Në gjeopolitikë, fitojnë vetëm superfuqitë

Nga Richard Pine “Kathimerini”

Me situatën kaq të paqëndrueshme në Ballkan, dhe opinionin publik të përçarë mbi çështje që lidhen me identitetin dhe vetëvendosjen, termi “nacionalizëm” bën sot një përshtypje të keqe.

Lëvizja drejt pavarësisë në shekullin XIX-të e vendeve skandinave, Irlandës dhe Ballkanit, u nxit nga nacionalizmi kulturor, i cili u përpoq t’i përkufizonte njerëzit në terma të ndryshëm nga politika. Ju patët mundësi të theksonit ndryshimin tuaj nga fqinji i fuqishëm, i cili ju kishte shtypur me gjasë prej shekujsh.

Dhe ndryshimi nuk kishte të bënte me qasjen tuaj ndaj politikës, por me gjuhën apo fenë juaj, apo qëndrimin ndaj jetës dhe tokës në të cilën jetonit. Finlanda shpiku poezinë e saj epike, “Kalevala”, e cila frymëzoi Sibeliun dhe në fund të gjithë lëvizjen e pavarësisë.

Në Norvegji, një dramaturg dhe një muzikant, udhëhoqën lëvizjen  për rikthimin e përdorimit zyrtar të gjuhës norvegjeze, e cila ishte ndaluar nga danezët. Këto nisma kulturore, krijuan lëvizje populiste të cilat pastaj mund të merrnin një dimension politik, dhe të çonin në luftëra për pavarësi.

Dhe në përgjithësi, opinioni publik në botën e gjerë, e respektoi dhe e përshëndeti këtë ndryshim. Por kjo është pika në të cilën situata bëhet e rrezikshme.

Sepse kur arrihet pavarësia, është e nevojshme të frenohet populizmi brenda një shoqërie të civilizuar, në paqe me vetveten dhe me fqinjët e saj. Rreziku kryesor për këtë shoqëri paqësore është irredentizmi, ambicia për zgjerimin e kufijve kombëtarë, në zona që nuk ishin të përfshira në marrëveshjen origjinale të pavarësisë.

Dhe kultura shndërrohet sërish në një armë të populizmit, duke zbuluar zona të identitetit përtej zotërimit të sovranitetit, por brenda shpresave dhe ëndrrave të tij. Në shekullin e fundit, luftërat ballkanike të viteve 1912-1913, Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore dhe luftërat serbo-boshnjake të viteve 1990, u ushqyen jo vetëm nga ambiciet territoriale, por dukshëm edhe nga çështjet e identitetit.

Një nga absurditetet e propagandës së Luftës së Parë Botërore, ishte se lufta bëhej për mbrojtjen e kombeve më të vogla. Në fakt, asnjë fuqi e madhe nuk ka mbrojtur ndonjëherë një fuqi më të vogël, përveç rasteve kur ka pasur vetë përfitime territoriale, ekonomike dhe ushtarake.

Kur presidenti francez Fransua Miteran, deklaroi në 1995 se “nacionalizmi është luftë”, ai dështoi të shtojë se ka luftëra “të drejta” dhe luftëra “të padrejta”. Shumica e njerëzve jashtë Gjermanisë dhe Austrisë, ndjenin në vitin 1939 se lufta ishte e justifikuar, nëse do të ndalonte nazizmin.

Shumica e njerëzve jashtë ish-Jugosllavisë, mendonin në vitet 1990 se konfliktet mes serbëve, boshnjakëve, kroatëve dhe sllovenëve, ishin një padrejtësi mizore dhe brutale në të gjitha anët.

Mbrojtja e kulturës, gjuhës apo fesë tuaj, është po aq jetike sa edhe mbrojtja e familjes. Mbrojtja e pronës apo dinjitetit, është një privilegj i domosdoshëm. Shtypja e pretendimeve të dikujt, me agresion dhe grabitje ndaj fqinjit, është një abuzim i atij privilegji.

Një nga arsyet e përbuzjes sot të termave “nacionalizëm” dhe “sovranitetit”, është gjeopolitika:Në fund, s’do të fitoni dot, nëse nuk jeni një superfuqi. Dhe superfuqitë sot drejtohen nga një djalë plangprishës në Shtëpinë e Bardhë, dhe ish-një shef i KGB-së në Kremlin, dhe me karaktere të panjohura kinezësh që vijnë rrotull.

Krahasuar me këto pesha të rënda, Viktor Orban i Hungarisë, Jarosllav Kazinski i Polonisë, Milhosh Zeman i Çekisë dhe Liviu Dragnea i Rumanisë janë thjesht “gavroshë” (vocërrakë rrugësh)- dhe kjo është arsye pse unë mendoj që ata përpiqen kaq shumë të shtyjnë më tej kufijtë e tyre, dhe të justifikojnë ndikimin e tyre.

Situata maqedonase, i ka bërë nacionalistët dhe pragmatistët në të dyja anët e kufirit të njeshëm ndaj ekseseve të populizmit, duke iu shmangur vlerave kulturore të cilat ata po përdorin si raketa.

Pak ditë më pare, unë u sulmova verbalisht nga një “nacionalist grek” i vetëkënaqur, i cili tha se duhet të largohem nga Greqia, për shkak se thashë se tek e fundit ekziston edhe një gjuhë maqedonase. Ai më përmendi klishenë e vjetër “Maqedonia është greke” , një klishe që në fakt duhet të rishkruhet në kuadër të Marrëveshjes së Prespes.

Shënim:Richard Pine, fitoi çmimin “Kritiku i Vitit” në Çmimet e Gazetarisë në Irlandë për vitin 2018. Ai jeton dhe punon në Korfuz, dhe është autori i librit “Greqia në sytë e irlandezëve”.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment