Mesazhi, që NATO dha me anëtarësimin e Maqedonisë Veriore në aleancë

Nga Steven Erlanger dhe Rick Gladstone “The New York Times”

Bruksel- Vendi i vogël evropian, i njohur tanimë si Republika e Maqedonisë Veriore, mund të mos duket si një kontribut shtesë i rëndësishëm në NATO. Por ky akt, mbylli një hendek tjetër, në atë që dikur ishte “oborri” i ish-Bashkimit Sovjetik, dhe vjen pikërisht në një kohë kur po rriten tensionet Lindje-Perëndim.

Anëtarësimi i Maqedonisë Veriore, do të thotë gjithashtu se NATO do të ketë së shpejti 30 anëtarë, që të gjithë të angazhuar në mbrojtjen e tyre kolektive. Ky është dyfishi i numrit të anëtarëve të NATO-s që nga viti 1991, kur shumë ekspertë menduan se me shembjen e Bashkimit Sovjetik dhe Traktatit të Varshavës, aleanca do të shpërbëhej

Të mërkurën, në një ceremoni në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel, vendet anëtare nënshkruan zyrtarisht pranimin e Maqedoninë e Veriut, që do të bëhet anëtare me të drejta të plota deri në fund të këtij viti.

Analistët politikë, thanë se kjo lëvizje do të përbëjë një pengesë për presidentin rus Vladimir Putin, i cili e sheh NATO-n si një forcë ushtarake ekspansioniste, në prag të kufijve të vendit të tij.

Putin, ka argumentuar për shumë vite se NATO-ja nuk është më e nevojshme, sepse siç thotë ai, Rusia nuk përbën më kërcënim. Por me Rusinë, që po punon haptazi për të rivendosur ndikimin e saj në sferën ish-sovjetike, sidomos në vitin 2014 me aneksimin e Krimesë dhe luftën në vazhdim në Ukrainën Lindore, NATO mbetet një klub tërheqës për kombe të vogla si Maqedonia Veriore.

“Një nga shpresat kryesore të Putinit, ka qenë që NATO të shpërbëhet ose të përçahet”- thotë Stefën J.Flanagan, politolog në think-tankun “RAND Corporation” me seli në Uashington. “Anëtarësimi i Maqedonisë Veriore, e dëmton narrativën ruse”- shton ai.

Për disa përkrahës të NATO-s, më shqetësues është fakti që presidenti amerikan Donald Trump është ankuar zëshëm, se vendet e tjera anëtare nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen. Ai e ka cilësuar aleancën si “të vjetëruar”, dhe madje ka kërcënuar ta tërheqë SHBA-në nga NATO.

Trump, është ndërkohë i shqetësuar se vendet e vogla të NATO-s që ndodhen në rajone problematike, mund t’i tërheqin edhe Shtetet e Bashkuara në luftë, bazuar në nenin e sigurisë kolektive të aleancës të njohur si Neni V:një sulm kundër njërit prej anëtarëve, është një sulm kundër të gjithëve.

Në korrikun e vitit 2018, Trump tha se anëtari i 29-të i NATO-s, Mali i Zi, një vend me 600 mijë banorë, të cilit ai i e përshkroi si “shumë agresivë”, mund të fillonte Luftën e Tretë Botërore. Pikëpamjet e tij, ngritën pikëpyetjen, nëse ai ishte i angazhuar për t’i ardhur në ndihmë një shteti tjetër anëtar të NATO-s, në rast se ai do të sulmohej.

Torrej Taussig, bashkëpunëtore në Institutin Brookings, thotë se ndonëse administrata Trump ka dhënë një mbështetje të fortë diplomatike për rrugën e maqedonasve drejt NATO-s, dyshimet rreth angazhimit të presidenti Trump ndaj Nenit V, nuk janë zhdukur.

“Kur ky nen thelbësor mbi parandalimim, vihet në pikëpyetje, çdo siguri e shteteve anëtare të NATO-s vihet në pikëpyetje, pavarësisht nëse NATO ka 10, 30 ose 50 anëtarë”- thptë ajo. Kei Bejli Hatçison, ambasadore e SHBA-së në NATO, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara “mbështesin fuqimisht” anëtarësimin në alencë të Maqedoninë Veriore dhe 2.1 milionë banorëve të saj.

Përveç kësaj, Kongresi dhe Pentagoni, mbeten të përkushtuar ndaj një aleance, të cilës mbështetësit ia kanë njohur për shumë kohë meritën e ruatjes së paqes në Evropë, dhe pengimin e depërtimit të Moskës për 7 dekadat e fundit.

Vetëm muajin e kaluar, Kongresi miratoi një nismë dypartiake, me një votim 357 pro dhe 22 kundër, për të ndaluar administratën Trump të përdorë fondet federale, për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga NATO, dhe duke e kritikuar presidentin për sulmet e tij të shpeshta kundër aleancës.

Përpjekjet e Rusisë, për të nxitur përçarje në aleancë, kanë qenë të dukshme në Ballkan, ku Moska ka promovuar ndikimin e saj në ish-Jugosllavi, pjesë e të cilës kanë qenë dikur edhe dy anëtarët më të rinj të NATO-s.

Rusia është akuzuar për përpjekjen për të rrëzuar qeverinë e Malit të Zi në tetorin e vitit 2016, në një tentativë të fundit për të penguar hyrjen e vendit në NATO. Në gushtin e vitit të shkuar, Greqia akuzoi Rusinë për ndërhyrje në punët e brendshme, para një votimi të rëndësishëm në parlamentin grek për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, që do t’i hapte rrugën pranimin të kësaj në NATO.

Greqia, vend që historikisht ka patur marrëdhënie të përzemërta me Rusinë, për shkak të besimit të përbashkët fetar, dëboi 4 diplomatë rusë. Pavarësisht këtyre pengesave, Rusia vazhdon të ushtrojë ndikim të rëndësishëm në Serbi, ku Putin sapo zhvilloi një vizitë shtetërore, dhe ku Rusia ka interesa të mëdha në infrastrukturë.

Mosmarrëveshja e vazhdueshme midis Serbisë dhe ish-krahinës së saj, Kosovës, të cilën Serbia dhe Rusia refuzojnë ta njohin si shtet të pavarur, e kanë penguar Kosovën të aplikojë për t’iu bashkuar NATO-s.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë Veriore, Nikola Dimitrov, tha se anëtarësimi në NATO do ta vendoste vendin në “një zonë stabiliteti në një rajon që ende ka zona të pasigurta”. Në prillin e këtij viti, kremtohet 70-vjetori i aleancës, që normalisht festohet në një takim të nivelit të lartë të të gjithë liderëve të NATO-s në Uashington. Por këtë vit nuk do të ketë një mbledhje të tillë në Uashington, por një takim në nivelin e ministrave të jashtëm.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment