Ndryshimi në Iran, mund të vijë vetëm nga brenda

Nga John Jenkins “Arab News”

Republika Islamike e Iranit, kremton sot 40 vjetorin e revolucionit, që e solli atë në jetë. Nuk ka gjasa që pjesa tjetër e botës, të festojë në të njëjtën mënyrë. Ngjarjet e vitit 1979, përfaqësojnë atë që eksperti francez mbi Iranin, Bernar Hurkad, në një koment të kohëve të fundit për revistën online “Orient XXI”, e quajti me të drejtë si një “thyerje të madhe” për Iranin, botën islame dhe bashkësinë ndërkombëtare si një e tërë.

Në fakt, është vërtet e vështirë të përcaktohet data e saktë e çdo revolucioni popullor. Secili prej tyre, tenton të shfrytëzojë momentin, kur në rrugë dalin  mjaftueshëm njerëz, dhe për aq kohë sa ata krijojnë një ndjenjë kolektive besimi në drejtësinë dhe fitoren e kauzës së tyre.

Por ajo nuk është gjë tjetër, veçse një skenë në një dramë me shumë akte. Momentet kyçe të revolucionit në Iran përfshinë:Vendimin e keqgjykuar të Shahut në janarin e vitit 1978, për të autorizuar publikimin e një letre që sulmonte direkt Ruhollah Khomeinin; zjarrin e madh në Kinemanë Reks në qytetin Abadan në gusht të të njëjtit vit, përgjegjes për të cilin u bë policia sekrete e shahut, SAVAK, çka motivoi edhe më shumë mbështetësit radikalë të Khomeinit; refuzimin e ushtarëve për të hapur zjarr mbi demonstratën e parë të madhe në Teheran më 4 shtator, hapja zjarr mbi protestuesit 4 ditë më vonë; tërmeti i rëndë në Tabas; dëbimi i Khomeinit nga Iraku në fillim të tetorit; demonstratat e Ashures në dhjetor; dhe largimi i Shahut në mesin e janarit 1979 dhe dy javë më vonë, kthimi i Khomeinit – ngjarja që Teherani kremton mbi gjithë të tjerat.

Asnjë revolucion, s’ka sukses pa një ideologji. Po kështu, asnjë revolucion nuk ia del pa pasur fat. A do të kishte ndodhur Revolucionit i Tetorit në Rusi, nëse Vladimir Lenini, i sapokthyer nga Zvicra, do të ishte arrestuar në ndonjë pikë kontrolli, në vend se t’i përvidhej fshehurazi policisë së pakujdesshme të Carit?

A do ishte Khomeini në gjendje të krijonte teokracinë e tij, nëse Shahu nuk do të ishte sëmurë me leuçemi, apo nëse forcat e majta dhe forcat politike shekullare në vend, nuk do të detyroheshin të rreshtoheshin me islamistët radikalë kur shpërtheu lufta me Irakun, dhe kriza amerikane e pengjeve?

Fitorja e Khomeinit nuk ishte e pashmangshme. Partia Komuniste Iraniane ishte e fuqishme, dhe gëzonte një mbështetje të madhe në mesin e klasës punëtore industriale, për krijimin e të cilës kishte ndihmuar paradoksalisht edhe vetë Shahu.

Revolucioni Kushtetues i viteve 1905-1911, kishte lënë pas një trashëgimi të fortë të rezistencës ndaj pretendimeve të klerit për të sunduar, diçka që e kishte ndihmuar Muhamed Mosadegun në fillim të viteve 1950. Dhe ushtria ishte një qendër potenciale alternative e pushtetit.

Por Khomeini, ashtu si Lenini, e luajti lojën në mënyrë më efikase, më me mjeshtëri se çdokush tjetër, dhe duke pasur qëllime shumë më të qarta, duke përfshirë gatishmërinë e palëkundur për të shtypur dhe eleminuar kundërshtarët e tij.

Khomeini lejoi miratimin e një kushtetutë për republikën e re. Por Republika Islamike nuk është një shtet kushtetues, pasi konfiskimi i pushtetit nga Khomeini, dhe makinacionet që shoqëruar ngjitjen në pushtet të Ali Khameneit si pasardhësi i tij, i treguan që të dyja.

E megjithatë, dëshmitë e trazirave të përsëritura popullore në të gjithë vendin, represioni i egër dhe i vazhdueshëm nga autoritetet, sugjerojnë se Irani ka ruajtur një kulturë politike të larmishme, dhe se iranianët do të preferonin që të mos sundoheshin nga mullahët obskurantistë.

Një lajm intrigues, vjen nga ngjarjet në Irak, ku demonstratat e kohëve të fundit kundër keqqeverisjes në rajonet jugore, kanë marrë një karakter të fortë anti-iranian. Edhe figura të tilla si Qais Al-Khazali, i Asa’ib Ahl Al-Haq, dhe kanë filluar të kërkojnë udhëzime nga qyteti irakian i Naxhafit, dhe jo ai Qom në Iran. Për më tepër, ara kërkojnë një model irakian dhe jo iranian të legjitimitetit fetar.

Kjo nuk do të thotë që Republika Islamike, do të shpërbëhet së shpejti. Ajo gëzon mbështetje të konsiderueshme nga ata që kanë përfituar nga patronazhi i saj – një klasë klerikësh të financuar nga shteti, forcat e sigurisë, konservatorët e devotshëm dhe njerëzit e afërt të biznesit.

Dhe nuk ka gjasa, që iranianët të duan një tjetër revolucion të dhunshëm. Por kjo do të thotë, që regjimi gati me siguri nuk arriti të bindë një shumicë iranianësh, se po prodhon diçka të ngjashme me sundimin e shtetit të drejtës.

Përvoja e 40 viteve të fundit në Iran, ka treguar se islamistët radikalë politikë janë të paaftë, të korruptuar, të ashpër dhe represivë kur përpiqen ta menaxhojnë një shtet. Ky është një leksion që ilustrohet edhe dështimi brutal i ISIS-it.

Por Irani, pikërisht se është një shtet kompleks dhe i sofistikuar, dhe jo një kalifat imagjinar i rrënuar dhe i rrethuar, është më i fuqishëm. Sundimi i ISIS-it mund të shkatërrohet nga forca ushtarake, por ideologjia e saj nuk mposhtet.

Në rastin e Iranit, e vetmja alternativë ushtarake është përmbysja. Dhe ne kemi nevojë për qartësi, durim dhe vendosmëri, për t’u përballur me këtë sfidë ideologjike. Në shumë aspekte, rezultati më i mirë do të ishte që Republika Islamike të ndryshojë – gradualisht ose dramatikisht – nën tendosjen e kontradiktave të veta të brendshme.

Ajo do të ishte me efektive në diskreditimin e ideologjisë që qëndron pas rregjimit në Iran, se sa 1 milionë ese nga kritikët e vjetër si Abdulkarim Sorush, apo nga një krizë e prodhuar së jashtmi. Dhe kjo duhet të jetë një  çështje vetëm e iranianëve.

Kur ata të dëshirojnë mbështetjen tonë, ne duhet t’ja japim atë – diçka që s’kemi arritur ta bëjmë vitet e fundit, kur u gënjyem pas iluzionit të normalitetit. Por ata vetë duhet të gjejnë mënyrën më të mirë, për t’u bashkuar me pjesën tjetër të botës, shumë prej të cilëve menduan gabimisht se e gjetën në vitin 1979. Unë shpresoj vetëm që të mos ketë nevojë të kalojnë edhe 40 vjet të tjera, për ta bërë këtë.

Marrë me shkurtime

Shënim:John Jenkins, ish-ambasador i Britanisë së Madhe në Arabinë Saudite. Ka qenë Drejtor i Përgjithshëm në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), me seli në Manama, Bahrein, dhe anëtar në Institutin Xhekson për Çështjet Globale në Universitetin e Jeilit në SHBA.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment