Metoda e re e sulmeve, ISIS djeg mijëra hektarë drithëra në Siri dhe Irak

Nga Liz Sly “The Washington Post”

2019-ta duhej të ishte viti kur fermerët e Sirisë Lindore dhe Irakut, do të merrnin frytet e të korrave. Për herë të parë në një dekadë, as lufta, dhe as thatësia nuk kishin ndërhyrë, për të penguar atë që premtonte të ishte një sezon i bollshëm.

Fushat me grurë, binin në sy nëpër territoret e mëdha që dikur ishin shkatërruar nga luftëtarët militantë, zona më pjellore e rajonit që në shekujt e kaluar ka shërbyer si “hambari” i botës së lashtë.

Pastaj erdhën zjarret misterioze, për të cilat bëhet përgjegjës ISIS, por që edhe nga ana e tij e ka pretenduar autorësinë e ngjarjeve të tilla, por ndoshta jo tërësisht vepër e militantëve radikalë. Që nga fillimi i muajit maj, dhjetëra mijëra hektarë tokë bujqësore të mbjella janë shkrumbuar, nëpër një hapësirë ​​të gjerë që shtrihet nga kufiri iranian në Lindje, deri në afërsi të bregut mesdhetar në Perëndim.

Shenjat e djegieve, janë të dukshme që nga satelitët në hapësirë. Humbja e të ardhurave për fermerët, që kanë vuajtur për vite me rradhë pasigurinë dhe zhvendosjen nga banesat e tyre, paralajmëron një mjerim të ri për ta, por dhe konflikte potencialisht të reja në komunitetet, që kishin shpresuar se fundi i luftës ishte i afërt.

“E gjithë familja, 24 vetë, po priste të vilte të korrat, por ato janë zhdukur tani”- tha Muhamed Abaz Al-Jahjag, një fermer arab 75-vjeçar në fshatin Tal Abtakh, pranë qytetit sirian Tal Hamis, që kishte humbur të gjitha të korrat e tij në një zjarr të rënë një ditë më parë.

“Kishte 10 vjet që nuk kishim pasur të korra kaq të bollshme, dhe tani nuk kemi asgjë”- shtoi ai. Këto zjarre, shërbejnë si një kujtesë se Shteti Islamik ka aftësinë të shkaktojë sërish kaos, duke shfrytëzuar ankesat dhe mosmarrëveshjet e pazgjidhura, që kontribuan dikur në lindjen e ISIS, dhe që mund ta ndihmojnë të ngrihet sërish.

ISIS, pohoi përgjegjësinë për zjarret më të hershme, dhe u kërkoi ndjekësve të tij që të shkaktojnë zjarre të tjera. “Sezoni i të korrave, është ende i gjatë, dhe ne u themi ushtarëve të Kalifatit:keni para jush mijëra hektarë tokë të mbjella me grurë dhe elb, të cilat janë pronë e tradhtarëve të fesë sonë”- thuhet në deklaratën e botuar nga Al-Naba.

Pas kësaj thirrje, pasuan qindra e mijëra zjarre. Deri tani në Siri janë djegur 20.000 hektarë grurë dhe elb, ndërsa në Irak, zjarri janë shkrumbuar 134.000 hektarë tokë, prej të cilave 20.000 hektarë të mbjella me drithëra, sipas shifrave zyrtare nga autoritetet e secilit vend.

Shumica e zjarreve të rëna, janë thuajse me siguri vepër e Shtetit Islamik, në përputhje me strategjinë e “tokës së djegur”, që grupi ka adoptuar që kur filloi të humbiste territorin, thotë Peter Shvarcshtajn, bashkëpunëtor në Qendrën për Klimën dhe Sigurinë.

“Zjarret janë një mjet për t’i mbajtur fshatrat në kaos, dhe kësisoj për ta pasur më të lehtë për t’i rivënë ato nën kontroll. Arsyetimi është:Nëse këtë tokë nuk mund ta kemi ne, atëherë s’do ta ketë askush tjetër!”- shprehet ai.

Megithatë pak njerëz besojnë se ISIS është realisht përgjegjës për të gjitha zjarret. Si në Siri ashtu edhe në Irak, zonat ku kanë rënë zjarret, kanë ndryshuar shumë herë duar në dekadat e fundit, duke shkaktuar mosmarrëveshje mbi pronësinë e tokave, të cilat janë të vështira për t’u zgjidhur.

Pretendimet se zjarret janë vendosur nga Shtetit Islamik, i siguron mbulim cilitdo që dëshiron hakmarrje, apo që synon t’i mohojë rivalëve përdorimin e tokës. Disfata ushtarake e ISIS, nuk ka sjellë asnjë zgjidhje politike për pyetjen kryesore, se kush duhet t’i qeverisë këto zona të kontestuara.

Arabët dhe kurdët, kanë akuzuar njëri-tjetrin për këto zjarre, si në Siri ashtu edhe në Irak. Disa zjarre në Irak, janë vendosur në fusha që janë larg konflikteve tradicionale arabo-kurde. Kjo ka nxitur akuzat se pas tyre qëndron Irani, në një përpjekje për ta detyruar Irakun të blejë grurin iranian. Në Siri, dyshimet bien mbi një politikë e re në verilindje nga administrata e vetë-shpallur kurde, dhe e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, për të parandaluar shitjen e grurit në zonat që kontrollohen nga qeveria siriane e Asadit.

“Ne nuk mund të themi se regjimi dhe ISIS po bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, por ata ndajnë të njëjtin interes në mos-suksesin e kësaj administrate”-thotë Salman Barudo, drejtues i komitetit bujqësor të administratës kurde.

Disa figura opozitare siriane, kanë fajësuar kurdët sirianë për djegien e të mbjellave, duke pretenduar se ata po synojnë të ndëshkojnë arabët që mbështesin ose Shtetin Islamik, ose dikur armiqtë rebelë të kurdëve.

Fajtori më i mundshëm në Siri, është ISIS edhe pse mund të ketë edhe shpjegime të tjera, mendon Nikolas Heras, ekspert mbi rajonin në Qendrën për think-tankun “Neë American Security”.

“Në këtë moment, është logjike të mendohet se djegia e fushave me grurë, po përdoret nga ISIS, si një taktikë për të ndëshkuar armiqtë e tij”- thotë ai. Por të paktën disa nga zjarret, mund të jenë shkaktuar nga temperaturat jashtëzakonisht të larta. E sigurt, është se zjarret sapo i kanë varfëruar fermerët, që kanë humbur tërësisht të korrat e tyre.

Përktheu:Alket Goce

 

Submit a comment