Marrëdhëniet Francë-Itali, në pikën më të ulët që nga Lufta e Dytë Botërore

“The Telegraph”

Franca ka thirrur ambasadorin e saj në Itali, për t’i thënë se marrëdhëniet me Romën, janë në pikën më të ulët “që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”, pasi zëvendëskryeministri i Italisë u takua me protestuesit e “Jelekëve të Verdhë”.

“Për disa muaj, Franca ka qenë subjekt i akuzave të përsëritura, sulmeve të pabazuara dhe pretendimeve të çuditshme”- u shprehu ministria e Jashtme e Francës në një deklaratë zyrtare, duke shtuar se ambasadori i saj ishte kthyer në shtëpi për “konsultime”.

Ky është deri më tani zhvillimi më dramatik, në mosmarrëveshjen e vazhdueshme muajt e fundit midis Parisit dhe Romës, që nga krijimi i një koalicioni qeveritar mes Lëvizjes Pesë Yjet dhe Lidhjes të së djathtës ekstreme, në qershorin e vitit të kaluar.

Këta të fundit, e kanë shigjetuar administratën Makron për disa muaj me rradhë, pas thirrjes së hapur të presidentit francez për të luftuar lëvizjet populiste në mesin e anëtarëve të BE-së, të cilat ai e krahasoi me sëmundjes e “lebrës”. Në fillim, Franca mbajti një qëndrim të moderuar, duke thënë se nuk do ta ulte veten të hynte në një “garë të marrësh”.

Por qasja qëndroi, kur zëvendëskryeministri i Italisë dhe kreu i Lëvizjes Pesë Yjet, Luigi Di Maio, u takua të martën me protestuesit antiqeveritarë të “Jelekëve të Verdhë” jashtë Parisit. Këta të fundit, e kanë paralizuar vendin me protestat e tyre që nga mesi i nëntorit të shkuar.

Ajo që nisi si një lëvizje kundër rritjes së taksave të karburantit, u zgjerua në një goditje më të gjerë kundër padrejtësisë së perceptuar nga politikat e zoti Makron, dhe sistemit presidencial nga lart-poshtë që ai përfaqëson.

Duke e vënë theksin tek synimi i tij për të bashkuar forcat në zgjedhjet e majit për në Parlamentin Europian, me “Jelekët e Verdhë, shumë prej të cilëve e urrejnë zotin Makron, Di Maio mburrej në Twitter se “era e ndryshimit ka kapërcyer Alpet”.

Më vonë, francezët i kujtuan diplomatin e tyre të lartë në Roma se “ndërhyrjet më të fundit, përbëjnë një provokim shtesë dhe të papranueshëm”. “Ato shkelin respektin ndaj zgjedhjeve demokratike, të zhvilluara nga një komb që është mik dhe aleat”.

Duke ndërmarrë një sulm edhe më të hapur ndaj Makron muajin e kaluar, zëvendëskryeministri tjetër italian Mateo Salvini tha:”Unë shpresoj se francezët, do të jenë në gjendje ta çlirojnë veten nga një president i tmerrshëm!”.

Grindja mes dy vendeve, ka nisur prejdisa muajsh. Koalicioni qeverisës në Romë, ka akuzuar në mënyrë të përsëritur Emanuel Makron, se ka dështuar të mbajë përgjegjësitë e tij mbi krizën e emigrantëve, dhe për  urdhrin që azilkërkuesit e futur në Francë, të kthehen mbrapsht në Itali.

Marrë me shkurtime

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment