Muslimanët e Rohingya protestojnë në Malajzi

Caitlin Malone

Gjendja e muslimanëve Rohingya që po largohen nga dhuna dhe persekutimi është bërë shumë alarmante dhe shqetësuese, dhe protestat e fundit në Malajzi kanë shërbyer vetëm për ta theksuar edhe më tepër. Më 30 gusht, mbi 1,000 persona me etni Rohingya protestuan kundër shtypjes qeveritare dhe ushtarake, duke çuar në një rritje të refugjatëve që po ikin nga dhuna. Protestat u zhvilluan në ambasadën e Myanmarit në Kuala Lumpur. Skena ishte kaotike; policia i bëri thirrje grupit të shpërndahej dhe 44 protestues Rohingya u arrestuan.

Muslimanët Rohingya në Malajzi kanë vuajtur përvoja me vështirësi ekstreme. Sipas UNHCR, 59,100 persona nga 132,500 refugjatë nga Myanmar që kanë kërkuar azil në Malajzi janë me etni Rohingya. Qendrat e paraburgimit të emigrantëve në Malajzi kanë lënë shumë Rohingya të përballen me kushte çnjerëzore, duke përfshirë rrahjet, mungesën e ushqimit dhe ujit, kequshqyerjen dhe mungesën e kujdesit mjekësor. Grupi i Punës së OKB-së mbi Arbitrazhin e Paraburgimit zbuloi se kushtet e qendrave të paraburgimit në Malajzi ishin “katastrofike” në vitin 2010. Sipas një të arrestuari Rohingya, të intervistuar nga The Guardian, “vetëm kur dikush vdiste vinin rojet. Përndryshe, nëse ankoheshim ose nëse kërkonim të shkonim në spital, ata na rrihnin”.

Por shtypja nuk përfundonte nëse Rohingya ndonjëherë largoheshin nga qendrat e paraburgimit për t’u integruar në shoqërinë malajziane. Qeveria e Malajzisë ngurron të lejojë Rohingya të drejtën për të punuar ose të drejtën e fëmijëve për të ndjekur shkollat kombëtare. Për më tepër, Akti i Asamblesë Paqësore të vitit 2012 të Malajzisë, e bën të paligjshme që jo-qytetarët të mblidhen  e tw protestojnë për çfarëdo arsye, qoftë edhe në mënyrë paqësore, duke bërë që protestat që kanë ndodhur javën e kaluar të jenë të paligjshme.

Rohingya u vunë në shënjestër në vitin 1978 dhe përsëri në fillim të viteve 1990. Një valë e madhe e Rohingya kanë ikur drejt Bangladeshit që nga tetori 2016. Sipas një raporti të botuar nga The Diplomat në 7 shtator, më shumë se 30,000 Rohingya tani jetojnë në kampe refugjatësh të vendosur në rajonin juglindor të Bangladeshit, ku shumë të tjerë jetojnë në strehime të improvizuara. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se 146,000 njerëz janë larguar nga Myanmar për të kërkuar strehim në Bangladeshin fqinj që prej 25 gushtit 2017, duke shkuar në total deri në 233,000 refugjatë Rohingya në Bangladesh.

Nuk ka pasur aksione të mjaftueshme për këtë çështje nga bashkësia ndërkombëtare, megjithëse masa të tilla shtypëse janë përsëritur që nga viti 1978. Organizata e Bashkëpunimit Islamik u ka bërë thirrje vendeve të tilla si Malajzia të adresojnë trajtimin e muslimanëve nën dritën e fluksit të refugjatëve Rohingya. Kryeministri malajzian Najib Razak ka qenë i zëshëm në dhënien fund të trajtimit çnjerëzor të muslimanëve. Ashtu si drejtuesit e tjerë botërorë, megjithatë, ai ka bërë shumë pak për të trajtuar këtë çështje ose për të ndryshuar politikat shtypëse, siç janë përmirësimi i kushteve të qendrës së ndalimit ose dhënia e të drejtave të punësimit së Rohingya.

Diçka rreth autores: Caitlin është duke përfunduar Bachelors e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në ANU. Ajo është veçanërisht e pasionuar për çështjet që kanë të bëjnë me të drejtën dhe sigurinë ndërkombëtare. Ajo shpreson të përfundojë masterin e saj në të Drejtën Ndërkombëtare në ANU dhe të vazhdojë të përmirësojë aftësitë në gjuhën franceze.

Përktheu: Jonilda Zaimaj

Submit a comment