Pse Merkel duhet zgjedhur në krye të Bashkimit Evropian

Nga Paul Taylor “Politico.eu”

“Pse jo më i miri?”.”Është ky parimi kryesor, që duhet të respektojnë politikanët e Bashkimit Evropian, kur të zgjedhin drejtuesit e institucioneve më të rëndësishme të bllokut për 5 vitet e ardhshme. Dhe askush nuk është më i kualifikuar për të drejtuar Këshillin Evropian sesa Angela Merkel.

Kancelarja veterane e Gjermanisë, pranë mbarimit të mandatit të saj të katërt dhe të fundit, ka forcën dhe qëndrueshmërinë e nevojshme për t’u përballur me presidentin amerikan Donald Trump, presidentin rus Vladimir Putin dhe atë kinez Xi Jinping në skenën botërore.

Por ajo zotëron edhe durimin dhe këmbënguljen, për arritjen e kompromiseve të nevojshme për ta mbajtur të bashkuar BE-në. E kalitur në rininë e saj sundimin komunist, nën hijen e Murit të Berlinit, Merkel mishëron si bashkimin e Evropës së pas Luftës së Ftohtë, ashtu dhe konsensusin e qendrës së BE-së rreth ekonomisë së tregut, dhe si vlerave sociale, liberale dhe atyre humane.

Udhëheqja e saj e fortë, do të ishte një kundërpërgjigje e fuqishme ndaj nacionalistëve dhe ksenofobëve, të cilët dëshirojnë ta çojnë Evropën, por edhe pjesën më të madhe të botës, në drejtime të rrezikshme.

Imagjinoni një moment fytyrat e kryeministrit hungarez Viktor Orban, dhe dhe zv/kryeministrit italian Mateo Salvini. Asnjë udhëheqës tjetër evropian, nuk ka autoritetin moral të Merkelit, të shfaqur së fundmi edhe në fjalimin që ajo mbajti në Universitetin e Harvardit në SHBA.

“Liritë tona individuale, demokracia, paqja dhe prosperiteti, nuk janë përherë të garantuara. Por nëse i rrëzojmë muret që na ndajnë, dhe kemi guximin të përqafojmë fillimet e reja, gjithçka është e mundur”- tha ajo.

Emërimi i saj në këtë post, do të rrisë profilin e Evropës, dhe Bashkimi Evropian do të përfitojë shumë nga përvoja e saj 14 vjeçare, si në samitet evropiane ashtu edhe ato globale. Merkel është shprehur vazhdimisht, si publikisht ashtu edhe privatisht se nuk dëshiron asnjë nga postet drejtuese të BE-së, dhe mund të jetë e sinqertë në këtë aspekt.

Ajo mbush në korrik 65-vjeçe. Dhe ndoshta dëshiron vërtetë të tërhiqet në shtëpinë e saj buzë liqenit në veri të Berlinit, të punojë kopshtin e saj, dhe shkruajë kujtimet e veta. Por presidenti i Këshillit Europian në largim Donald Tusk, presidenti i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker dhe të tjerët, duhet t’i bëjnë thirrje që t’i vërë në shërbim të Evropës aftësitë e saj shumë të respektuara.

Kontrata e kreut të Këshillit Evropian, ka një klauzolë daljeje. Nëse ajo nuk e përballon dot, mund të largohet edhe në gjysmë të mandatit, pas 2 vjet e gjysmë. Emërimi i politikanes kristiandemokrate, do t’i jepte Gjermanisë një post të lartë evropian, për herë të parë që kur Valter Halshtein drejtoi Komisionin e Parë Evropian në vitet 1958-1967.

Merkel është më e kualifikuar se sa kandidati gjerman për presidencën e Komisionit Evropian, Manfred Veber. Deputeti konservator, nuk ka asnjë përvojë ekzekutive, dhe si kandidati kryesor i Partisë Popullore Europiane të qendrës së djathtë në zgjedhjet e Parlamentit Europian, humbi pjesën e tij të  votuesve edhe në Bavari.

Ndryshe nga Veber, Merkel nuk është dëmtuar nga një marrëdhënie e ngushtë me Viktor Orbanin – kampionin e “demokracisë joliberale” dhe “Evropës së krishterë” – dhe as me eksperimentin e diskredituar në Austri, për të sjellë në një qeveri koalicioni të djathtën pro-ruse.

Pas humbjes së rëndë në zgjedhjet e humbit, socialdemokratët gjermanë, janë me një këmbë jashtë qeverisë. Dhe nëse Merkel dëshiron t’i japë pasardhëses së saj të përzgjedhur në krye të CDU-së Anegret Kramp-Karrenbauer, një shans që të formojë një qeveri para zgjedhjeve të ardhshme, ajo do të bënte më mirë të dorëhiqej si kancelare brenda këtij viti.

Sigurisht, ka edhe disa argumente kundër presidencës Merkel, dhe jo vetëm nga ata që frikësohen pa arsye, se ajo do të çimentonte dominimin gjerman në BE. Ajo ka treguar pak interes në forcimin e mbrojtjes evropiane – një nga prioritetet kryesore të BE-së në 5 vitet e ardhshme.

Forcat e armatosura gjermane po vuajnë, pikërisht për shkak të neglizhimit dypartiak. Ndërkohë, Merkel nuk ka bërë asgjë për të zbutur tepricën e llogarisë korrente në buxhetin e Gjermanisë, një nga shkaqet thelbësore të zhbalancimeve ekonomike në eurozonë.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment