Ministri i Jashtëm grek:BE, duhet ta mbajë derën hapur për Turqinë

Nga Jacopo Barigazzi “Politico.eu”

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Jorgos Katrugalos, dëshiron që Brukseli ta mbajë derën e hapur, për anëtarësimin e Turqisë në union. Në një intervistë për “Politico”, ai thotë se beson ende se e ardhmja e Turqisë është në Bashkimin Evropian, pavarësisht problemeve të vjetra mes 2 vendeve.

“Ne jemi ndër vendet e pakta evropiane, që besojmë ende tek ky proces”- tha Katrugalos, duke iu referuar çështjes së pranimit të Turqisë. Por ai shtoi:”Ata duhet më së pari të respektojnë detyrimet e tyre, duke respektuar jo vetëm ligjin ndërkombëtar, por edhe sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut”.

Çështja e pranimit të Turqisë në BE, ka qenë që në fillim e debatueshme për shtetet anëtare të BE, por është bërë edhe më e diskutueshme vitet e fundit, ndërsa presidenti Rexhep Tajip Erdogan ka konsoliduar pozitat e tij në vend.

Disa vende, të tilla si Austria, thonë se BE-ja duhet të ndalë menjëherë bisedimet e anëtarësimit. Kjo është një kërkesë e bërë edhe nga Manfred Veber, kandidati kryesor për presidentin e Komisionit Eropian nga Partia Popullore Evropiane (PPE), që parashikohet të mbetet blloku evropian më i madh në PE, në zgjedhjet evropiane të këtij muaji.

Thirrjet për t’i dhënë fund ose për të ngrirë bisedimet, janë shtuar më shumë që nga viti 2016, kur Erdogani reagoi me ashpërsi ndaj tentativës së një grushti shteti të dështuar në vend. Veber është shprehur në mënyrë të përsëritur se si president i Komisionit Evropian, ai do të anulojë negociatat, duke deklaruar në një tubim të konservatorëve bavarezë në mars:”Nëse bëhem president i Komisionit, atëherë unë do të udhëzoj Brukselin, t’i japë fund bisedimeve me Turqinë mbi anëtarësimin”.

Megjithatë kjo nuk është kaq e lehtë, sikurse e nënvizon edhe pohimi i Katrugalos për mbështetjen e Greqisë për negociatat. Ndërprerja e procesit të pranimit të Turqisë, do të kërkonte miratimin unanim të të gjitha shteteve anëtare të BE-së – dhe një numër vendesh si Greqia, Bullgaria dhe Qiproja, e mbështesin ëndrrën evropiane të fqinjit të tyre, me kushtin që Ankaraja të përmbushë të gjitha kushtet e nevojshme për t’u bashkuar.

Në Greqi, anulimi i bisedimeve të pranimit nuk mbështetet as  nga Demokracia e Re, partia kryesore opozitare që është pjesë e PPE së Veberit. Por perspektivat e anëtarësimit të Turqisë, mbeten të zbehta. Bisedimet e pranimit janë zvarritur prej shumë kohësh, edhe pse kanë nisur zyrtarisht në vitin 2005, dhe çdo përparim ka ndodhur me një ritëm të ngalatë. Nga 35 kapitujt e negociatave, vetëm 1 ka përfunduar; dhe shumë të tjerë nuk janë çelur ende.

Ndërkohë shefi i diplomcisë greke, i kërkoi BE-së të ecë përpara me hapjen e bisedimeve të pranimit për vendet e Ballkanit. Më parë gjatë këtij viti, u nënshkrua një marrëveshje historike mes Athinës dhe Shkupit, që i dha fund një mosmarrëveshje 28-vjeçare mbi emrin, duke e ri-emëruar Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë si Maqedonia e Veriut, dhe duke i hapur rrugën anëtarësimit të kësja në fundit në NATO dhe ndoshta edhe në BE.

Në fund të qershorit, BE pritet të njoftojë nëse do të nisë negociatat me Maqedoninë e Veriut. Është shumë e sigurtë se çfarë do të vendoset:disa shtete anëtare, si Franca dhe Holanda, janë kundër zgjerimit.

Por Katrugalos i bëri thirrje Brukselit t’i çelë negociatat me Maqedoninë e Veriut, duke thënë:”Nëse Bashkimi Europian nuk e dërgon këtë mesazh në qershor, ky do të ishte një dështim i plotë i strategjisë së saj për të imponuar rregulla parimore në Ballkan, dhe për të krijuar një atmosferë shprese për vendet kandidate”.

Ai shtoi se Shkupi ka “përmbushur praktikisht të gjitha reformat” që i janë kërkuar. “Për ne pranimi i Maqedonisë së Veriut, është një çështje vendimtare” – theksoi shefi i diplomacisë greke. Në muajin qershor, ka mundësi që BE të marrë një vendim lidhur me pranimin e Shqipërisë, edhe pse diplomatët thonë se presin që negociatat të çelen vetëm për Maqedoninë e Veriut.

“Nëse Shqipëria është e gatshme, edhe ajo duhet të nisë negociatat e pranimit bord, por nuk ka dyshime për Maqedoninë e Veriut”- tha Katrugalos. Ballkani është në qendër të vëmendjes, dhe për rolin e Kinës në rajon, duke pasur parasysh qëndrimin më agresiv të BE-së ndaj Pekinit muajt e fundit.

Komisioneri i Zgjerimit të BE, Johanes Han, ka deklaruar  kohët e fundit se blloku duket se e ka “mbivlerësuar Rusinë dhe ka nënvlerësuar Kinën” në Ballkan. Edhe në Greqi, Pekini ka zgjeruar ndikimin e tij. Gjatë krizës së borxheve, Athina ia shiti portin kryesor të vendit, atë të Pireut, një kompanie kineze. Por Katrugalos largon çdo shqetësim lidhur me këtë çështje:

”Përvoja jonë me Kinën, është se ka mundësi të kemi një përafrim të interesave:interesat tona kombëtare, interesat evropiane të BE-së dhe interesave kineze. Por investimet kineze në Greqi janë shumë të ulëta, krahasuar me totalin në Evropë. Ato janë rreth 1.9 miliardë euro, krahasuar me rreth 6 miliardë në Portugali” – theksoi Katrugalos.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment