Kina, mbrojtja më e mirë e Rusisë, kundër strategjisë së presionit nga SHBA-ja

Nga Dimitri Alexander Simes “National Interest”

Ndërsa vazhdon të ndizet lufta tregtare midis Uashingtonit dhe Pekinit, presidenti kinez Xi Jinping vizitoi këtë javë Rusinë për 3 ditë rresht, për të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar Ekonomik të Shën Petersburgut, dhe për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin.

Për Moskën, kjo vizitë nuk mund të ndodhte në një moment më të mirë se ky. Në fjalimet e tij publike nga Moska, udhëheqësi kinez foli për lidhjet në rritje midis Rusisë dhe Kinës, teksa kritikoi direkt Shtetet e Bashkuara. Xi e cilësoi Putinin si “një nga miqtë dhe kolegët e mi më të ngushtë”.

Ai theksoi ndërkohë rëndësinë e solidaritetit ruso-kinez, në një kohë kur “janë në rritje proteksionizmi dhe qasjet e njëanshme, dhe kur po gjen një zbatim gjithnjë e më të madh, politika e forcës dhe hegjemonizmit”.

Xi mbërriti në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut të enjten, një samit i përvitshëm që synon tërheqjen e investitorëve të huaj në Rusi, me një delegacion prej 1 mijë personash. Shtetet e Bashkuara e bojktuan këtë aktivitet, në shenjë proteste ndaj burgimit të dyshimtë të investitorit amerikan Majkëll Kalvej nga ana e autoriteteve ruse.

Përtej gjesteve simbolike të unitetit, të dyja vendet nënshkruan një numër marrëveshjesh të nivelit të lartë. Kompania kineze Huauei dhe ajo ruse e telekomunikacionit MTS, nëshkruan marrëveshjen për të zhvilluar rrjetin 5G në Rusi. Ndërkohë Fondi i Investimeve të Drejtpërdrejta Ruse dhe Korporata e Investimeve të Kinës, krijuan një fond prej 1 miliardë dollarësh, për të mbështetur kërkimet në inovacion dhe teknologji.

Ndërsa bashkëpunimi ruso-kinez ka qenë në rritje të paktën që nga vitet 1990, ai është më intensiv pas vitit 2014. Të përballur me sanksionet në rritje të Perëndimit, për shkak të aneksimit të Krimesë dhe mbështetjes për separatistët e Ukrainës Lindore, elitat politike ruse shpresuan se afrimi me Kinën do t’i siguronte vendit të tyre një burim alternativ të tregtisë dhe investimeve, si dhe do të dërgonte një mesazh në Uashington dhe Bruksel, se Moska nuk është vetëm.

Pesë vjet më vonë, rezultati i këtyre përpjekjeve është i përzier. Nga njëra anë, tregtia midis dy vendeve është rritur. Kina është tashmë partnerja më e madhe tregtare e Rusisë, dhe Rusia është furnizuesja më e madhe me naftë e Kinës.

Sipas Kremlinit, tregtia midis Rusisë dhe Kinës vlerësohet aktualisht në 108 miliardë dollarë. Por ndërkohë, investimet kineze po vonojnë të vijnë. Edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peshkov e pranoi për televizonin “Russia Today” në prag të vizitës së Xi-së në Rusi, se “s’mund të thuhet se Kina po investon shumë në ekonominë ruse”.

Shumë banka kineze tregtare, ngurrojnë të bëjnë biznes në Rusi, nga frika e përfundimit në listen e zezë të sanksioneve të Perëndimit. Një pengesë tjetër është sistemi kompleks ligjor rus, dhe mungesa e një infrastrukture mbështetëse të përshtatshme.

Për më tepër, edhe pse Rusia varet gjithnjë e më shumë varet ekonomikisht nga Kina, e kundërta nuk është e vërtetë. Ndërsa Kina është partnerja kryesore tregtare e Rusisë, Rusia është vetëm partnerja e dhjetë më e madhe tregtare e Kinës.

Parashikimet e fundit pesimiste për ekonominë ruse, sugjerojnë se kjo dinamikë e pabarabartë, nuk ka gjasa të ndryshojë shpejt. Megjithatë, shumë analistë në Moskë, e panë luftën tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, si një mundësi për t’u bërë partnerë të domosdoshëm për Pekinin. Andranik Migranian, një këshilltar jozyrtar i administratës presidenciale ruse dhe profesor në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë, tha për “National Interest” se lëvizjet e Trumpit në fushën e tregtisë, do ta nxisin Kinën të afrohet më pranë Rusisë.

“Ka një supozim se nëse Rusia dhe Kina nuk do t’i rezistojnë së bashku dhe njëkohësisht Shteteve të Bashkuara, atëherë SHBA-ja do t’i shkatërrojë secilën veçmas”- thotë ai.

Moska, shpreson ta përdorë hapësirën e krijuar nga lufta tregtare SHBA-Kinë, për të rritur mundësitë e saj ekonomike brenda Kinës. Vasili Kashin, studiues në Shkollën e Ekonomisë për Studime Gjithëpërfshirëse Europiane dhe Ndërkombëtare, parashikon që Rusia do të fitojë më shumë akses në tregun kinez, teksa konkurrentët e saj të drejtpërdrejtë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, do të dalin prej andej.

“Megjithëse lufta tregtare kino-amerikane, është diçka negative për ekonominë globale, dhe mund të ndikojë negativisht edhe Rusinë, përmes rënies së çmimit të naftës, ajo mund të hapë ndërkohë mundësi të reja për rritjen e eksporteve të Rusisë në Kinë”- thekson ai.

Nëse lidhjet ekonomike midis Rusisë dhe Kinës, do të vazhdojnë të forcohen, atëherë kjo me gjasa do ta inkurajojnë Kremlinin të ashpërsojë qëndrimin e tij ndaj Shteteve të Bashkuara. Migranian mendon se një marrëdhënie më e ngushtë me Kinën “e bën Rusinë më të forte, në rezistencën ndaj Shteteve të Bashkuara”.

Ai deklaroi se nëse Rusia do të ndjejë, që Kina është në krahun e saj,  atëherë do të ndihej më pak e detyruar, t’i ofrojë SHBA-së lëshime mbi çështje si Siria apo Irani. Migranian thekson se nga tensionet në rritje të Uashingtonit, jo vetëm me Pekinin, por edhe me Iranin dhe Evropën, do të përfitojë tek e fundit edhe Rusia.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment