Ku po gabon BE me strategjinë e zgjerimit të saj në Ballkan

Nga Timothy Less “The Globe Post”

Nëse fjalët do të flisnin më shumë se veprimet, është e sigurtë se Ballkani do të hynte një ditë në Bashkimin Evropian. Mjerisht, garancitë e dhëna nga zyrtarët e BE-së në Poloni javën e kaluar, se zgjerimi i unionit është një “prioritet i madh”, e shpërfill realitetin e pashmangshëm se BE-ja nuk është realisht gati të zgjerohet.

Sigurisht, zgjerimi i BE-së në një rajon ku mosmarrëveshjet mes popujve për kufijte kanë qenë një burim destabiliteti, është tepër domethënës. Për këtë arsye, në 10-vjeçarin e fundit Brukseli i ofroi Ballkanit një pakt:braktisni planet tuaja për të krijuar shtetet-kombe, bëni paqe me fqinjët, ndërmerrni reformat e duhura dhe në fund do të bëheni pjesë e BE-së, me të gjitha përfitimet që nënkupton ky anëtarësim – para, liri, respekt e kështu me radhë.

Në përgjithësi, oferta u pranua. Edhe në Serbi, vend që për vite është sunduar nga udhëheqës nacionalistë të vijës së ashpër, votuesit zgjodhën një qeveri e cila është e gatshme të njohë shtetin e pavarërur të Kosovës, të populluar në shumicë nga shqiptarët, në këmbim të mundësisë së anëtarësimit në BE.

Por pastaj ndodhën edhe ngjarje të tjera rrugës, veçanërisht kriza financiare e vitit 2008, e cila u shndërrua në një krizë ekonomike, dhe më pas një krizë politike të plotë që paralizoi institucionet e BE, dhe shkaktoi një reagim anti-establishment.

Me procesin e integrimit jashtë prioriteteve kryesore, BE është detyruar ta tërheqë ofertën e saj të dikurshme të anëtarësimit për vendet e Ballkanit, teksa udhëheqësit politikë në vende të tilla si Franca, Hollanda dhe Danimarka, i japin më shumë përparësi mbijetesës së BE-së, sesa zgjerimit të saj saj në lindje.

Shqetësimi i tyre i menjëhershëm, është të shmangin dhënien e arsyeve shtesë partive euroskeptike, që të forcojnë retorikën e tyre mbi Ballkanin si një parajsë e krimit, emigracionit të paligjshëm dhe islamit radikal, që mund të shkatërrojnë BE-në, nëse këto vende do jenë një ditë pjesë e unionit.

Në një periudhë me afatgjatë, nëse përfshirja e një serie shtetesh ballkanike të varfëra dhe të trazuara, do ndikonte në dobësimin e një BE-je tashmë të brishtë – siç mendon presidenti francez Emanuel Makron  – atëherë rezulton se zgjerimi nuk mund të lejohet të ndodhë.

Në këtë situatë, nuk ishte habi që liderët evropianë hodhën sërish poshtë muajin e kaluar një rekomandim nga zyrtarët e Bashkimit Evropian, për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në mënyrën e tipike të Brukselit, udhëheqësit nuk i dhanë një “jo” kategorike, por se do e rishikojnë këtë çështje në tetor.

Por mesazhi ishte i qartë:derisa BE të kapërcejë problemet e saj të shumta të brendshme – gjë që nuk shpresohet të ndodhë shpejt – Ballkani nuk do t’i bashkohet dot unionit. Pra, ku mbetet ky rajon? Nëse integrimi ishte një lloj spirance për t’iu larguar problemeve që lindin kryesisht etnike, atëherë mungesa e integrimit do të thotë se këto probleme do të vazhdojnë të jenë aty.

Dhe kjo nga ana tjetër, kjo do të thotë që elitat politike lokale në Ballkan, të cilat janë investuar aq shumë në një politikë deri tani të dështuar të integrimit evropian, do të përqafojnë një nacionalizëm deri tani “të fjetur”, si një mjet për të ruajtur legjitimitetin e tyre.

Në fakt, ky është më pak një parashikim mbi të ardhmen, dhe më shumë një përshkrim i një realiteti në zhvillim. Ndërsa shpresat e Shqipërisë për t’ju bashkuar BE-së po zbehen, qeveria e saj po ndërmerr tashmë hapa për të bashkuar vendin me Kosovën, shtetin më të ri në Evropë, shansi më i mirë i të cilit për t’i dhënë fund injorimit nga institucionet ndërkombëtare, është bashkimi me shtetin e njohur të Shqipërisë.

Kjo gjendje po ndryshon llogaritë politike edhe në Beograd, ku qeveria që po fillon të kuptojë se Serbia mund të mos i bashkohet kurrë BE-së, ka kërcënuar në javët e fundit se do të vendosë ushtrinë e saj në një enklavë të populluar nga serbët në veri të Kosovës, nëse rrezikohet popullsia lokale atje.

Dhe lëvizje të tilla, do të kenë pasoja më të gjera. Serbët në Bosnje, mezi presin që të shpëputen nga federata boshnjake dhe t’i bashkohen Serbisë. Ngjashëm, edhe Maqedonia e Veriut mund të mos i shpëtojë pasojave nga ndonjë riorganizim kufijsh në rajon.

Tani për tani, pakica e pakënaqur shqiptare po qëndron e qetë, teksa po përpiqet të përmirësojë sa më shumë pozitat e saj në një shtet me shumicë sllave. Por nëse Shqipëria dhe Kosova, po formojnë një shtet kombëtar shqiptar, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut do të duan me siguri të jenë pjesë e tij.

Nuk ka të ngjarë që ndryshime të tilla dramatike të mund të ndodhin pa dhunë, në një rajon ku territori është thellësisht i kontestuar. Serbët, shqiptarët, boshnjakët dhe maqedonasit pretendojnë të gjithë territorin që është formalisht pjesë e shtetit “të tyre”, por të banuar nga të tjerët, dhe nuk do t’u lejojnë këtyre “të tjerëve”  që t’ua marrin pa luftë këtë territor.

Kjo na kthen sërish tek samiti i Poznanin në Poloni BE-Ballkanit Perëndimor, ku paqartësitë mbi zgjerimin e unionit kanë një efekt realisht të dëmshëm, dhe me pasoja potencialisht destabilizuese. Dhe kjo kërkon një reagim shumë të ndryshëm nga udhëheqësit evropianë.

Ata duhet të mos bëjnë më thirrje të kota, për integrimin e një rajoni që nuk mund të integrohet, por të dalin me një plan për menaxhimin e riorganizimit të tij, në mungesë të ndonjë integrimi. Në fakt, ka pak shanse që udhëheqësit e BE-së të ngrihen në lartësinë e detyrës,  pasi ata janë të zënë me problemet në vendet e tyre.

Ndërsa nuk munden ta mbajnë premtimin e vjetër për integrimin e Ballkanit, atyre u mungojnë ndërkohë edhe mjetet, për të mbikëqyrur tranzicionin e ndërlikuar të një rajoni të copëtuar në shtete të reja kombëtare.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment