Kinë, 1 milionë myslimanë, vazhdojnë të mbahen mbyllur në “kampet e riedukimit”

Nga Lindsay Maizland “Council on Foreign Relations”

Qeveria kineze, thuhet se ka mbyllur më shumë se 1 milionë myslimanë në kampet e riedukimit. Shumica e të arrestuarve në mënyrë arbitrare janë ujgurë, një grupim etnik me shumicë turke, kryesisht nga rajoni veriperëndimor i Xinjiangut.

Ndërkohë jashtë kampeve, 11 milionë ujgurët që jetojnë në Xinjiang, po vuajnë prej dekadash shtypjen e autoriteteve kineze. Shumica e njerëzve në kampe, nuk janë akuzuar kurrë për ndonjë krim konkret, dhe nuk kanë asnjë mundësi ligjore të sfidojnë paraburgimin e tyre.

Sipas të dhënave të siguruara nga media, të dyshuarit duket se kanë qenë në shënjestër për një sërë arsyesh, duke përfshirë udhëtimin ose kontaktimin e njerëzve nga ndonjë prej 26 vendeve që Kina i konsideron të rrezikshme, si Turqia dhe Afganistani; që kanë shkuar rregullisht në xhami; ose që u janë gjetur tekste që përmbajnë ajete kuranore.

Shpesh, krimi i tyre i vetëm është të qenit mysliman, thonë grupimet e të drejtave të njeriut, duke shtuar se shumë ujgurë janë etiketuar si ekstremistë, vetëm pse praktikojnë fenë e tyre. Qindra kampe, ndodhen në Xinjiang. Zyrtarisht i njohur si Rajoni Autonom i Xinjiangut Ujgur, provinca veriperëndimore është pretenduar nga Kina që kur Partia Komuniste Kineze, u ngjit në pushtet në vitin 1949. Disa ujgurë që jetojnë atje, i referohen rajonit si Turkmenistani Lindor, dhe argumentojnë se ai duhet të jetë i pavarur nga Kina.

Ekspertët vlerësojnë se përpjekjet e “riedukimit” në Xinjiang, nisën në vitin 2014, dhe u rritën në mënyrë drastike në vitin 2017. Duke vëzhguar imazhet satelitore, gazetarët e “Reuters”, zbuluan se numri i kampeve thuajse u trefishua ndërmjet prillit 2017 dhe gushtit 2018.

Ato mbulojnë një sipërfaqe totale sa mdhësia e 140 fushave të futbollit. Eksperti mbi Xinjiang me banim në Gjermani Adrian Zenz, zbuloi se shpenzimet për  ndërtimin e objekteve të sigurisë në atë rajon, u rritën me 20 miliardë juanë (rreth 2.96 miliardë dollarë) në vitin 2017.

Informacioni mbi atë që ndodh aktualisht në kampe është i kufizuar, por shumë të burgosur që janë larguar nga Kina, i përshkruajnë kushtet si tepër të vështira. Të paraburgosurit, detyrohen të betohen për besnikëri ndaj Partisë Komuniste Kineze dhe të heqin dorë nga islami, thonë ata, të këndojnë këngë lavdëruese për komunizmin dhe të mësojnë gjuhën mandarine (dialekti më i përdorur i gjuhës kineze).

Disa kanë raportuar mbi kushtet e burgjeve, me kamerat dhe mikrofonat që monitorojnë çdo lëvizje. Të tjerë thanë se ishin torturuar, dhe ishin lënë  pa gjumë gjatë marrjes në pyetje. Disa kishin menduar vetëvrasjen, ose kishin parë të tjerë të vrisnin veten.

Këto kampe, po shkatërrojnë familjet. Fëmijët, prindërit e të cilëve janë dërguar në kampe, detyrohen të qëndrojnë në jetimoren shtetërore. Prindërit ujgurë që jetojnë jashtë Kinës, përballen shpesh me një zgjedhje të vështirë: të kthehen në shtëpi pranë fëmijëve të tyre dhe të rrezikojnë paraburgimin, apo të qëndrojnë jashtë shtetit, të ndarë nga fëmijët e tyre, dhe të mos i kontaktojnë dot ato.

Po pse Kina, është duke i arrestuar tani ujgurët në Xinjiang? Zyrtarët atje, janë të shqetësuar se ujgurët, kanë ide ekstremiste dhe separatiste, ndaj i shohin kampet si një mënyrë për të eliminuar kërcënimet ndaj integritetit territorial të Kinës, qeverisë dhe popullsisë kineze.

Në marsin e vitit 2017, qeveria e Xinjiangut miratoi një ligj anti-ekstremizëm, që i ndalonte burrat të mbanin mjekra të gjata, dhe gratë nga mbajtja e shamive në publik. Gjithashtu, ajo njohu zyrtarisht përdorimin e qendrave të trajnimit, për të eliminuar ekstremizmin.

Sipas presidentit Xi Jinping, PKK synon të kombëtarizojë fenë, ose t’i reformojë të gjitha fetë në përputhje me doktrinat zyrtare të partisë ateiste, dhe shumicën e zakoneve të shoqërisë kineze. Pas sulmeve të 11 shtatorit, qeveria kineze nisi të justifikonte veprimet e saj ndaj ujgurëve, si pjesë e luftës globale kundër terrorizmit.

Në vitin 2009, shpërthyen trazirat në kryeqytetin e Xinjiang, Urumqi, pasi ujgurët protestuan kundër emigrimit të organizuar nga shteti të kinezëve han në këtë rajon, si dhe diskriminimit të madh ekonomik dhe kulturor.

Afro 200 njerëz gjetën vdekjen, dhe ekspertët thonë se ato ngjarje shënuan një pikë kthese në qëndrimin e Pekinit ndaj ujgurëve. Pjesa më e madhe e botës, e ka dënuar ndalimin në kampe të ujgurëve në Xinjiang. OKB dhe organizata të tjera, kanë kërkuar qasje në këto kampe.

Bashkimi Evropian, i ka bërë thirrje Kinës të respektojë lirinë fetare dhe të ndryshojë politikat e saj në Xinjiang. Ndërkohë, të heshtur janë shumë kombe myslimane. Duke i dhënë prioritet lidhjeve të tyre ekonomike dhe marrëdhënieve strategjike me Kinën, shumë qeveri, përfshirë ato të Arabisë Saudite, Egjiptit dhe Indonezisë, kanë injoruar abuzimet me të drejtat e njeriut.

Turqia është vendi i vetëm me shumicë myslimane, që shprehu shqetësim mbi këtë çështje kur ministri i Jashtëm turk, i bëri thirrje Kinës të sigurojë “mbrojtjen e plotë të identitetit kulturor të ujgurëve dhe myslimanëve të tjerë”, gjatë një sesioni të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, në fillim të këtij viti.

Zyrtarët kryesorë në administratën e Donald Trumpit, duke përfshirë zv/presidentin Majk Pens dhe sekretarin e Shtetit Majk Pompeo, kanë folur kundër veprimeve të Kinës. Diplomatët amerikanë, organizuan një takim pranë Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së në marsin e këtij viti, duke i kërkuar Kinës të ndalë burgosjen e myslimanëve.

Departamenti i Shtetit, është shprehur se po shqyrton mundësinë e vendosjes së sanksioneve mbi zyrtarët kinezë, përgjegjës për kampet në Xingiang.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment