Negociatat e anëtarësimit, BE lë në pritje Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Nga Jacopo Barigazzi “Politico.eu”

Bashkimit Evropian, ka gjetur së fundmi një linjë të përbashkët mbi bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke vendosur të mos marrë asnjë vendim. Pasi debatoi mbi çështjen shumë të diskutueshme, nëse do t’i ftojë apo jo që të dyja vendet e Ballkanit për të nisur bisedimet, takimi i fundit i ministravetë BE në Luksemburg, e shtyu marrjen e një vendimi për në muajin tetor.

Një vit më parë, BE ruajti perspektivën e të dyja vendeve, që u ftuan të çelin bisedimet e anëtarësimit këtë muaj. Komisioni Evropian, deklaroi në muajin maj se të dyja vendet kishin arritur përparimin e nevojshëm, në lidhje me standardet demokratike dhe sundimin e ligjit. Por disa nga vendet anëtare të BE-së, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, nuk ishin të gatshme të martën t’i jepnin dritën jeshile bisedimeve.

“Mjerisht, një pakicë shtetesh anëtare, nuk ishin në gjendje të mbështesnin propozimin e Komisionit, për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne nuk jemi 100 për qind dakord mbi këtë çështje, por mendoj se kemi bërë disa përparime”- tha pas takimit komisioneri europian për zgjerimin, Johanes Han.

Dështimi për arritjen e një marrëveshje, ka zemëruar disa nga anëtarët e BE dhe zyrtarët e Komisionit Evropian. Ata argumentojnë se shtyrja e këtij vendimi, e minon besueshmërinë e unionit, i vë qeveritë në rrezik të dyja qeveritë pro-BE, dhe rrezikon të rrisë depërtimin e rivalëve strategjikë në Ballkanin Perëndimor si Rusia, Kina dhe Turqia.

Mungesa e “oreksit” për zgjerimin e BE në mesin e disa vendeve, nënkuptonte Shqipëria apo Maqedonia e Veriut, nuk mund të jenë tërësisht të sigurta për një vendim pozitiv në tetor. Kundërshtarët e nisjes së bisedimeve, përmendin problemet e mëdha që ka Ballkani Perëndimor me korrupsionin, krimin e organizuar, varfërinë, dhe historitë e konflikteve të kohëve të fundit.

Në tekstin e rezolutës së miratuar të martën nga ministrat e BE, thuhet se “nën dritën e kohës së kufizuar në dispozicion dhe rëndësisë së çështjes, Këshilli do t’i rikthehet kësaj çështje sërish, me qëllim që të arrijë sa më shpejt që të jetë e mundur një vendim të qartë dhe substancial, jo më vonë se sa tetori 2019”.

Mbështetësit e çeljes se bisedimeve, fajësuan Parisin për shtyrjen e këtij vendimi. ”Edhe Gjermania ishte shumë mbështetëse ndaj kërkesës së Francës dhe të tjerëve”- theksoi Han. Deputetët gjermanë, thanë se vonesa nënkupton se nuk kishte pasur kohë të mjaftueshme, për të marrë një vendim përpara takimit të ministrave.

Vendet dhe zyrtarët në favor të zgjerimit të BE, bënë çmos duke këmbëngulur të mbajnë gjallë procesin. Bundestagu gjerman, nuk pritet të marrë një vendim deri në fund të shtatorit, “duke i dhënë Francës një shkas për të vonuar gjithë procesin”, tha një diplomat i BE-së, që ndjek nga afër Ballkanin.

Mandati i Komisionit Evropian, përfundon në fund të tetorit. Ideja e zgjerimit të Bashkimit Evropian është jopopullore, me votuesit në shumë vende anëtare të Evropës Perëndimore, që kanë frikë se kjo mund të çojë në më shumë migrim në vendet e tyre, dhe në transferta parash drejt anëtarëve të rinj më të varfër.

Përfaqësuesja e Francës në takimin e së martës, ministrja e Çështjeve Evropiane Ameli de Montshalin, nuk foli per mediat. Por ministria e Jashtme franceze tha para mbledhjes, se “procesi i zgjerimit bazohet në kritere rigoroze dhe në meritat e kandidatëve aspirantë, pa një afat kohor të paracaktuar”.

Shumica e diplomatëve, thanë se prisnin që vetëm Maqedonia e Veriut të merrte dritën jeshile për bisedimet e anëtarësimit në tetor. Vendi është vlerësuar për zgjidhjen e një mosmarrëveshje të vjetër me Greqinë fqinje, e cila përfshinte edhe një ndryshim të emrit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut.

Shqipëria është vlerësuar për reformat e mëdha në gjyqësor, por vendi gjendet aktualisht në mesin e turbullirave politike, teksa partia kryesore e opozitës po bojkoton parlamentin, dhe presidenti ka shtyrë zgjedhjet lokale, në kundërshtim me qëndrimin e qeverisë.

Qeveria e Holandës, që është gjithashtu skeptike për zgjerimin, i ka tani duart e saj të lidhura për shkak të një vendimi më të fundit të parlamentit të saj, për të kundërshtuar bisedimet e anëtarësimit për Shqipërinë, dhe mbajtur derën hapur për Maqedoninë e Veriut.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment