Pse BE duhet të nisë tani bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Nga Nils Schmid “International Politics and Society”

Bashkimi Evropian, i ka të gjitha arsyet për të festuar këto ditë:Maqedonia  e Veriut dhe Shqipëria, janë shumë të motivuara nga perspektiva e bisedimeve të pranimit për në BE, për të ndërmarrë reforma të gjera, dhe në disa raste, të dhimbshme.

Në rastin e Maqedonisë së Veriut, qeveria dhe parlamenti kanë miratuar ndryshimin e emrit të vendit, duke i dhënë fund një konflikti gati 30-vjeçar me Greqinë. Të rinjtë në të dyja vendet, janë në shumicë dërrmuese në favor të anëtarësimit në BE – 95 për qind në Shqipëri, dhe 81 për qind në Maqedoninë e Veriut.

Shumica dërrmuese e tyre, identifikohen me Evropën. Pra, Brukseli mund të jetë krenar për joshjen që mbart, dhe shkallën në të cilën mund të diktojë procesin politik në këto vende. Ai mund të adoptojë një qasje optimiste dhe të besueshme ndaj bisedimeve të pranimit.

Dhe nëse e bën këtë përpara se të fillojnë negociatat, çfarë mund të arrihet kur në tryezë të jetë çështja e anëtarësimit? Por në vend të kësaj qasje, disa vende anëtare të BE dhe konservatorët e CDU/CSU në Bundestagun gjerman e kanë të vështirë t’i japin dritën jeshile bisedimeve të pranimit.

Në qershor, Këshilli i BE-së e shtyu vendimin për në tetor të këtij viti. Kjo lëvizje, është në kundërshtim me deklaratat e veta në mesin e vitit të shkuar, por edhe kundër Komisionit Evropian. Mbi të gjitha, kjo sjellje është veçanërisht e dëmshme për Maqedonisë së Veriut.

Ngurrimi e dëmton BE-në, ashtu si edhe perspektivat e ardhshme të të dyja vendeve kandidate. Maqedonia Veriore dhe veçanërisht Shqipëria, kanë një  rrugëtim të gjatë dhe të vështirë, para se të mund t’i bashkohen me sukses BE-së, sidomos kur bëhet fjalë për forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, si dhe luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Të gjitha vendet e Ballkanit, i nënshtrohen tundimit për t’u shndërruar në regjime autoritare. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të forcohet roli i parlamenteve dhe i funksioneve të tyre kontrolluese.

Dukuria e bojkotit parlamentar duhet të marrë fund, dhe nëse është e nevojshme edhe me përfshirjen e BE, si dhe duhet shmangur një veto e njëanshme nga partitë bojkotuese. Vendimi i ardhshëm nuk ka të bëjë me pranimin e këtyre vendeve në BE, por me fillimin e bisedimeve të pranimit. Dhe ky është një ndryshim i madh. Por debati i kohëve të fundit, i ka përzier që të dyja në një masë të tillë, saqë shumëkush mund të supozojë se kjo ka qenë e qëllimshme.

Ekzistojnë së paku 5 arsye pse fillimi i bisedimeve të pranimit, është për momentin jashtëzakonisht i rëndësishëm:Së pari, aftësia e BE-së për të ndikuar ngjarjet në këto vende, nuk është pa limit. Ajo varet nga fakti nëse BE-ja dhe shtetet e saj anëtare, do të mbajnë fjalën e tyre si partnerë të besueshëm.

Së dyti, bisedimet e anëtarësimit i japin legjitimitet BE-së, por dhe instrumente shtesë për të ndikuar në zhvillimet në vendet përkatëse në një masë edhe më të madhe, si dhe për t’i përgatitur ato për një anëtarësim të mundshëm.

Së treti, Bashkimi Evropian i siguron qytetarëve të këtyre vendeve një  perspektivë specifike për të ardhmen. Aktualisht, për shkak të mungesës së perceptuar të perspektivave në vendin e tyre, shumë të rinj po veprojnë sipas motos:”Nëse BE nuk do të vijë tek ne, do të shkojmë ne tek BE-ja”.

Për më tepër, bisedimet e pranimit i lejojnë BE-së të mbështesë forcat pro-evropiane në vendet kandidate, duke i dërguar një sinjal të qartë qeverive përkatëse, se integrimi ia ka vlejtur çdo reformë politikë, sado e dhimbshme që ka qenë ajo.

E fundit por jo më pak e rëndësishme:nëse BE-ja dhe vendet e saj anëtare dështojnë t’i hapin rrugën bisedimeve të anëtarësimit në të ardhmen e afërt, pavarësisht përparimit të konsiderueshëm të shënuar nga Maqedonia e Veriut, rrezikohet rikthimi i destabilitetit.

Në këtë rast, nuk do të jetë e çuditshme nëse populli dhe qeveria, do t’i kthejnë shpinën BE-së, në këmbim të ndonjë parneri tjetër të madh, si Kina apo Rusia. Megjithatë, bisedimet e pranimit nuk kanë një përfundim të sigurtë.

Është e rëndësishme të mos krijohet përshtypja, se këto bisedime çojnë automatikisht në anëtarësim në union. Tek e fundit, kjo do të ndikonte negativisht në pranimin e vendeve të ri nga Gjermania dhe vendet e tjera anëtare të BE-së, si dhe tek gatishmëria për të arritur ndryshime specifike në nivel lokal.

BE-ja duhet të përcaktojë kriteret strikte, dhe të garantojë që ato të zbatohen. Duhet t’u jepet prioritet fushave kyçe si demokracia dhe sundimi i ligjit. Kjo kërkon lidership dhe prani politike nga ana e BE-së, si dhe të qeverive dhe parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së.

Dhe nëse disa arritje do të vihen në pikëpyetje, duhet të jetë e mundur pezullimi apo në rastin më të keq edhe ndërprerja e bisedimeve të pranimit. Por një gjë është mëse e qartë:Nëse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të hyjnë në BE pas një procesi të gjatë, ato do të jenë vende shumë më të ndryshme nga sa janë sot.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment