Pse protestat në Hong Kong, nuk kanë gjasa të zbusin regjimin në Pekin

Nga Bernhard Zand “Der Spiegel International”

Që nga dështimi i Lëvizjes së Umbrellës kundër Kinës në vitin 2014, Hong Kongu është konsumuar nga një ndjenjë e thellë e dorëheqjes nga identiteti i tij i dikurshëm. Dalëngadalë por me siguri, Kina ka arritur të vërë nën kontroll ish-koloninë britanike, një proces që ka kaluar kryesisht pa u vënë re nga bota e jashtme.

Në vitin 1997, kur britanikët ia rrikthyen qytetin Kinës, Pekini i premtoi Hong Kongut një “shkallë të lartë autonomie” nën moton “një vend, dy sisteme”. Plani ishte që Hong Kongu të qeverisej kryesisht nga rregullat e veta deri në vitin 2047, por duket se Partia Komuniste e ka me nxitim.

Gjatë viteve të fundit, shumë kritikë të Pekinit janë paditur në gjykatë, janë burgosur, ose u është mbyllur goja përmes presioneve. Lideri studentor Joshua Uong, një ikonë e Lëvizjes së Umbrellave, i tha “Der Spiegel” që në pranverë se “do të mobilizojmë më shumë njerëz në rrugë, sesa 5 vite më parë”.

Rezultoi se e kishte gabim. Uong, është burgosur sërish për të tretën herë. Shkas për protestat e fundit, ishte projektligji për ekstradimin, që do t’i lejonte gjykatat e Hong Kongut të ekstradojnë të dyshuarit në rajone të tjera, përfshirë edhe Kinën kontinentale.

Kundërshtimi ndaj këtij drafti, nxiti befas revoltën e qindra mijëra, ndoshta 1 milionë njerëzve, që dolën në rrugë të dielën e kaluar. A është organizatori Avery Ng, i shqetësuar se situata mund të dalë jashtë kontrollit, dhe lëvizja mund të vihet nën kontrollin e radikalëve?

“Radikal, është një term i gabuar”- thotë Ng. Ai thekson se janë elementet fanatikë, ata që e shqetësojnë më shumë. “Radikalët kanë një plan, ne jemi radikalë”- shprehet Ng. Një njësi me policë të rinj, me helmeta dhe mburoja, është pozicionuar para protestuesve.

Atmosfera luhatet midis sfidës dhe besimit. “Rrëzojeni këtë ligj!”- kënduan demonstruesit për minuta të tëra. Shumica janë studentë universitarë, por në rrugë kanë dalë edhe shumë grupime të tjera të shoqërisë, më shumë se sa gjatë Lëvizjes së Umbrellave.

Dy dekada më parë, Hong Kongu jepte 20 për qind të PBB së Kinës, por sot, kjo shifër ka rënë në vetëm 3 për qind. Për herë të parë vitin e kaluar, PBB-ja e metropolit të teknologjisë, Shenzhen, e tejkaloi atë të Hong Kongut.

“Kjo ishte ndoshta e pritshme”- thotë ish-drejtuesja e lartë e Hong Kongut, Anson Çan, sot 79 vjeçe, që ka qenë një nga protanogistet gjatë rikthimit të qytetit nën sovranitetin e Kinës në vitet 1990. “Por ajo që e bën Hong Kongun të veçantë është sundimi i ligjit, sistemi ynë gjyqësor i pavarur dhe shërbimet tona publike cilësore, të paktën krahasuar me Kinën kontinentale. Protestuesit kanë dalë në rrugë pikërisht për këto”- shton ajo.

Ndërkohë në Pekin nuk ekziston sundimi i ligjit, dhe gjyqtarët kinezë i binden verbërisht Partisë Komuniste. Pekini nuk është i interesuar t’i lejojë banorëve të Hong Kongut të zgjedhin demokratikisht liderin e tyre lokal, që ishte një nga kërkesat e Lëvizjes së Umbrellave në vitin 2014.

Udhëheqja në Pekin, e sheh Hong Kongun si një pjesë integrale të Kinës, që duhet t’i bashkohet atdheut politikisht dhe ligjërisht – ngadalë, për shkaqe ekonomike, por me siguri. Partia Komuniste e di se në një periudhë afatgjatë, ajo është e avantazhuar.

Në fillim të këtij viti, qeveria njoftoi planin e saj “Greater Bay Area”, që parashikon integrimin e 11 qyteteve bregdetare, në një rajon të vetëm metropolitan. Nëse projekti do të miratohet, Hong Kongu do të jetë thjesht një qytet kinez midis shumë të tjerëve – një pjesë e vogël e një rajoni shumë më të madh metropolit.

Shumë njerëz në Hong Kong, janë kundër këtij vizioni. Por nuk ka asgjë shenjë që të tregojë se udhëheqja kineze, do t’ia vërë veshin Kongut. Kjo do të binte në kundërshtim me pretendimin e Partisë Komuniste, për pushtet në çdo pjesë të vendit.

Ndërkohë, do të krijonte një precedent me pasoja politike në pushtetin lokal, të cilat Pekini nuk mund t’i pranojë. Në fillim të tetorit, partia do të festojë 70 vjetorin e themelimit të Republikës Popullore, një demonstrim patriotik i fuqisë që nga perspektiva e Pekinit, do të ishte e vështirë të realizohej me lëshimet ndaj një lëvizje qytetare me prirje demokratike.

Nga këndvështrimi i politikës së jashtme, gjithçka sugjeron se Kina do të ketë zero tolerancë ndaj zhvillimeve të brendshme problematike.Aktualisht, vëmendja e Pekinit është e fokusuar kryesisht në një problem të vetëm: rivalitetin e saj gjeopolitik dhe ekonomik me Uashingtonin.

Në fund të këtij muaji, presidenti Xi Jingping ka gjasa të takohet me presidentin amerikan Donald Trump, në kuadër të samitit të G-20 në Japoni, dhe nga ai takim do të varen shumë gjëra. Është e vështirë të imagjinohet, që ai të shfaqë ndonjë lloj dobësie përpara këtij samiti.

Në Kinën e sotme, pushteti nuk mund të forcohet më nga gryka e pushkës, siç thoshte dikur Mao Ce Duni. Por ai shfaqet sërish në mënyrën e vet të fuqishme dhe të pa kompromistë. Pekini është praktikuar mirë në fuqizimin e pozitave të veta në formën e represionit, censurës dhe masave të tjera karakteristike të një shteti policor.

Por nuk mund t’i zbatojë dot këto metoda në Hong Kong. Pesë vjet pas valës së fundit të demonstratave në këtë qytet, Partia Komuniste e gjen sërish veten përballë një kundërshtari problematik. Demonstruesit, janë plotësisht të vetëdijshëm për ndikimin që kanë protestat e tyre në mbarë botën.

Dhe shtypja e dhunshme e tyre, mund të dëmtonte imazhin e Kinës si një fuqi e matur dhe e përgjegjshme ndaj botës. Mediat në Kinën kontinentale, po injorojnë me urdhër mbulimin e protestave në Hong Kong, dhe komentet e postuara në internet, po censuruar me rreptësi.

Është e paqartë se si mund të zgjidhet ky konflikt. Nëse qeveria e Hong Kong do të tërheqë ligjin, presioni i madh nga Pekini do të çonte  në largimin e udhëheqëses lokale, Kerri Lam. Por nëse e shtyn ligjin, kjo mund të sjellë disa muaj protesta të tjera.

Përktheu:Alket Goce

 

Submit a comment