Rabini hebre dhe vajza myslimane nga Maroku, publikojnë librin e letrave mes tyre

Nga Sydney Mccourt “moroccoworldnews”

Rabat – Një rabin hebre, dhe një vajzë adoleshente myslimane marokene, kanë botuar në Holandë një libër të përbashkët me letrat e shkëmbyera midis tyre, të cilat mbulojnë një sërë çështjesh nga përvoja personale, tek dallimet fetare dhe politike.

Lodi van Kamp, një rabin ortodoks hebre, i cili është i martuar dhe ka 5 fëmijë, dhe Oumaima Al Abdelaui, nxënëse marokene myslimane e një shkolle të mesme në Zanstad në Holandën e Veriut, arritën një bashkëpunim, që mund të duket i pamundur.

Sipas gazetës holandeze “Reformatorish Daghblad”, të dy u njohën përmes një kolegu maroken të van Kamp, dhe filluan të shkëmbejnë letra. Ndërsa letrat u rritën në numër, dhe në thellësinë e çështjeve që trajtonin, të dy ranë dakord t’i përfshijnë ato në një libër.

Libri “Përtej Mureve”, që ka dalë në qarkullim në fillim të muajit prill, hedh dritë në mënyrë të veçantë mbi kulturën hebraike dhe myslimane brenda shoqërisë holandeze. Letrat, që janë më shumë se 20, mbulojnë një sërë temash, duke përfshirë sukseset dhe dështimet personale, konfliktin e Palestinës dhe Izraelit, feminizmin, fenë dhe krimin.

Në diskutimet e tyre mbi fenë, rabini dhe vajza u përpoqën të bindin njëri-tjetrin për besimet e tyre personale, por duke qëndruar të respektueshëm dhe miqësorë ndaj njëri-tjetrit.

Që të dy ata ndihen të lidhur thellë me fetë e tyre përkatëse, por kanë arritur në përfundimin se Islami dhe Judaizmi, kanë më shumë ngjashmëri sesa dallime mes tyre. Një pikë kryesore e debatit midis të dyve, është çështja e Palestinës dhe Izraelit.

Ndërsa shprehin pikëpamjet e tyre mbi këtë çështje, ata refuzojnë të angazhohen në debate serioze, apo në përpjekje për t’i ndryshuar mendjen njëri-tjetrit. “Ne mund të shkurajmë një libër të tërë, vetëm për atë konflikt”- thotë van Kamp.

Por ata të dy premtuan, se do ta eksplorojnë këtë çështje në detaje, në një libër të dytë. Nëntitulli i librit “Një korrespondencë shpresëdhënëse”, ilustron qartë qëllimet e Van Kamp dhe Abdelaui, mbi letrat që kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin.

Ata duan të tejkalojnë dallimet, dhe të tregojnë se pavarësisht se mendojnë ndryshe në shumë aspekte, kanë gjithsesi edhe shumë gjëra të përbashkëta. “Ne nuk zgjidhim dot problemet në Lindjen e Mesme, por unë shpresoj që sjellja plot respekt dhe pozitivitet ndaj njëri-tjetrit, të frymëzojë edhe të tjerët”-tha van Kamp.“Nëse ne mund ta bëjmë këtë, atëherë munden edhe të tjerët”- theksoi Abdelaui.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment