Një zjarr i madh, shkatërron Katedralen e famshme Notre-Dame në Paris

Një zjarr i fuqishëm, që përfshiu pasditen e sotme Katedralen e famshme Notre-Dame në Paris, shkatërroi pjesën më të madhe të godinës fetare por edhe historike, që është një nga simbolet jo vetëm të kryeqytetit dhe kombit francez, por edhe të trashëgimisë kulturore botërore.

Flakët që nisën në orët e pasdites, u përhapën me shpejtësi nëpër çatinë e katedrales 850-vjeçare, dhe përfshinë kupolën e cila u rrëzua shpejt, pasuar nga e gjithë çatia. Një shtëllungë e madhe tymi, u përhap mbi qytet, dhe hiri ra mbi një zonë të madhe.

Shkaku nuk është ende i qartë, por zyrtarët thonë se kjo mund të lidhet me punën e rikontruksionit të saj. Vitin e kaluar, Kisha Katolike në Francë, apeloi për dhënien e fondeve për të shpëtuar ndërtesën, e cila po shkatërrohej. Mijëra parizienë, u mblodhën pranë katedrales, të shokuar nga ajo që po shihnin.

“Ashtu si të gjithë bashkatdhetarët tanë, edhe unë jam i trishtuar këtë mbrëmje, kur po shoh të digjet një godinë që ka përket të gjithëve”- shkroi presidenti francez Emanuel Makron në rrjetet sociale.

Zjarrfikësit u përpoqën të vinin flakët nën kontroll, dhe evakuan zonën rreth Notre-Dame, e cila është e vendosur në një ishull në lumin Senë, dhe ndodhet në zemër të Parisit. Dëshmitarët, thanë se i gjithë ishulli ishte duke u evakuar.

Askush nuk është lëndur nga zjarri, konfirmoi ministri i Brendshëm i Brendshëm, Loren Nunez nga vendngjarja duke shtuar:”Është shumë herët për të përcaktuar shkaqet e zjarrit”. Zyra e Prokurorisë së Parisit, tha se kishte nisur një hetim ndaj zjarrit. Televizioni “France 2”, njoftoi se policia po e trajtonte atë si një aksident.

“Gjithçka po bie!”- tha një oficer i policisë pranë skenës, ndërsa katedralja vazhdonte të digjej. “Kam shumë miq që jetojnë jashtë vendit, dhe sa herë që vijnë, u them të shkojnë në Notre-Dame”- tha dëshmitarja Samanta Silva, me lot në sy. “Unë e kam vizituar atë shumë herë, por nuk do të jetë më kurrë e njëjta. Ishte një simbol i vërtetë i Parisit”- shtoi ajo.

Katedralja, e ndërtuar në shekullin XII-të, është një monument i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, që tërheq miliona turistë çdo vit. Ajo ishte në mesin e rikonstruksionit, me disa seksione nën skela, dhe statujat prej bronzi që u zhvendosën javën e kaluar për punimet.

Notre-Dame, konsiderohet të jetë ndër shembujt më të mirë të arkitekturës gotike franceze. Hera e fundit që katedralja pësoi dëme të mëdha, ishte gjatë Revolucionit Francez. Ajo i mbijetoi kryesisht e padëmtuar, dy luftërave botërore.

Kulla e saj prej 100 metrash, nga të cilat një pjesë e madhe u konsumua në orën e parë të zjarrit, ishte një nga strukturat më të vjetra në Paris. “Brenda ka shumë vepra arti… kjo është një tragjedi e vërtetë”- u shpreh kryebashkiakja e Parisit, Ana Hidalgo. Lidhur me këtë ngjarje, kanë reaguar krerët kryesore të botës, mes të cilëve presidenti amerikan Donald Trump, dhe kancelarja gjermane Angela Merkel.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment