Liria e medias në Ballkanin Perëndimor po përkeqësohet

Nga Majlinda Aliu “balcanicaucaso.org”

Prishtinë – Epoka dixhitale, e ka lehtësuar qasjen tek të dhënat dhe informacionet, dhe arritja e audiencës është bërë shumë më e lehtë dhe më e shpejtë se më parë. Por njëkohësisht, teknologjitë e reja po e sfidojnë gazetarinë profesionale me të ashtuquajturat “fake neës” (lajme të rreme), dhe jo vetëm.

Gazetarët që investigojnë krimin financiar dhe atë të organizuar, janë vënë në shënjestër jo vetëm të kriminelëve, por edhe të institucioneve shtetërore, veçanërisht në vendet ku sundimi i ligjit është i dobët.

Në Ballkan, gazetarët janë lënë të vetëm në luftën e tyre për lirinë e medias. Shumë shpesh, gjyqësori në vend se të bashkëpunojë me ta, e pengon punën e tyre. Gazetarët investigativë nga Ballkani Perëndimor, shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj sistemit të drejtësisë në vendet e tyre, në konferencën rajonale “Ndiqni paratë, gjeni krimin”, organizuar në Prishtinë më datën 7 qershor nga Instituti i Kosovës për Zhvillim Ekonomik.

Përvojat e tyre me gjyqtarët dhe prokurorët, janë shumë shpesh të pakëndshme. Burgu, është çmimi që duhet të paguajë një gazetar për të qenë i pavarur. Rasti i Jovo Martinoviç, një gazetar i pavarur nga Mali i Zi, është një nga shembujt më dramatikë të rajonit, se si politika mund të ndërhyjë në sistemin e drejtësisë, për t’i mbyllur gojën gazetarëve.

Martinoviç është i njohur për raportimin e tij mbi krimin e organizuar në Evropë, dhe krimet e luftës në Ballkan. Puna e tij për mediat ndërkombëtare kryesore si NPR, BBC, CBS, Canal Plus, Financial Times, Global Post etj, e ka bërë atë një objektiv të autoriteteve në vendin e tij.

Në tetorin e vitit 2015, autoritetet malazeze e arrestuan me akuzën e trafikut të drogës, dhe pjesëmarrjes në një organizatë kriminale, duke e burgosur për 14 muaj, pavarësisht nga dështimi i prokurorisë për t’i mbështetur akuzat në prova konkrete.

Kjo ngjarje, kishte lidhje me një investigim që po kryente Martinoviç. Në janar të këtij viti 2019, Gjykata e Lartë malazeze e dënoi me 18 muaj burg. Vendimi u kritikua nga mediat ndërkombëtare dhe rajonale, si dhe organizatat e të drejtave të njeriut. Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, tha se shpreson që vendimi të rrëzohet në procesin e ankimit. Duke folur në konferencë, Martinoviç ngriti shqetësime rreth përkeqësimit të lirisë së medias në Ballkan.

“Nuk është vetëm rasti im. Në përgjithësi gazetarët po përndiqen, pengohen dhe kërcënohen gjatë punës së tyre. E gjithë klima e medias në rajon po përkeqësohet, krahasuar me 10 vjet më parë, kur ende shpresonim se rajoni do përqafonte vlerat e BE, gjë që nuk kanë ndodhur”- tha ai.

Kjo u konfirmua edhe nga korrespondenti britanik i luftës, Entoni Lloid, i cili ka kaluar shumicën e karrierës së tij në zonat e luftës. Sipas tij, “kërcënimi më i madh për gazetarët është ai që vjen nga deligjitimimi në mediat sociale, që përmes lajmeve të rreme kultivojnë një mosbesim të përgjithshëm ndaj gazetarisë dhe gazetarëve”.

Gazetarët “kokëfortë” në Ballkanin Perëndimor, kanë qenë shpesh objektiva të fjalimit të urrejtjes online, dhe format e tjera të propagandës. Milka Tadiç-Mijoviç, një tjetër gazetare veterane nga Mali i Zi, foli gjerësisht për abuzimet e pushtetit shtetëror dhe korrupsionin e nivelit të lartë në vendin e saj.

Tetë vjet më parë, ajo dhe kolegët e saj u sulmuan me gati 100 artikuj shpifës nga e përditëshmja malazeze “Pobjeda”. Vetëm se fundmi, ajo arriti të fitojë në gjykatë. Një nga shqetësimet më të mëdha që gazetarët kanë në Ballkanin Perëndimor, është mosndëshkimi për sulmet ndaj tyre.

Gjatë 2 viteve të fundit, Linja e Ndihmës për Lirinë e Medias regjistroi 118 raste kërcënimesh, prej tyre 13 kërcënime të hapura me vdekje, dhe dhjetra forma të shkeljes së lirisë së shprehjes në Bosnje. Asnjë nga autorët e këtyre veprave penale, nuk është dënuar apo ndjekur penalisht.

Në Serbi, në vitin 2018 pati 22 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve. Në Maqedoninë e Veriut, siguria e gazetarëve është përmirësuar disi. Sipas Shoqatës së Gazetarëve atje, numri i sulmeve ndaj gazetarëve ka rënë nga 18 në 6 në vitin e kaluar, por vetëm 2 nga rastet e raportuara në polici janë zgjidhur.

Në Kosovë, numri i rasteve të raportuara ka rënë nga 25 në vitin 2017, në 10 në vitin 2018. Pavarësisht se të gjitha rastet janë raportuar në polici, vetëm disa raste janë çuar në gjykatë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, deklaroi në shkurt të këtij viti se ”media është bërë më pak e lirë vitet e fundit, janë shtuar kërcënimet ndaj gazetarëve dhe mediave, si dhe ka përpjekje për të kontrolluar mediat”.

Në vitin 2018, OKB raportoi për 99 gazetarë dhe punonjës të medias të vrarë, mbi 300 të tjerë në paraburgim, dhe 60 që ishin marrë peng. Sulmi ndaj një gazetari, është njëkohësisht një sulm ndaj lirisë së medias, dhe i privon qytetarët nga e drejta për t’u informuar, duke kërcënuar demokracinë në përgjithësi.

Përktheu:Alket Goce

 

Submit a comment