Lidhjet me Rusinë, dënimi i Manafort shton presionin mbi Trump

Nga Stephen Collinson “CNN”

Do të ishte e vështirë të mendohej një ditë më e keqe për një president, sesa ajo në të cilën ish-drejtuesi i fushatës së tij elektorale, mëson se do të kalojë një pjesë të mirë të viteve që i kanë mbetur, pas hekurave të burgut.

Por dënimi i ri i Pol Manafort, ishte ndër shqetësimet më të vogla për Donald Trumpin të mërkurën, teksa makthi i tij mbi hetimin e ndërhyrjeve të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, mori një tjetër kthesë për keq.

Dyshimet e reja për sjelljet e papërshtatshme presidenciale nga ana e komisionit hetimor që është ngritur tashmë nga demokratët në Kongres, i  kanë dhënë një kthesë të re dramës që po ndodh në Uashingtonin, tashmë që pritet me shumë kurreshtje bërja publike e raportit përfundimtar të prokurorit të posaçëm, Robert Myler.

Pohimet e ish-prokurorit të përgjithshëm, Met Uajteker, në një takim të mbyllur kongresional, se ai kishte folur me presidentin Donald Trump rreth një çështje që përfshinte ish-avokatin e Trump, Majkëll Kohen, kanë shkaktuar shumë debate.

CNN, ka bërë publike zbulime të reja skandaloze, që përfshinin thëniet e Kohenit, se atij i ishte premtuar nga organi i akuzës falje, në këmbim të besnikërisë së tij ndaj presidentit Trump, në një bisedë në të cilën iu tha se mund të ishte i sigurt, se kishte “miq në nivelet e larta të drejtësisë”.

Këto fakte u bënë publike, pikërisht në ditën kur një gjykatës shtoi dënimin me burg të Manafort, ish-drejtuesit të fushatës elektorale të Trumpit, pasi u përfshi në hetimin e Mylerit. Manafort, përballet tanimë me një dënim total prej 7.5 vjet burg.

Për herë të dytë brenda javës, një nga avokatët mbrojtës të Manafort, doli nga një seancë dëgjimore dhe u duke se shtrembëroi fjalët e gjyqtarit në një mënyrë që ngriti dyshimet, se po mbronte pretendimet e Trumpit se nuk kishte “asnjë pazar” për faljen e klientit e tij.

Vetë Trump, bëri shumë pak për të frenuar spekulimet, se ai mund të ketë vepruar në atë mënyrë, duke thënë se i vinte “shumë keq” për Manafort, dhe duke bërë bërë pohimin vështirësisht të besueshëm, se nuk i ka shkuar ndonjëherë ndër mend të ndikonte mbi drejtësinë për të nxjerrë Manafort nga burgu, pas dënimit të tij për mashtrim dhe pengim të drejtësisë.

Dhe ashtu siç ndodh shpesh me hetimin mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e fundit presidenciale dhe rastet e lidhura me të, detajet më të rëndësishme mbeten të panjohura, dhe ekziston ndjesia se informacioni i disponueshëm për publikun, është vetëm maja e ajsbergut e asaj që mund të ketë ndodhur vërtet.

Zhvillimet e së mërkurës, nënvizuan edhe një herë rrezikun me të cilin përballet potencialisht presidenti Trump, nga hetimi i ri parlamentar që kanë ndërmarrë demokratët, tashmë që ata kanë edhe shumicën në Kongres. Zhvillimet e reja, mund të nxisin ndërkohë debatin nëse Myler ka më shumë punë për të bërë, pikërisht në momentin kur ai dukej se ishte pranë paraqitjes së raportit mbi hetimin e tij të shumëpritur.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment