Mateo Salvini:Politikani i paprekshëm i Italisë

Nga Rachel Donadio “The Atlantic”

Skandali i bërë publik nga “BuzzFeed News” ishte i madh:regjistrime audio, në të cilat një njeri i afërt i Mateo Salvinit, ministrit të Brendshëm italian dhe politikanit më të fuqishëm në vend, dëgjohet duke negociuar një marrëveshje komplekse në fushën energjitike me bashkëbiseduesit e tij ruse, që do të financonin partinë e Salvinit në fushatën për zgjedhjet e Parlamentit Europian.

“Evropa e re duhet të jetë e afërt me Rusinë si dikur, pasi ne duam të kemi sërish sovranitetin tonë”- shprehet në atë përgjim njeriu i Salvinit. Në fakt nuk ka prova që kjo marrëveshje, e cila do të kishte shkelur ligjin italian të financimit të fushatave politike, të jetë nënshkruar.

Por nuk është ky thelbi. Biseda e përgjuar, tregonte në mënyrë të pakundërshtueshme ndikimin e qartë të Moskës mbi politikën evropiane, dhe ngre pikëpyetje rreth marrëdhënieve të errëta të biznesit mes rusëve dhe partisë Lega të Salvinit.

As Salvini dhe as bashkëpunëtori i tij, nuk iu përgjigjën pyetjeve nga “BuzzFeed” apo “L’Espresso”, por Salvini që ka shprehur hapur admirimin e tij të madh për Vladimir Putinin, është shprehur se partia e tij nuk ka marrë kurrë “rubla” nga Rusia.

Bashkëpunëtori e tij, e minimizoi atë bisedë në reagimin e tij për mediat italiane, duke shtuar se ai nuk kishte bërë asgjë të paligjshme, dhe se gjithsesi në fund financimi nuk kishte ndodhur. Ai la të kuptohet se përgjimi i dalë në media, mund të jetë rezultat i një lufte për pushtet midis agjencive të spiunazhit, duke vënë në dukje se ai u publikua vetëm shfaq një javë pasi presidenti rus Putin vizitoi Romën.

Në një moment tjetër, akuza të tilla të rënda mund të kishin rrëzuar qeverinë, siç ndodhi kohët e fundit në Austri. Por në Itali, ato nuk provokuan asgjë të tillë. Raporti i “BuzzFeed”, mund të dobësojë pozitat e Salvinit në një peiriudhë afatgjatë.

Por në një periudhë afatshkurtër, ai mund të forcojë aktualisht qeverinë aktuale – një koalicion i sforcuar i Legës dhe lëvizjes anti-establishment Pesë Yjet – duke vonuar mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, dhe forcuar pozitat e Salvinit.

Në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në muajin maj, të cilat janë një matës i “humorit” të votuesve, Lega e Salvinit i dyfishoi votat e saj krahasuar me zgjedhjet parlamentare të marsit 2018, ndërsa partneri i tij në koalicion Lëvizja Pesë Yjet, pësoi rënie të ndjeshme.

Kjo çeli perspektivën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat Lega mund t’i fitonte me një shumicë të mjaftueshme, për të qeverisur e vetme. Por pas skandalit të publikuar nga “BuzzFeed”, dhe me ekonominë italiane në krizë, që parashikohet të ketë normën më të ulët të rritjes këtë vit në Bashkimin Evropian, nuk është më në interesin e menjëhershëm të Salvinit që të rrëzojë qeverinë aktuale, me shpresën e sigurimit të shumicës në një palë zgjedhje të reja.

Përkundrazi, ai u rikthye postimeve të tij në mediat sociale, të cilat janë shndërruar në një mekanizëm të fuqishëm të qeverisjes, dhe një mënyrë shumë më efikase për të qenë i lidhur me votuesit. Salvini kreu një manovër klasike:Kur ndodhesh në telashe, bëj viktimën!

Të enjten, Salvini shprehu në rrjetet sociale shqetësim për qentë e rrugës, teksa qeveria mbyllin një nga qendrat për ta, për ta përshtatur për akomodimin e azilkërkuesve. Ai tha se qentë duhet të adoptohen, dhenë përgjithësi ka treguar më shumë dhembshuri ndaj qenve, sesa për emigrantët azilkërkues.

Më pas ai postoi në Facebook një video 18 minutëshe, në të cilën sulmoi raportin investigativ të “BuzzFeed”, duke e lidhur abuzivisht me dërgimin e një zarfi me një plumb brenda në formë kërcënimi drejtuar “Duçe Salvinit”, një term që dikur përdorej për liderin fashist Benito Musolini.

“Të zgjohesh me një plumb që të kërcënon jetën, nuk është mënyra më e mirë për ta nisur ditën”- tha Salvini. Ai e përmendi këtë ngjarje edhe në fjalën që mbajti para senatit të enjten, gjatë një debati të fortë në lidhje me emigracionin.

Dhe në rolin e viktimës që ai luan, ka disa aleatë. Kryetarja e e Senatit italian, Maria Kazelati, e partisë Forza Italia të ish kryeministrit Silvio Berluskoni, e hodhi poshtë raportin si një “thashethem gazetaresk”. Megjithatë, Salvini ka edhe kritikë.

Opozita e qendrës së majtë, dhe dy ish-kryeministra të qendrës së majtë, kanë bërë thirrje për një hetim parlamentar mbi raportin e “BuzzFeed’. Prokuroria e Milanos, tha se ka hapur një hetim mbi pretendimet e raportuara nga “BuzzFeed”, si dhe ato në një investigim të mëhershëm të “L’Espresso”.

Dhe këtu kemi një moment dezha vyje. Nëse epoka e Berluskonit na ka mësuar diçka, qytetarët nuk fiksohen shumë pas fakteve konfuze, detajeve dhe sagave juridike. Ata kanë më shumë prirjen të ruajnë besnikërinë e tyre partiake.

Berluskoni, që për një kohë të gjatë ishte gjithashtu i paprekshëm, sulmoi për vite me rradhë gjykatësit, dhe pretendonte se proceset gjyqqësore ndaj tij ishin një gjueti shtrigash. Salvini po sillet njëlloj, dhe e bën këtë si një anëtar i pakicës në një qeveri koalicioni, ku ai ka të gjithë pushtetin, pa pasur asnjë përgjegjësi.

Nëse keni qenë më herët me Salvinin, do të jeni ndoshta sërish me të, pavarësisht se bashkëpunëtorët e tij, ishin tetorin e vitit të kaluar në hotelin Metropol të Moskës, për marrëveshje të dyshimta. Nëse keni qenë kundër tij, motivet tuaja do të vazhdojnë të shtohen. Dhe ai do të vazhdojë t’i shtojë ato, duke huazuar një moto të Musolinit:” Sa më shumë armiq, aq më shumë i nderuar!”.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment