një kompensim për këtë padrejtësi, nuk do të jemi kurrë në gjendje të mposhtim racizmin kundër afro-evropianëve”- thotë ajo. Ndërkohë, aktivistët afro-evropianë thonë se brenda apo përreth kryeqyteteve të ndryshme të BE-së – rreth gjysma e banorëve të Brukselit me 1.1 milionë, ka lindur  jashtë Belgjikës – nuk janë të ndërgjegjësuar mbi diskriminimin strukturor apo efektet e tij.

Mirel-Tsheusi Robert, aktiviste belgo-kongoleze dhe themeluese e organizatës afro-belge BAMKO, vë në dukje se ndërsa incidentet raciste tërheqin disi vëmendjen e medias, format më delikate të diskriminimit lejohen të ekzistojnë në heshtje. “Ajo që më lëndon më shumë, është se mund të etiketohem në rrugë si një ‘grua zezake e keqe’, dhe nuk mund të gjej dot punë me kualifikimet e mia profesionale, njëlloj si kolegia ime e bardhë”- thotë Robert.

Belgët me origjinë afrikane, janë më të arsimuar se mesatarja e popullsisë së vendit, e megjithatë ata kanë 4 herë më shumë gjasa të jenë të papunë, sipas një raporti të botuar në shkurt të këtij viti 2019 nga Grupi i Punës i Ekspertëve të Kombeve të Bashkuara për njerëzit me prejardhje afrikane.

Grupi i OKB-së, thotë se përgjegjëse për këtë është padija e përhapur, mbi të kaluarën e Belgjikës si një fuqi koloniale. Belgjika ka bërë disa përpjekje për ta ndrequr këtë të metë vitet e fundit. Për shembull, duke rikonstruktuar Muzeun Afrikan në rrethinat e Brukselit.

Muzeu, i kritikuar prej kohësh për shpërfilljen e natyrës brutale të sundimit kolonial të Belgjikës, u modernizua dhe u rihap në dhjetor të vitit të kaluar. Tani ai përpiqet të ketë një qasje më kritike ndaj kolonializmit, si dhe të artit bashkëkohor afrikan.

Por ekspertët e OKB-së, mendojnë se riorganizimi “nuk ka shkuar aq larg”. Edhe përpjekjet për të dekolonizuar koleksionin e muzeut dështuan, pasi ai përmban ende objekte të vjedhura nga komunitetet afrikane gjatë kolonializmit.

Italiania Kienge, nuk do të jetë këtë herë eurodeputete, pasi nuk u rizgjodh. Por pavarësisht progresit të ngadalshëm në luftën kundër diskriminimit – dhe pavarësisht abuzimeve të vazhdueshëm raciste, që ajo përjetoi kur ishte ministre e qeverisë italiane disa vite më parë – ajo mbetet optimiste.

“Unë besoj në moton e BE ‘United in diversity’, të bashkuar në diversitet. Ky është një kontinent që mund t’i kapërcejë diferencat. Kjo është ajo që simbolizon për mua projekti i BE-së. Ndaj unë besoj fuqishëm se e ardhmja është diversiteti”- tha ajo.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment