Kanada, Kebeku është gati të shkatërrojë lirinë fetare

Nga Zahra Jamal “Foreign Policy”

Me propozimin për t’i ndaluar nëpunësve publikë mbajtjen e simboleve fetare, që do të shqyertohet dhe miratohet nga parlamenti lokal, provinca kanadeze e Kebekut është e gatshme të bëhet potencialisht qeveria e parë rajonale në Amerikën e Veriut, që ndalon mbajtjen e shamisë në kokë për stafin e administratës qeveritare.

Ashtu si shumë ndalesa për simbolet fetare, në teori ky ligj do të synojë edhe turbanin sikh dhe kipah hebraike. Por në praktikë, ky vendim do të prekë edhe gratë myslimane që mbajnë hixhabin. Ky ligj që pritet të miratohet, u bashkohet disa nismave të ngjashme që janë marrë kohët e fundit në mbarë Evropën.

Këto ligje, vijnë në kohën e shtimit të sulmeve ndaj pakicave racore ose fetare nga Kebeku në Kristçërç të Zelandës së Re, në qytetet e SHBA-së nga Çarlstonit në Pouej, nga ana e lëvizjeve globale të supremacistëve të bardhë. Dhe në zemër të ideologjisë së bardhë supremaciste, janë anti-semitizmi dhe islamofobia.

Udhëheqësi i Partisë Konservatore në Kanada, dhe kandidati për kryeministër për zgjedhjet e tetorit, Endrju Shir, ka qenë një mbështetës i hapur i nacionalistëve gjatë gjithë karrierës së tij, përfshirë politikanë evropianë ekstremistë si Marin Lë Pen në Francë.

Sondazhet e fundit nga qendra amerikane e sondazheve Peë, tregojnë se 44 për qind e të krishterëve ungjillorë, 49 për qind e të krishterëve europianë në përgjithësi, dhe 40 për qind e kanadezëve konservatorë, kanë pikëpamje nacionaliste dhe anti-myslimane.

Gratë myslimane, përballen me barrën e fanatizmit islamofobik. Ato që mbajnë hixhab (shami), niqab (vello në fytyrë) dhe burka (mbulesa e plotë e trupit), janë në shënjestrën e sulmeve të vazhdueshme. Nëse miratohet ligji në fjalë në Kebek, do të ndalojë disa punonjës të sektorit publik, si mësuesit, avokatët e qeverisë dhe policët, që të mbajnë simbole fetare të çfarëdolloj madhësie.

Por në tërësi, ligji do t’i ndalojë njerëzit që të japin ose marrin shërbime qeveritare. Kompania e sondazheve Ipsos, raporton se gati 70 përqind e të gjithë kanadezëve mbështesin një ndalim të ngjashëm në krahinat e tyre.

Ashtu si në Evropë, ndalimi i hixhabeve në Kebek është një etiketim populist, laik dhe anti-emigrant i simboleve fetare, si dhe një kërcënim për shekullarizmin. Ndërkohë për shumë politikanë evropianë, hixhabet dhe niqabët nënkuptojnë sulme masive të dhunshme, dhe kërcënime ndaj mbrojtjes kombëtare.

Një ligj i shtatorit 2018, në një kanton në Zvicër, legjitimonte një ndalim të ngjashëm, pasi mbulesa e fytyrës “kërcënon sigurinë publike, apo paqen sociale dhe fetare”. Franca, i ndaloi simbolet fetare në shkollat ​​publike në vitin 2004, dhe në të gjitha hapësirat publike në vitin 2010.

Në gushtin e vitit 2018, Danimarka u bë vendi i fundit evropian që ndaloi burkën, pas ndalimeve të niqabit në Francë, Belgjikë, Bullgari, Austri dhe Letoni, së bashku me ndalimet nëpër qytete të ndryshme në Spanjë, Itali dhe Zvicër, Holandë, Norvegji dhe Rusi.

Në Danimarkë, gratë që mbajnë burka mund të gjobiten deri në 1.000 korona (rreth 150 dollarë); ndërsa shkelësit përsëritës mund të gjobiten deri në 10.000 korona (1.500 dollarë). Sipas Rrjetit Europian Kundër Racizmit, gratë myslimane evropiane të mbuluara, kanë zakonisht më shumë gjasa sesa burrat muslimanë, që të jenë viktima të krimeve të urrejtjes, dhe të përjetojnë diskriminim në publik, në qasjen për aftësimin profesional dhe punësimin, si dhe në vendin e punës.

Për shembull, sipas Aleancës Kundër Islamofobisë në Francë, 81.5 për qind e akteve dhe fjalimeve anti-myslimane, dhe gati 100 për qind e sulmeve fizike në vitin 2014, ndodhën kundër grave të mbuluara. Meld Islamofobie (Raporti i Islamofobisë) me seli në Holandë, raportoi se rreth 90 për qind e incidenteve islamofobike në vend në periudhën janar-qershor 2015, kishin të bënin me gratë myslimane të identifikuara nga veshja e tyre fetare.

Në mbarë Bashkimin Evropian në vitet 2015-2016, 39 për qind e grave që mbanin hixhab dhe niqab, raportuan se kishin rënë pre e “gjesteve të papërshtatshme apo fyese” nga ana e meshkujve evropianë të besimeve të tjera fetare.

Sulmet më të zakonshme, përfshijnë pështyrjen mbi hixhab, apo përpjekjen për ta hequr me forcë atë. Këto të dhëna janë tronditëse, duke qenë se deri në 91 për qind e myslimanëve evropianë, nuk i raportojnë incidente të tilla për shkak të mungesës së besimit tek policia, frikës nga ndëshkimi, besimit se asgjë nuk do të ndryshojë, apo edhe normalizimit të dhunës.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment