Pompeo-Rusisë:Mos u përzieni në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA

”Reuters”

Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo, i tha sot ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, se Uashingtoni nuk do të asnjë ndërhyrje të Moskës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, duke thënë se një veprim i tillë do të dëmtonte seriozisht marrëdhëniet tashmë të tendosura mes dy vendeve.

Pompeo që zhvilloi vizitën e parë në Rusi si sekretar i Shtetit, u përplas publikisht me Lavrovin mbi çështje të ndryshme, nga Ukraina në Venezuelë. Pas takimit të tyre, të dy shefat e diplomacisë thanë se ishin shumë larg mbi shumë çështje. “Ia kam bërë të qartë Ministrit të Jashtëm Lavrov se ndërhyrja në zgjedhjet amerikane, është e papranueshme. Nëse rusët do të angazhohen sërish në zgjedhjet e vitit 2020, do t’i përkeqësonin më tej marrëdhënien tonë”- tha ai.

“Unë do t’i inkurajoja ata që të mos e bëjnë këtë. Ne nuk do ta tolerojmë këtë”- tha ai. Megjithatë, të dy burrat thanë se kishin një dëshirë të përmirësonin lidhjet e dobësuara mes dy vendeve, pavarësisht se nuk  ishin në gjendje të konfirmonin një sugjerim nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump se ai do të takohej me presidentin rus Vladimir Putin, në kuadër të samitit G20 në Japoni muajin e ardhshëm.

“Shtetet e Bashkuara, janë të gatshme të gjejnë gjuhën e përbashkët me Rusinë, për sa kohë që ne mund të angazhohemi seriozisht mbi këto çështje. Presidenti Trump e ka bërë të qartë, se pritshmëritë e tij janë se do të kemi një marrëdhënie të përmirësuar mes dy vendeve tona. Nga kjo do të përfitojnë të dy popujt tanë. Dhe unë mendoj se bisedimet tona sot, ishin një hap i mirë në këtë drejtim”- theksoi Pompeo.

Marrëdhëniet mes dy vendeve, kanë qenë prej kohësh të tensionuara nga akuzat – e mohuara nga Moska – se Rusia është përpjekur të ndikonte mbi rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në SHBA. Vizita e Pompeos, erdhi vetëm pak kohë pas publikimin e një raporti të shumëpritur të prokurorit special Robert Myler, mbi natyrën e rolit të Rusisë në ato zgjedhje. Zyrtarët rusë, shpresuan paraprakisht se Uashingtoni do të kishte më shumë hapësirë ​​për të përmirësuar lidhjet.

Por megjithëse Pompeo dhe Lavrov, bënë disa vërejtje pozitive rreth potencialit për bashkëpunim në kontrollin e armëve bërthamore, Pompeo përmendi një numër të madh ankesash të SHBA-së mbi Rusinë.

Përveç çështjes së ndërhyrjes në zgjedhjet amerikane, Pompeo dhe Lavrov u përplasën edhe mbi Venezuelën, me ministrin e jashtëm rus që kritikoi ashpër Uashingtonin, për përpjekjen për të rrëzuar presidentin Nikolas Maduro, për të cilin Pompeo tha se duhet të japë dorëheqjen përballë krizës ekonomike, dhe protestave në shkallë të gjerë kundër sundimit të tij.

Në lidhje me Ukrainën, Pompeo i tha Lavrovit se Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin aneksimin e Krimesë nga Moska në vitin 2014, dhe se sdo të ruajnë sanksionet ekonomike ndaj Rusisë, për shkak të kësaj lëvizje.

A.G

Submit a comment