Presidenti turk Erdogan, nis luftën kundër “terrorit” të çmimeve ushqimore

“Hurriyetdailynews.com”

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, e ka quajtur të tepruar rritjen e çmimeve të perimeve dhe frutave, duke mos hezituar ta cilësojë atë një “terrorizëm ushqimor” që kryhet ndaj konsumatorëve.

“Ditët e fundit, tregtarët nisën të luajnë një lojë në Turqi. Çmimet e patellxhanëve, domateve, patateve dhe trangujve, filluan të rriten shumë. Ky ishte si një sulm terrorist”- u shpreh Erdogan në ceremonitë e nisjes së shumë projekteve të reja në Ankara.

Ai e krahasoi luftën e qeverisë kundër rritjes së çmimeve të ushqimeve, me luftën kundër terrorizmit. Erdogan e identifikoi rritjen e çmimeve të ushqimeve, si një “lojë të ndërmarrë kundër Turqisë”. “Ne nuk do të lejojmë, që ata të ushtrojnë këtë lloj terrori ndaj qytetarëve”-shtoi ai.

Qeveria turke, premton masa për të frenuar rritjen e mëtejshme të çmimeve të ushqimeve. Presidenti tha se qeveria ka ndërmarrë tashmë veprime konkrete, kundër atyre që qëndrojnë pas “terrorit ushqimor”, në të njëjtën mënyrë që bastisi “shpellat terroriste” në malet Cudi, Gabar dhe Tendyrek në lindje të Turqisë kundër PKK-së terroriste, duke nisur shitjen e frutave dhe perimeve të lira për konsumatorët, direkt nga pushteti vendor.

Çmimet do të jenë gati të përgjysmuara, shtoi ai. Ndërkohë, qeveria do të vendosë të njëjtat masa edhe për shitjen e produkteve që shërbejnë për pastrimin, tha ai. Disa njësi vendore në Stamboll dhe Ankara, kanë filluar tashmë shitjen e frutave dhe perimeve më të lira për konsumatorët, në një përpjekje për të frenuar rritjen e madhe të çmimeve të këtyre artikujve, me radhë të gjata qytetarësh të rreshtuar para dyqaneve që në ditën e parë të kësaj praktike.

Në Stamboll do të ketë 50 pika shitjeje, ndërsa në Ankara 15. Sipas të dhënave të Institutit Turk të Statistikave (TÜİK), qepa, çmimi mesatar i të cilëse në janar ishte 4.9 lira kilogrami, është shitur sot nga një komunë e Ankarasë për vetëm 2 lira.

Sipas të dhënave më të fundit zyrtare, çmimet e ushqimeve u rritën mesatarisht me 6.43 përqind vetëm në muajin janar. Rritja vjetore ishte 30.7 për qind. Muajin e kaluar, çmimet e frutave dhe perimeve të freskëta u rritën me 29.7 për qind, ndërkohë që rritja vjetore për këto zëra ishte 64 për qind.

Ministri i Tregtisë, Ruhsan Pekcan, tha se zyrtarët kryen më 26 janar inspektime në tregjet e shumicës në provincat e Stambollit, Ankarasë, Antalias, Mersinit dhe Adanasë, duke zbuluar se disa tregtarë abuzonin hapur me çmime shumë të kripura. Zyrtarët gjobitën ndërkohë 76 kompani me nga rreth 810.000 lira, për shitjen e produkteve të paregjistruara dhe parregullsi të tjera.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment