PE pezullon negociatat e anëtarësimit. Turqia:Gjest i pakuptimtë, presim reflektim pas zgjedhjeve në maj

“hurriyetdailynews.com”

Parlamenti Evropian, votoi të mërkurën kundër vazhdimit të negociatave të anëtarësimit të Turqisë në BE, dhe u bëri thirrje vendeve evropiane që të pezullojnë zyrtarisht procesin. Gjithsej 370 europarlamentarë, votuan në favor të vendimit për të pezulluar negociatat e Turqisë me BE-në, ndërsa 109 votuan kundër, dhe 143 abstenuan.

Ankaraja reagoi menjëherë duke e quajtur “të pakuptimtë” këtë akt. “Qëndrimi i Parlamentit Europian ndaj Turqisë, duhet të jetë në funksion të promovimit të lidhjeve, ndërveprimit dhe dialogut midis Turqisë dhe BE-së”- thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme turke.

“Turqia pret që parlamenti i ri evropian, që do të formohet pas zgjedhjeve të muajit maj, të ketë një qasje konstruktive ndaj marrëdhënieve Turqi-BE në të ardhmen, të marrë vendime të menduara mirë dhe objektive, si dhe të përshpejtojë procesin e integrimit të Turqisë në Bashkimin Evropian”- theksohet në deklaratën e ministrisë.

Edhe kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme në parlamentin turk, Volkan Bozker, e kritikoi vendimin e djeshëm të Parlamentit Evropian, duke e cilësuar atë si “të pabazë”, në një kohë që theksoi se me këtë akt, PE ka shfaqur hapur “paragjykimet e saj kundër Turqisë”.

“Marrëdhëniet e vjetra dhe shumëdimensionale mes Turqisë me BE-së, kanë ndihmuar dhe po ndihmojnë ende BE-në në shumë aspekte”- tha Bozker. Edhe zëdhënësi i presidenti turk Erdogan, Ibrahim Kalin, e cilësoi absurd votimin e djeshëm të PE kundër Turqisë.

“Vendimi i miratuar nga Parlamenti Europian, i cili është jo i detyrueshëm, i njëanshëm dhe larg objektivitetit, është i pavlefshëm për ne”- u shpreh ai në një deklaratë për mediat. “Përmbajtja e raportit të Parlamentit Evropian mbi Turqinë në vitin 2018, është një përpjekje për të çelur një kapitull të ri në marrëdhëniet Turqi-BE”- theksoi më tej zëdhënësi i presidencës.

Ai nënvizoi ndërkohë se lëvizjet politike të ekstremit të djathtë në Evropë, kanë nxjerrë më në pah qëndrimin paragjykues kundër Turqisë, me një raport që përmban “pretendime të pabaza”, të cilat nuk pasqyrojnë realitetin.

Edhe zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet, e kritikoi votimin e së mërkurës. “Ky vendim i papërgjegjshëm, tregon tendencën ideologjike të Parlamentit Europian”- shkruante Omer Çelik në Tëitter. Çelik deklaroi se Parlamenti Evropian ishte larg marrjes së vendimeve mbështetëse për zhvillimin demokratik, duke e akuzuar atë se po e sheh Turqinë përmes “dritares së ngushtë të ekstremit të djathtë”.

Raporti i Komisionit Evropian i vitit 2018 mbi Turqinë, ishte përgatitur nga raportuesja Kati Piri dhe u votua fillimisht në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian më 21 shkurt.

Raporti këshillëdhënës dhe jo-detyrues, vlerësoi ndërkohë përpjekjet e Turqisë në menaxhimin e krizës së refugjatëve. Raporti vuri në dukje se liberalizimi i vizave, është i një rëndësie të madhe për qytetarët turq, veçanërisht për studentët, akademikët, përfaqësuesit e biznesit dhe njerëzit me lidhje familjare në shtetet anëtare të BE-së.

Përktheu:Alket Goce

 

Submit a comment