Libi, luftime të ashpra në kryeqytetin Tripoli, mijëra njerëz braktisin shtëpitë

“Reuters”

Tripoli- Lufta dhe shpërthimet mbërritën sot në kryeqytetin e Libisë, ndërsa forcat lindore luftuan me trupat qeveritare të njohura ndërkombëtarisht në rrethinat jugore të Tripolit, duke detyruar mijëra civilë të braktisin shtëpitë e tyre.

Ushtria Kombëtare Libiane (LNA) e Kalifit Haftar, përparoi në qytetin bregdetar një javë më parë, në konfliktin e fundit të një cikli anarkik, që nga përmbysja e vitit 2011 e diktatorit libian Muamar Gadafi.

Por grupet e armatosura besnike ndaj kryeministrit Fajez Al-Serraj, kanë zbrapsur deri më tani sulmuesit, me luftime të ashpra rreth një ish-aeroporti, rreth 11 km nga qendra e kryeqytetit. Në një javë beteje janë vrarë 75 njerëz – kryesisht luftëtarë, por edhe 17 civilë – dhe janë plagosur 323 të tjerë, sipas të dhënave të fundit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë, rreth 9.500 persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Mbi 1.500 refugjatë dhe emigrantë, janë bllokuar në postblloqe, dhe rreziqet për jetën e tyre po rriten nga ora në orë, tha kreu i agjensisë për refugjatët në OKB-së.

“Këta njerëz, ndodhen në rrethanat më të rrezikshme të mundshme”- tha në një deklaratë Komisioneri i Lartë i OKB për Refugjatët Filipo Grandi, duke bërë thirrje për evakuim të tyre. “Ata duhet të nxirren prej andej. Thënë thjesht, kjo është çështje për jete a vdekje”.

Mësohet se avioni ushtarak që i përkiste forcave të Libisë Lindore, sulmoi një kamp ushtarak të një forcë aleate me qeverinë e njohur ndërkombëtarisht, pranë qytetit perëndimor të Zuvaras. Përveç kostos humanitare, konflikti kërcënon të ndalë furnizimet me naftë, dhe të rrisë emigrimin në të gjithë Mesdheun drejt Evropës.

Kalifi Haftar, 75 vjeç, një ish-gjeneral në ushtrinë e Gadafit, i cili më vonë u bashkua me revoltën kundër tij, nxori trupat e tij nga fortesa e tij lindore për të marrë jugun e pasur me naftë, në fillim të këtij viti, përpara se të fillonte në fillim të prillit një inkursion drejt Tripolit

Kombet e Bashkuara, kanë bërë thirrje për një armëpushim, thirrje që i janë bashkuar Shtetet e Bashkuara, G7 dhe Bashkimi Evropian. Libia është një pikë e rëndësishme tranziti për emigrantët që mësyjnë në Evropë gjatë viteve të fundit, kryesisht të trafikuar nga bandat e armatosura. Dhe kjo gjendje pritet të shtojë flukset e emigrantëve drejt Evropës.

A.G

Submit a comment