Pse fituesja e vërtetë e grindjes Itali-Francë, është Evropa

Nga Alberto Alemanno “Politico.eu”

Italia dhe Franca, po zihen prapë me njëra-tjetrën. Por do të ishte një gabim, që grindja e fundit të cilësohet si “mosmarrëveshje idiote”. Kur njoftoi vendimin për të tërhequr diplomatin e saj nga Roma këtë javë, Franca akuzoi qeverinë populiste italiane, për një sërë “sulmesh të qëllimta dhe të pabaza”, si pjesë e një përpjekjeje për “manipulimin e marrëdhënieve për synime  elektorale”.

Në fakt, çarja midis dy fuqive evropiane – më e keqja që nga Lufta e Dytë Botërore, sipas ministrisë së Jashtme franceze – ka të bëjë më shumë sesa thjesht me një zënkë diplomatike. Ajo shënon fillimin e një mënyre të re, të të bërit politikë në Evropë.

Historikisht, politika e BE-së ka qenë më shumë një çështje kombëtare, sesa realisht evropiane. Për shembull, gjatë zgjedhjeve për në Parlamentin Europian, votuesit në të gjithë bllokun votojnë në data të ndryshme, për partitë kombëtare dhe kandidatët që garojnë me programe kombëtare.

Gjatë 6 dekadave të fundit, liderët kombëtarë kanë ndërhyrë shumë rrallë në punët e brendshme të njëri-tjetrit. Konfliktet ndërmjet kryeqyteteve, janë konsideruar kryesisht si një kontradiktë midis parimit të bashkëpunimit besnik që bën bashkë anëtarët e unionit.

Udhëheqësit e qeverisë populiste të Italisë – kreu i Lëvizjes anti-establishment Pesë Yjet, Luixhi Di Maio dhe udhëheqësi i ekstremit të djathtë, Mateo Salvini – e kanë kuptuar se mund të fitojnë terren duke luajtur me çështjet e brendshme të një vendi tjetër.

Salvini ka fajësuar historinë koloniale të Francës për krizën e emigracionit, dhe ka inkurajuar francezët të votojnë kundër presidentit të tyre në zgjedhjet e ardhshme evropiane. Di Maio, u takua me anëtarë të njohur të lëvizjes së Jelekëve të Verdhë, që ka sulmuar presidencën e Emanuel Makron, dhe ka tronditur politikën franceze që nga nëntori i viit të shkuar.

Këto lloj provokimesh personale, nisën të shfaqen fillimisht gjatë krizës së eurozonës, kur pati tensione të mëdha midis qeverive greke dhe asaj gjermane, pasi blloku u përball me mundësinë e një “Grexit”. Por çarja franko-italiane, e ka çuar atë në një nivel të ri.

Në fakt, Parisi dhe Roma janë në fakt duke tundur në ajër ”rrobat e palara” të BE-së, duke hedhur dritë mbi mosmarrëveshjet që krerët e shtetit dhe qeverisë i konsumojnë zakonisht pas dyerve të mbyllura, në mbledhjet e Këshillit Evropian.

Ato i japin publikut një shije të mosmarrëveshjeve më të thella, që ekzistojnë gjatë vendimmarrjes në dukje të qetë të BE-së – duke përfshirë edhe çështjen e emigracionit. Mosmarrëveshja tejet emocionale ndërmjet dy kryeqyteteve, rrezikon rikthimin e ankesave historike, si dhe paragjykimeve me rrënjë të thella kulturore.

Ai gjithashtu i paraprin qeverisë aktuale populiste, teksa është duke u ndërtuar prej vitesh, si rezultat i përplasjeve mbi ndërhyrjen ushtarake në Libi, dhe kontrollin francez mbi kompaninë më të madhe të ndërtimit të anijeve në Itali.

Po ka edhe një mundësi të kundërt:Këto lloj mosmarrëveshjesh dypalëshe publike, mund të përfundojë duke krijuar një hapësirë ​​të re politike, në të cilën mund të disktohen sfidat e përbashkëta evropiane.

Një nga meritat e liderëve kombëtarë, që i kushtojnë më shumë vëmendje çështjeve të brendshme të fqinjëve të tyre, është se kjo e largon fokusin e tyre nga Brukseli, “burokratët pa fytyrë të të cilit”, janë ende shumë të rënduar nga akuzat që i bëjnë përgjegjës për të gjitha sëmundjet e kontinentit, dhe ndryshojnë lojën e caktimit të fajit nga BE, tek aty ku qëndron vërtet përgjegjësia:kryeqytetet kombëtare.

Një politikan që kritikon një udhëheqës tjetër të BE-së për sjelljen e tij politike, të cilën e konsideron të pahijshme – qoftë në nivel kombëtar apo në Bruksel – nuk duhet parë si dikush që nënvlerëson unitetin evropian. Përkundrazi, ata po mbajnë njëri-tjetrin përgjegjës në sytë e elektoratit vendas dhe atij evropian.

Mosmarrëveshja franko-italiane, duhet të shihet gjithashtu në kontekstin e një riorganizimi politik, që merr formë pak përpara zgjedhjeve evropiane të majit, pra kemi të bëjmë me një europeizim të politikës.

Si Di Maio, ashtu edhe Salvini, të cilët po garojnë kundër njëri-tjetrit në zgjedhjet e majit, po i përdorin trazirat kombëtare në Francë – teksa Makron po përpiqet të shmangë Jelekët e Verdhë, dhe çojë përpara agjendën e tij politike – si një mundësi për të përmirësuar mbështetjen politike ndaj tyre.

Ky transformim i komunikimit politik, mund ta çlirojë BE-në nga “prangat”, që kanë bllokuar prej sumë kohësh ecjen e saj përpara.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment