Pse ISIS, do të vazhdojë të mbetet një kërcënim në Irak dhe Siri

Nga Abdel Aziz Aluwaisheg “Arab News”

Ndërsa luftëtarët e ISIS-it po përpiqen të mbrojnë Baguzin, enklavën e tyre të fundit në Sirinë lindore, është e rëndësishme t’i kushtohet vëmendje paralajmërimeve të komandantëve më të lartë ushtarakë, se lufta kundër grupit terrorist nuk do të mbarojë së shpejti.

Ka shumë të ngjarë që grupi ekstremist të humbasë Baguzin, duke i dhënë fund kontrollit mbi pjesët e mëdha të territorit sirian që pushtoi në vitin 2014, kur e shpalli Rakën kryeqytetin e “Kalifatit” të tij.

Megjithatë, edhe pse ISIS do të jetë së shpejti pa ndonjë zotërim të rëndësishëm territorial, ky me gjasa kjo nuk do të jetë fundi i grupit terrorist apo ideologjisë së tij të urrejtjes. Ai do të vazhdojë të mbetet një kërcënim. Në pjesët e tjera të Sirisë ku është dëbuar, luftëtarët e saj vazhdojnë të ndërmarrin sulme nga bazat e largëta në shkretëtirë.

Po ashtu në Irak, ISIS formalisht është zhdukur, por ka vazhduar të kryejë sulme. Të enjten e kaluar, komandanti i lartë i ushtrisë amerikane në Lindjen e Mesme, paralajmëroi se ISSI në Irak dhe Siri po kalonte në një fazë jo shumë aktive, për t’i dhënë mundësinë vetes të riorganizohet.

Gjenerali Zhozef Votel, kreu i Komandës Qendrore të SHBA,-së tha në dëshminë e tij para Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Kongresit Amerikan, se lufta kundër Shtetit Islamik është ende larg fundit.

Votel e vlerësoi humbjen territoriale të ISIS, si një “arritje monumentale ushtarake”. Por ai paralajmëroi se “lufta kundër ISIS dhe ekstremizmit të dhunshëm do të vazhdojë, pasi popullsia e ish-Kalifatit që po largohet, mbetet kryesisht e papenduar dhe e radikalizuar”.

Votel bëri thirrje për një “ofensivë vigjilente” kundër ISIS, duke synuar “liderët, luftëtarët, ndihmësit e tyre, burimet dhe natyrisht ideologjinë e tyre toksike. Në duhet të punojmë me partnerët tanë në terren, siç jemi duke e bërë këtë në mënyrë shumë efikase në Irak”-shtoi ai, duke thënë se inteligjenca, trajnimet dhe këshillat e SHBA, do të jenë thelbësore për të ndihmuar aleatët të luftojnë kundër “mbeturinave” të ISIS. Po çfarë e bën rezistent ISIS-in, dhe ideologjinë e tij?

Së pari, ideologjia e tij e gabuar tërheq ende njerëz në Siri dhe Irak, të cilët janë të frustruar, poshtëruar dhe të margjinalizuar, të pa shpresë dhe pa alternativa të tjera. Koalicioni Global kundër ISIS, është përpjekur ta sfidojë këtë ideologji të korruptuar, por nuk ka qenë në gjendje ta mposhtë atë. Më premtuese në këtë luftë, janë qendrat lokale të kundër-radikalizimit.

Së dyti, rimëkëmbja dhe rindërtimi i premtuar i Sirisë dhe Irakut, dhe bashkë me të krijimi i vendeve të punës dhe rifillimi i shërbimeve themelore qeveritare, deri më tani nuk ekzistojnë në Siri, dhe mezi po fillojnë në Irak. Vonesat në përpjekjet e stabilizimit e zonave të çliruara nga ISIS, janë në favorin e organizatës ekstremiste, dhe ndihmojnë në ruajtjen e joshjes së saj tek të rinjtë.

Së treti, mungesa e një zgjidhjeje politike në Siri, e ka ndihmuar që ISIS të përfitojë nga njerëzit që e kanë humbur shpresën. Qasja triumfaliste e regjimit sirian dhe aleatëve të tij, si dhe të milicive sektare në Irak, e ushqejnë më tej pakënaqësinë e të rinjve.

Së katërti, deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump për tërheqjen e trupave amerikane, mund të diktojnë edhe sjelljen e ISIS. Ky grupim, mund të kenë vendosur të presë largimin e amerikanëve nga Siria, për t’u kthyer sërish.

Së pesti, Iraku ka ndërmarrë hapa të mëdha për normalizimin e panoramës së tij politike, në lidhje me zgjedhjet e suksesshme parlamentare, dhe formimin e një qeverie të qëndrueshme të koalicionit. Por pajtimi real midis grupeve të ndryshme politike nuk ka ndodhur ende; as midis midis blloqeve politike sunite dhe shiite, dhe as brenda secilit sekt.

Për këto arsye, nuk ka gjasa që humbja territoriale e ISIS-it, të sjellë “vdekjen” e tij. Koalicioni global dhe anëtarët e tij të veçantë, duhet të ndërrojnë tashmë ingranazhet, dhe të punojnë më shumë për sigurimin e paqes në tokat e çliruara nga Shteti Islamik.

Shënim:Abdel Aziz Aluwaisheg, është Ndihmëssekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), për çështjet politike dhe negociatat.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment