Kriza SHBA-Turqi mbi S-400:A ka shpresë për një zgjidhje?

Nga Melih Altınok “Daily Sabah”

Sistemi i mbrojtjes ajrore raketat S-400, që Turqia planifikon të blejë nga Rusia, është aktualisht çështja më e rëndësishme e debatueshme midis Ankarasë dhe Uashingtonit. Ndoshta në këtë kontekst, do të ketë më shumë kuptim t’i referohemi Pentagonit në vend të Uashingtonit, pasi presidenti amerikan, Donald Trump nuk ka dhënë asnjë deklaratë, që të shfaqë ndonjë qëndrim të rreptë mbi këtë temë.

Deklaratat e ashpra, kanë ardhur në përgjithësi nga zyrtarë “skifterë” me një histori shërbimi në rradhët e CIA-s, të cilët dëshirojnë të vazhdojnë politikat e dikurshme të SHBA-së ndaj Lindjes së Mesme.

Ne i kemi parë gjurmët e fundit të këtij lobi, tek spekullimi se SHBA-ja do të dërgojë 120.000 ushtarë në Lindjen e Mesme, një deklaratë që është hedhur poshtë nga vetë Donald Trumpi. Dhe këta “skifterë”, që kanë ndjekur të njëjtat politika edhe gjatë periudhës së Barak Obamës, ishin nxitësit kryesorë të kundërshtimeve ndaj blerjes nga ana e Turqisë të sisemit rus S-400, me arsyetimin se nuk përputhet me avionët e F-35 dhe sistemet e NATO-s.

Për më tepër, ata nuk e fshehin shqetësimin e tyre, se teknikët rusë që ndodhen në Turqi si pjesë e projektit S-400, mund të zbulojnë kodet ushtarake të NATO-s. Nga ana tjetër, vetë aleanca ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se nuk ndan shqetësimet e SHBA-së, duke theksuar se blerjet e armëve janë një e drejtë sovrane e shteteve kombëtare.

Fakt është se disa aleatë të NATO-s, si për shembull, Greqia përdorin sistemet ruse të mbrojtjes ajrore. Kohët e fundit, Ankaraja propozoi ngritjen e një grupi të përbashkët pune, për të zhdukur çdo lloj shqetësimi që kanë Shtetet e Bashkuara.

Mos harroni që Turqia planifikoi të blinte raketat Patriot nga SHBA, përpara se të negocionte blerjen e sistemit rus S-400, por përpjekjet e saj nuk ishin bindëse. Me këtë, bëhet edhe më e dukshme, se cila palë po kërkon në mënyrë aktive një zgjidhje të këtij ngërçi.

Atëherë, çfarë do të ndodhë më pas? Unë besoj ende në arsyeshmërinë e Trump, pasi ai është në kërkim të alternativave më racionale për interesat amerikane, në vend se të zgjedhë planet afatgjata, të kushtueshme dhe të pa shumë garanci.

Trump është një politikan që mund ta shohë, se çështja e sistemit S-400 nuk është vetëm një kërkesë e administratës së presidentit Rexhep Taip Erdogan, por edhe e elektoratit turk, që e konsideron projektin si tejet të nevojshëm për sigurinë kombëtare.

Ai është padyshim i vetëdijshëm për faktin se metodat e vjetra të CIA-s, si mbështetja e terrorizmit, përpjekjet e grushtit të shtetit dhe kërcënimet ekonomike, nuk do të ushtrojnë presion asnjë ndaj Ankarasë, por do të forcojnë edhe më shumë qëndrimin e elektoratit turk.

Sondazhet kanë zbuluar se ndjenja anti-SHBA në Turqi, ka arritur kulmin gjatë 2 viteve të fundit. Presidenti Trump ka në dorë të heqë një pjesë të barrës nga supet e SHBA-së. Ai mund të nxisë zgjidhjen e krizës në favor të tij, me disa hapa që respektojnë ndjeshmërinë e Turqisë mbi çështjet e grupit terrorist të PKK, Njësitë e Mbrojtjes Popullore (YPG) dhe Grupi Terrorist Gylenist (FETÖ), që ishte prapa përpjekjes së grushtit të shtetit të vitit 2016 në Turqi.

Është e qartë që amerikanët janë paksa të vonuar në këtë drejtim. Kjo përpjekje nuk mund të parandalojë marrjen e sistemit S-400 nga Turqi verën e vitit të ardhshëm. Por sërish ajo mund të balancojë afërsinë e Turqisë me Rusinë dhe NATO-n.

Turqia, që ka një aleancë strategjike me SHBA, nuk është një aktore e papërfillshme, midis të gjithë aktorëve të tjerë të besueshëm të Lindjes së Mesme. Kostoja e rëndë e një neglizhence të tillë, mund të jetë e pamatshme për SHBA-në.

Ne do të shohim në muajt e ardhshëm, nëse presidenti Trump, do të heqë dorë nga paradigma e vjetër, që ai i referohet si “grupet e interesit që rrethojnë Uashingtonin”, dhe ta mbajë veten dhe vendin e tij larg një rreziku të panevojshëm.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment