Lufta globale ndaj terrorizmit ka dështuar, ja se si fitohet ajo

Nga Brahma Chelaney “Foreign Policy”

Sulmet në Sri Lanka të dielën e Pashkës, janë kujtesa më e fundit se terrorizmi nuk nxitet nga privimi ekonomik apo shpërfillja. Ashtu si sulmet e e vitit 2016 ndaj të huajve në Dhaka të Bangladeshit, masakrat në Sri Lanka u kryen nga të rinj të arsimuar nga familjet e pasura.

Një nga arsyet, se përse vazhdojnë të ndodhin sulme të tilla, është se lufta botërore e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër terrorizmit ka dështuar. Dhe kjo për shkak se ajo është fokusuar në eliminimin e terroristëve dhe rrjeteve të tyre, dhe jo në mposhtjen e ideologjisë xhihadiste ekstremiste, që frymëzon sulmet vetëvrasëse në mbarë botën.

Kur është fjala për terrorizmin radikal islamik, rrënjët ideologjike mund të gjurmohen më së shumti tek Vehabizmi, një formë ekstreme e islamit sunit. Vehabizmi e legjitimon xhihadin e dhunshëm, me thirrjen e tij për një luftë kundër “jobesimtarëve”.

E themeluar në shekullin XVIII-të nga kleriku Muhamed ibn Abd Al-Vehab, Vehabizmi mbeti një formë periferike e Islamit deri në fillimin e rritjes së ndjeshme të çmimeve të naftës në vitet 1970. Asokohe, Arabia Saudite shpenzoi 200 miliardë dollarë për financimin e medreseve (seminareve fetare), xhamive, klerikëve dhe librave vehabitë, për të promovuar formën e saj të islamit, dhe për të fituar një ndikim gjeopolitik.

Por eksportimi i kësaj ideologjie, u promovua edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj për të frenuar për shembull kërcënimin nga komunizmi sovjetik. CIA, sipas Robert F.Kenedi Xhunior (nipit të ish-presidentit amerikan Xhon Kenedi), e “ushqeu xhihadizmin e dhunshëm, si një armë të Luftës së Ftohtë”.

Gradualisht, Vehabizmi mënjanoi traditat islame të moderuara dhe më liberale në vendet jo-arabe, me komunitete të mëdha myslimane, dhe krijoi një mjedis toksik në të cilin mund të lulëzonte ekstremizmi.

Gradualisht, sponzorizimi i ekstremizmit, nxiti urrejtjen, mizorinë dhe dhunën, dhe kjo ka thelluar dallimet mes sunitëve dhe shiitëve. Nga ana tjetër kjo ndarje, e ka ngatërruar gjeopolitikën rajonale, dhe ka nxitur sulme anti-shiite në vendet kryesisht sunite si Arabia Saudite dhe Pakistani.

Në këto kushte, ka ardhur koha të riorientohet lufta globale kundër terrorizmit. Politika amerikane kundër terrorizmit, duhet të përqendrohet jo vetëm tek armiqtë si Shteti Islamik dhe Al Kaeda, por gjithashtu edhe ndaj disa atyere që promovojnë agjendën e xhihadit, dhe që bëjnë një sy qorr ndaj donatorëve në vendet e tyre, që financojnë militantizmin ekstremist islamik në mbarë botën.

Ndërkohë, duhet të marrë fund politizimi i lufta globale ndaj terrorizmit, në mënyrë që të nisë një sulm i përbashkët dhe i qëndrueshëm ndërkombëtar, mbi ideologjinë e rrezikshme të islamit radikal. E vetmja mënyrë për ta mposhtur një armik të nxitur nga një ideologji e dëmshme, është ta diskreditoni atë ideologji.

Perëndimi e fitoi Luftën e Ftohtë jo aq shumë me mjete ushtarake, se sa duke përhapur idetë e lirisë dhe kapitalizmit, duke iu përshtatur kësisoj dëshirës së përhapur popullore në lindje për një jetë më të mirë, dhe për shoqëri më të hapura.

Ndaj fokusi i luftës globale ndaj terrorizmit, duhet të zhvendoset në shkatërrimin e këtij lëvizje ideologjike. Një mënyrë për ta bërë këtë, është ndërmarrja e një fushate, të informuar për të diskredituar ideologjinë e islamit radikal.

Për shembull, nuk do të ishte e vështirë të talleshim dhe të mposhtnim konceptin e xhihadit, sipas të cilit një martir në parajsë do të gëzojë shoqërinë e 72 virgjëreshave. Ndërkohë, duhet të ketë sanksione ndëshkuese mbi financuesit e terrorizmit në Lindjen e Mesme.

Task Forca e Veprimit Financiar në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut duhet të zhvillojë mënyra më efektive, për të ndaluar financuesit e paligjshëm të terrorizmit nga shfrytëzimi i sistemeve financiare joformale.

Vetëm një reagim i fuqishëm – nga qeveritë dhe shoqëritë civile – ndaj kërcënimeve në rritje nga ideologjia ekstremiste, mund të ndihmojë në ndalimin e përhapjes së terrorizmit. Në këtë luftë, Shtetet e Bashkuara duhet të kenë lidershipin, dhe të ndihmojnë në rikthimin e luftës globale kundër terrorizmit.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment