Kush është përgjegjës mbi luftëtarët e kapur të ISIS, dhe fëmijët e tyre të braktisur?

Nga Mustafa Fetouri “Middle East Monitor”

Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld, duke përshkruar luftën e tij të pafundme ndaj terrorit, tha në një rast:”Kemi nevojë për një fjalor të ri”. Po si do t’i etiketonte Ramsfeld, avokat i termit të paqartë dhe nganjëherë absurd të “luftëtarit armik”, luftëtarët e ISIS, gratë dhe fëmijët e tyre, të ndaluar aktualisht në Siri, Irak dhe Libi?

Vendet perëndimore, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Francën, nuk kanë qenë shumë të dobishme në dhënien e një përgjigje ndaj këtij problemi. Në fillim ata premtuan të mos pranonin rikthimin e asnjërit prej qytetarëve të tyre, që iu bashkuan Kalifatit të ISIS.

Ata madje iu drejtuan masave të ashpra, duke përfshirë heqjen e shtetësisë, dhe pezullimin e të drejtave të individëve dhe familjeve të tyre, sipas ligjeve të tyre përkatëse kombëtare. Adoleshentja britanike Shamima Begum, që shkoi në Siri dhe u martua me Jago Riedijk, një luftëtar holandez i ISIS, përfundoi në kampin e refugjatëve Al-Haul, dhe qeveria britanike ia hoqi nënshtetësinë, duke e detyruar familjen e saj të nisë një proces të komplikuar ligjor të apelimit kundër qeverisë, me pak shpresa për t’i dhënë fund së shpejti tragjedisë së saj.

Megjithatë, autoritetet britanike e panë më të lehtë t’i japin asaj ndihmë juridike, për të sfiduar vendimin e Ministrisë së Brendshme. Kjo politikë në dukje kontradiktore, vetëm sa e thekson mungesën e angazhimit nga ana e vendeve të koalicionit, për të siguruar kontekstin e duhur ligjor për luftën e tyre kundër ISIS tanimë të mposhtur.

Kjo pasqyron situatën e krijuar nga Donald Ramsfeld për Shtetet e Bashkuara, si pasojë e luftës së tij kundër terrorizmit, fillimisht në Afganistan dhe pastaj në mbarë botën. Përkufizimi i tij i gabuar i “luftëtarit armik”, do të thoshte që personat e kapur rob, përfshirë edhe ata gjatë operacioneve sekrete të paligjshme të CIA-s, përfunduan të gjithë në burgun famëkeq të Guantanamos, duke mos pasur asnjë të drejtë ligjore.

Dhjetëra “luftëtarë të armikut”, dhe njerëz të pafajshëm kaluan vite të tëra në atë burg, duke iu mohuar çdo proces i rregullt ligjor, çka nxiti kritika të ashpra ndaj SHBA-së nga grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Ligjet e ndryshme kombëtare në shumë vende perëndimore, garantojnë të drejtën për t’i hequr shtetësinë shtetasve të tyre mbi bazën e akuzave të ndryshme, duke përfshirë dhe atë të “mbështetjes së terrorizmit”.

Por ata nuk arritën të ofronin ndonjë alternativë për njerëz të tillë, duke i lënë ata pa asnjë shtetësi. Edhe Franca ka një ligj, që e lejon qeverinë t’i heqë secilit prej qytetarëve francezë në rrethana të caktuara, shtetësinë e tij. Por ky ligj është i zbatueshëm vetëm për individët me kombësi të dyfishtë, veçanërisht ndaj atyre që vijnë nga vendet e Afrikës së Veriut.

Kritikët e këtij ligji, e përshkruajnë atë si diskriminues, pasi zbatohet vetëm për shtetasit francezë kryesisht me origjinë emigrante. Megjithatë, ndryshe nga Britania e Madhe, Franca nuk u ofroi asnjë ndihmë juridike 4 prej shtetasve të saj, që u dënuan me vdekje në Irak majin e këtij viti.

Ndërkohë sa i përket fëmijëve të luftëtarëve të ISIS, situata është edhe më e zymtë. Meqë lufta kundër ISIS, po ndodh jashtë institucioneve të njohura ndërkombëtarë si Gjykata Penale Ndërkombëtare, është shumë e vështirë ta kuptojmë se çfarë është ligjore dhe çfarë jo.

Një artikull i 15 gushtit 2018, nxirrte në pah shqetësimin mbi fëmijët e vegjël që ndodhen në disa kampe në Libi. Ata janë fëmijë të luftëtarëve të vrarë apo të burgosur të ISIS. Shumica e tyre janë nga Egjipti dhe Tunizia, qeveritë e të cilëve refuzojnë t’i pranojnë ose janë shumë të ngadalë në riatdhesimin e këtyre fëmijëve të pafajshëm.

Që nga rënia e enklavës së fundit të ISIS në Baguz të Sirisë së Veriut, luftëtarët e kapur rob dhe familjet e tyre, janë grumbulluar në kampet e mjerueshme të refugjatëve të kontrolluara nga Forcat Demokratike Siriane (SDF) të mbështetura nga SHBA, duke e ndërlikuar më tej fatin e tyre. SDF nuk ka vetë ndonjë sistem ligjor, që të sigurojë procese të rregullta ligjore për gjykimin e terroristëve dhe familjeve të tyre. Grupit kurd, i mungojnë edhe burimet për t’u kujdesur për mijëra njerëz për një periudhë afatgjatë.

SDF ka apeluar vazhdimisht për ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht ndaj qeverive perëndimore, për t’i dhënë fund dilemës së këtyre njerëzve, por pa asnjë dobi. Mënyra më e lehtë për të ndihmuar në dhënien fund të situatës së tmerrshme në Sirinë Veriore, është që secili vend të pranojë qytetarët e vet, dhe t’i trajtojë ata në përputhje me ligjin që ka.

Mjerisht, shumë vende kanë refuzuar të riatdhesojnë qytetarët e tyre. Qoftë për të kuptuar nëse janë të pafajshëm, fajtorë për vrasje, apo pse iu bashkuan Kalifatit.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment