Kriza e marrëveshjes bërthamore të Iranit, ka nxjerrë në pah dobësinë e Evropës

Nga Robbie Gramer & Keith Johnson “Foreign Policy”

Njoftimi i fundit i Iranit, se ka shkelur kufizimet e pasurimit të uraniumit, shënon jo vetëm shënon “vdekjen” e ngadaltë të marrëveshjes mbi programinn e tij bërthamor të vitit 2015 me fuqitë e mëdha botërore.

Disa ekspertë, thonë se ajo ka nxjerrë në pah limitet e turpshme të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, kur kjo e fundit synon të pozicionohet kundër Shteteve të Bashkuara. Pavarësisht nga kundërshtimi i fortë evropian, administrata e presidentit Donald Trump i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e Iranit vitin e kaluar, dhe e shfuqizoi heqjen e disa sanksioneve mbi Teheranin, duke përfshirë sektorin e naftës, për ta dëmtuar më tej ekonominë e këtij vendi, dhe vënë në rrezik të ardhmen e marrëveshjes.

Deri më sot, përpjekjet e BE-së për t’iu kundërvënë Trump, dhe për të ruajtur marrëveshjen, kanë dështuar. Për vendet evropiane dhe vetë BE-në, shpërbërja graduale e marrëveshjes historike të vitit 2015, është një përkujtesë veçanërisht brutale e aftësisë së kufizuar të bllokut, për të hartuar një politikë të jashtme realisht të pavarur.

Rregulloret e BE-së së viteve 1990, synojnë të mbrojnë kompanitë evropiane nga sanksionet ekstraterritoriale të SHBA-së. Ndërkohë, Evropa po përpiqet prej 1 vitit të promovojë një mekanizëm financiar shumë të kufizuar, të quajtur Instrumenti për Mbështetjen e Shkëmbimeve Tregtare (INSTEX), i projektuar për ta mbrojtur disi tregtinë me Iranin nga sanksionet e SHBA-së.

Por nga frika e sanksioneve amerikane, shumë kompani evropiane e kanë braktisur tashmë tregun iranian, duke sjellë rënien e madhe ekonomike të këtij të fundit, gjithçka nën vështrimin e një Evrope të pafuqishme. Shpërbërja e ngadaltë e marrëveshjes së vitit 2015, “ka qenë një nga momentet përcaktuese të kufijve, që kanë evropianët për të manovruar në politikës së jashtme”, thotë Eli Geranmajeh, eksperte mbi Iranin në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Dhe kjo sipas saj ka pasoja të rënda, për një bllok që synon të luajë një rol udhëheqës në mbështetjen e rendit botëror shumëpalësh. “Nëse marrëveshja bie, dhe Evropa nuk mundet që ta shpëtojë atë, ky do të ishte një mesazh për çdo vend, dhe jo vetëm për Iranin, mbi rëndësinë reale që mund të kenë evropianët si aktorë në skenën globale”- thotë ajo.

Ndërkohë, qeveritë evropiane që e kanë kritikuar lëvizjen e SHBA-së në raport me marrëveshjen bërthamore të Iranit, nuk kanë bërë ende publike ndonjë propozim të ri politik për ta trajtuar atë. Nga ana tjetër, Uashingtoni nuk ka treguar asnjë shenjë, se do të lehtësojë sanksionet e vendosura, edhe pse e ka lënë derën hapur për bisedimet e mundshme me Iranin.

“Sponsori kryesor shtetëror i terrorizmit, vazhdon të përdorë programin e tij bërthamor për të shantazhuar komunitetin ndërkombëtar, dhe për të kërcënuar sigurinë rajonale”- u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo, në një deklaratë javën e kaluar, në përgjigje të planit të deklaruar të Iranit për të shtuar pasurimin e uraniumit.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për të negociuar një marrëveshje të re dhe gjithëpërfshirëse me regjimin Iranian, por “për sa kohë që Irani vazhdon të kundërshtojë diplomacinë, dhe të zgjerojë programin e tij bërthamor, presioni ekonomik dhe izolimi diplomatik ndaj tij do të intensifikohen”.

Me Evropën, që nuk e dëshiron një përballje direkte me Shtetet e Bashkuara mbi këtë çështje, teksa po përpiqet të menaxhojë tensionet në rritje ndaj tregtisë dhe NATO-s, lëvizja më e fundit e Iranit për të shtuar nivelet e pasurimit të uraniumit mbi tavanin 3.67 përqind, të përcaktuar në marrëveshje, përbën një nxitje për të provokuar reagimin e Evropës, ashtu si dhe atë të Rusisë dhe Kinës, si 2 nënshkrueset e tjera të marrëveshjes.

Ekspertët, e përshkruan vendimin si një përshkallëzim të kalibruar që pritej të ndodhte prej kohësh. Në muajin maj, Teherani i dha një afat 60 ditor nënshkruesve të mbetur të marrëveshjes bërthamore, për të siguruar lehtësimin e mjaftueshëm ekonomik, në të kundërt do të niste të shkelte marrëveshjen.

Dhe ky afat përfundoi fundjavën e shkuar. Ekspertët dhe politikëbërësit, kanë hedhur ide të tjera se si BE mund të ndihmojë ekonominë e “sëmurë” të Iranit, në këmbim të respektimit të marrëveshjen bërthamore – nga zgjerimi i INSTEX-it, tek aksesi që Irani duhet të ketë në asetet e ngrira me vende si India dhe Iraku.

Por zyrtarët iranianë, janë të pakënaqur nga INSTEX. “Pa para, ky mekanizëm është si një makinë e bukur, që ka mbetur pa karburant”- u tha gazetarëve muajin e kaluar Maxhid Ravanshi, ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara.

Tensionet mes Iranit dhe Perëndimit janë ende në rritje, dhe jo vetëm për shkak të vendimit të Teheranit për të pasuruar më shumë uranium. Të enjten e kaluar, marinsat britanikë sekuestruan një cisternë iraniane me naftë në ngushticën e Gjibraltarit, duke dyshuar se ajo po transportonte naftë bruto në Siri, në kundërshtim me sanksionet e BE-së.

Ministri i Jashtëm iranian Muhamed Zarif, e quajti atë një “akt piraterie”, dhe disa zyrtarë iranianë sugjeruan kapjen e një cisterne britanike si kundërpërgjigje. Uendi Sherman, ish-diplomate e nivelit të lartë në administratën Obama, që ndihmoi në negociimin e marrëveshjes bërthamore të Iranit, tha se druhet se tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit, mund të marrin një kthesë të rrezikshme dhe të papritur, edhe pse Trump e ka bërë të qartë se nuk ka interes të nisë një luftë kundër Iranit.

Përktheu:Alket Goce

 

Submit a comment