Lindja e Mesme, po shkon drejt një gare të armëve bërthamore

Nga James M. Dorsey “The Globalist”

Lindja e Mesme, po shkon drejt një gare të armëve bërthamore, dhe raketave balistike. Kjo garë, po ndihmohet dhe mbështetet nga një politikë amerikane skizofrenike që nga njëra anë, përqëndrohet tek Irani, dhe nga ana tjetër, e sheh kryesisht Arabinë Saudite si një treg fitimprurës për industrinë e mbrojtjes dhe atë bërthamore amerikane.

Gara nxitet më tej nga paaftësia apo mungesa e vullnetit të fuqive të tjera të mëdha – Evropa, Rusia dhe Kina – për t’iu kundërvënë sanksioneve të dëmshme të SHBA-së kundër Iranit, në mënyrë që Teherani të vazhdojë t’i përmbahet marrëveshjes së vitit 2015 mbi programin bërthamor iranian, pavarësisht tërheqjes së Uashingtonit vitin e kaluar.

Me Lindjen e Mesme në prag të një përballjeje ushtarake, Irani është zotuar të nisë shkeljen e marrëveshjes së 4 viteve më pare, në rast se bashkësia ndërkombëtare, dhe veçanërisht Evropa, nuk e mbron atë kundër sanksioneve amerikane.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Olli Heinonen, një kritik i fortë i sjelljes së Iranit, tha së fundmi gjatë një vizite në Izrael, se Irani do të ketë nevojë për 6-8 muaj kohë për të pasuruar uraniumin në sasinë dhe cilësinë e kërkuar, për të prodhuar një bombë bërthamore.

Vullneti i SHBA dhe Kinës, për të reduktuar vëmendjen ndaj ambicjeve bërthamore të Arabinë Saudite, ushqen më tej dyshimet iraniane në lidhje me vlerën e marrëveshjes bërthamore, dhe i hap potencialisht rrugë një gare të armëve bërthamore në Lindjen e Mesme.

Në një intervistë të gjatë për “NBC News”, Donald Trump shpalosi qasjen e tij ndaj Lindjes së Mesme. “Irani ka vrarë shumë, shumë njerëz. Për vendet e tjera në Lindjen e Mesme, ai është një vend armiqësor”- tha presidenti amerikan. I pyetur mbi shitjet e armëve tek sauditët, dhe tolerancën mbi programin bërthamor, Trump tha:”Jo, jo. Unë nuk jam një budalla që thotë:Ne nuk duam të bëjmë biznes me ta. Pasi nëse ata nuk bëjnë biznes me ne, do të bëjnë biznes me rusët ose me kinezët”.

Deri tani, Evropa është përpjekur pa sukses të krijojë një mekanizëm efektiv, që do t’i lejojë kompanitë evropiane dhe potencialisht jo-evropiane të bëjnë biznes me Iranin, duke anashkaluar sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara.

Teksa SHBA0ja po përgatiten të shpallë sanksione të reja ndaj Iranit, Rusia tha se do të ndihmojë Iranin me eksportet e naftës dhe në sektorin bankar, nëse mekanizmi evropian do të dështonte që ta siguronte këtë, edhe pse nuk dha detaje të mëtejshme.

Ndërsa kundërshtimi i sanksioneve amerikane, është një përparësi e menjëhershme e Iranit, lëvizjet Saudite, me ndihmën e administratës së Trump si dhe Kinës, ka gjasa të rrisin dyshimin e Teheranit mbi mungesën e vlerës së marrëveshjes bërthamore të 2005-ës.

Argumenti i Trumpit, se Rusia dhe Kina do të zëvendësonin SHBA-së si partnere tregtare, nëse Shtetet e Bashkuara refuzojnë t’i shesin armë dhe teknologji në Arabinë Saudite, nuk është tërësisht pa baza. Edhe pse kjo nuk e justifikon mungesën e masave mbrojtëse në sigurimin e teknologjisë bërthamore.

Për shembull, kur Shtetet e Bashkuara refuzuan të ndajnë teknologjinë e tyre më të avancuar, Kina ngriti në vitin 2017 në Arabi objektin e parë të industrisë së saj të mbrojtjes. Korporata Shtetërore Kineze e Shkencës dhe Teknologjisë (CASC) po prodhon atje raketa balistike CH-4 Caihong dhe dronë.

Imazhet satelitore të siguruara nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare në Midëllbëri, dhe të konfirmuara nga inteligjenca amerikane, tregojnë se Arabia Saudite e ka përshkallëzuar në mënyrë të konsiderueshme programin e raketave balistike, pikërisht me ndihmën e Kinës.

Ku program, bie ndesh me politikën amerikane, e cila është përpjekur prej dekadash të sigurojë epërsinë ushtarake ajrore të Arabisë Saudite në rajon, në mënyrë që të mos detyrohej të kërkonte të përmirësonte aftësitë e saj raketore.

Programi saudit që nisi në fundin e viteve 1980, me blerjet e para të fshehta të raketave nga Kina, sugjeron se mbretëria, e pasigurtë mbi besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara, po përpiqet të forcojë vetë sigurinë e saj. Zhvillimi i aftësisë për të prodhuar vetë raketa balistike, zvogëlon çdo lloj perspektive që Irani të bjerë dakord të kufizojë programin e tij të raketave, një kërkesë kjo themelore e paraqitur nga administrata Trump.

Në vitin 2017 Arabia Saudite nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Kinën mbi shfytëzimin e energjisë bërthamore, që përfshinte një studim fizibiliteti për ndërtimin e termocentraleve bërthamore në Arabinë Saudite. Marrëveshja përfshinte mirëmbajtjen dhe zhvillimin e centraleve bërthamore, si dhe sigurimin nga Kina të karburantit bërthamor. Arabia Saudite është sot afër ndërtimit të reaktorit të parë bërthamor në Instititutin e Mbretit Abdulaziz për Shkencë dhe Teknologji pranë Rijadit.

Edhe pse është nënshkruese e Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore (NPT), Arabia Saudite i ka injoruar thirrjet nga ana e IAEA, për të pranuar një regjim inspektimi, që do të siguronte që Arabia të mos ecë drejt zhvillimit të aftësive bërthamore ushtarake.

Kelsi Davenport, drejtorereshë e Organizatës së Kontrollit dhe Mospërhapjes së Armëve, thotë se ekzistojnë arsye të ligjshme që të dyshohet se Arabia Saudite po zhvillon aftësi teknike, që do ta lejojnë Riadin të nisë së shpejti prodhimin e armëve bërthamore.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment