“Mëkatet” kibernetike të Asanzh, janë qesharake krahasuar me ato të kompanive të mëdha të teknologjisë

Nga Simon Jenkins “The Guardian”

Arrestimi i Julian Asanzh nga ambasada e Ekuadorit në Londër, është një ironi e çuditshme. Ai e shihte veten si një luftëtar për të vërtetën në “parajsën e pafundme” të internetit, ku njerëzit mund të kenë vetë rregullat e tyre.

Tani ai e gjen veten në një situatë delikate, në nevojë për një strehë të sigurtë, një gjykatës miqësor dhe mbrojtje ligjore. Asanzh kërkoi strehim në ambasadën ekuadoriane në vitin 2012. Ai iu shmang qeverisë amerikane, që synonte të hakmarrej për publikimin e 1 milionë kabllogramëve të saj sekrete, por edhe një urdhër-arresti në Suedi, për një dhunim të dyshuar seksual.

Dy vjet më parë, suedezët anuluan e urdhrin, dhe pezulluan hetimin e çështjes, ndërsa ndryshimi i regjimit në Ekuador, çoi në negociata për dëbimin e tij nga ambasada. Topi ndodhet tani në fushën e qeverisë britanike. Uashingtoni i qëndron akuzave për Asanzh, dhe kërkon ekstradimin e tij. Britania është e prirur të pajtohet me këto kërkesa.

Nëse Asanzh do t’i nënshtrohet një “gjykimi të drejtë”, kjo është e diskutueshme. Në sytë e Britanisë, mëkati i tij mund të shihet si eksplorimi i skutave ”brigjeve më të egra” të gazetarisë, duke publikuar sekretet që Uashingtoni nuk kishte arritur t’i mbronte.

Përveç kësaj, ai ka qenë prej 7 vitesh në një burg virtual. Largimi i shpejtë në vendin e tij, Australi, do të ishte mënyra më e thjeshtë. Ndër informatorët e para të Wikileaks ishte Eduard Snouden, që cilësohet nga shumë njerëz si hero.

Ai ishte një nëpunës i përkushtuar, mjaft konservator, që zbuloi se Kongresi po mashtrohej në mënyrë sistematike nga eprorët e tij në Agjencinë Kombëtare të Sigurisë (NSA). Ata po e përdorin internetin për të ndërhyrë në komunikimet personale, shpesh në bashkëpunim me korporatat private.

Ai ka vënë në rrezik jetën e vet për kauzën e lirisë, dhe po paguan një çmim të madh për të. Ndërkohë publikimi nga Asanzh i videove të siguria nga ushtari amerikan Çelsi Mening, ishin tronditëse. Ato tregonin avionët amerikanë që bombardonin dhe vrisnin njerëz në Irak, dhe si të tilla ato kryen një shërbim publik.

Por, vendimi i WikiLeaks, pas një periudhe bashkëpunimi me partnerët e saj të mediave, përfshirë “The Guardian”, për të publikuar arkivin e saj të plotë të kabllogramave diplomatike, u kritikua gjerësisht.

Sot, përvojat e Snouden dhe Asanzh flasin shumë, për mungesën e rregullave për të frenuar anarkinë në internet. Burime të mëdha shtetërore, janë angazhuar për të njëjtin mision që Asanzh po e kryente në mënyrë të pavarur. Krahasuar me aktivitetet e dyshuara kibernetike të qeverive kineze dhe ruse, ato të Asanzh janë si lojëra fëmijësh.

Asanzh e sheh atë që bëri WikiLeaks 10 vjet më pare, si pararoja e një epoke të re të vetëdijes demokratike. Ai deshi që t’i bënte qeveritë llogaridhqënëse, para qytetatëve të tyre. Po ashtu, mediat e hershme sociale u promovuan si “shteti i mirëqenies” së epokës së informacionit.

Kjo do t’u mundësonte njerëzve të zakonshëm, pjesëmarrjen falas në fshatin global. Ne të gjithë do të jemi ligjvënës të njerëzimit. Kjo ishte e çuditshme atëherë, dhe është e rrezikshme tani. Qeveritë duhet të kenë sekrete, dhe ato kanë të drejtë t’i mbrojnë ato sa më mirë që të munden. Por edhe publiku ka nevojë për siguri, që sekretet e tij dhe ato të fëmijëve, të mos abuzohen nga të tjerët. Ne jemi vite dritë larg, nga një regjim global i përshtatshëm për të qeverisur internetin.

Kjo duhet bërë sa më parë. Nuk është Asanzh apo edhe NSA-ja amerikane, ata që përbëjnë kërcënim për lirinë. Janë korporatat më të fuqishme në botë. A do të guxonte ndonjëherë Uashingtoni, të kërkonte arrestimin e drejtuesve të “Silicon Valley”? Shfaqja e Mark Zukerbergut, para një komiteti kongresional, nuk është një llogaridhënie ndaj botës.

Gjetja e një ekuilibri, midis një debatit të informuar nga njëra anë dhe ndërhyrjes, shantazhit dhe shtrembërimit, nga ana tjetër nuk do të jetë e lehtë. Por kërkimi i këtij ekuilibri, është mëse emergjent.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment