Ka ardhur koha, që progresistët të shpëtojnë sërish Evropën

Nga Sergei Stanishev “Euobserver”

Unë besoj thellësisht se Bashkimi Evropian, nuk është vetëm arritja e fundit politike e botës moderne, por edhe projekti më i bukur i saj. Por tani unioni është në telashe. Por partitë e djathta në pushtet, kanë çmuar kërkesat e tregut të lirë, mbi nevojën për liri.

Sipas politikanëve konservatorë, ekonomia nuk ekziston për t’i shërbyer qenieve njerëzore, por për t’i shërbyer ekonomisë. Tregu i lirë, shihej dikur si një mjet i dobishëm për rritjen e standardeve të jetesës. Sot kërkesat e tij janë prioritet mbi gjithçka tjetër.

Sot super të pasurit, lejohen të shmangin taksat në parajsat fiskale. Ndërsa një përqindje e madhe e tyre ka grumbulluar një pasuri dhe ndikim gjithnjë e më të madh, standardet e jetesës për 99 për qind të popullsisë vetëm kanë rënë.

Braktisja e vlerave thelbësore të një Evrope të bashkuar, po e destabilizon sërish Evropën. E ardhmja duket gjithnjë e më e pasigurtë. Nën qeveritë e djathta, qytetarët kanë humbur shumë nga përfitimet e shtetit të mirëqenies sociale.

Aktualisht, Evropa është aq e dobësuar nga brenda, sa mezi po përballon  një seri krizash që përfshijnë emigracionin, ndryshimet klimatike, terrorizmin dhe “luftën hibride” përtej kufijve të saj. Si politikanë, ne e kemi tradhtuar trashëgiminë e anëtarëve themelues të BE-së.

Në vend se të bashkohemi me një synim të përbashkët për një të ardhme më të mirë, kemi rënë pre e ndarjeve të vjetra, fajësojmë njëri-tjetrin për problemet tona, dhe kemi lejuar rritjen e mosbesimit midis shteteve anëtare të BE-së.

Sakrifikimi i vlerave të ndërsjella, në emër të fitimit, e përkeqësoi në mënyrë dramatike situatën tonë. Egoizmi i tregut, u përkthye në egoizmin kombëtar. Dhe Brexit, është vetëm simptoma më e dukshme e kësaj gjendjeje.

Banka Botërore, njoftoi kohët e fundit se hendeku midis të pasurve dhe të varfërve në BE, është rritur me mbi 70 për qind gjatë 15 viteve të fundit. Dhjetë për qind e evropianëve më të varfër, kanë humbur 7 për qind të të ardhurave të tyre, ndërsa 10 për qind e më të pasurve, janë bërë 66 për qind më të pasur.

Një pabarazi e tillë e turpshme, ka shkaktuar protesta dhe greva në të gjithë BE-në. Nga Brukseli në Sofje, kërkesat janë të njëjta:punë e denjë për pagesë të denjë, të drejta të barabarta, pensione më të larta dhe perspektiva më të mira për të rinjtë.

Ndërkohë, pasi partitë në pushtet në pushtet, duket se nuk ofrojnë asnjë ndihmë për votuesit, në publik nisën të dëgjohen zërat më reaksionarë, nxitës të urretjes dhe ksenofobikë. Brenda hapësirës së disa viteve, idetë ekstremiste filluan të dominonin debatin e zakonshëm politik.

Urrejtja e “tjetrit”, nisi të përfaqësohej si një shprehje e dinjitetit kombëtar, ndërsa jotoleranca u maskua si një reagim ndaj “korrektesës politike”. Të pavërtetat, zëvendësuan faktin. Britmat, i dhanë fund dialogut. Ndarja ka mbirë aty ku dikur kishte unitet.

Ne e kemi parë këtë më herët, dhe e dimë se çfarë ndodh më pas nga rritja e antisemitizmit. Në muajt e fundit, në disa vende evropiane, duket se kemi degraduar në këtë pikë. Unë jam i nderuar që i përkas njërit prej pak kombeve në Evropë, Bullgarisë, që e shpëtoi popullatën e saj hebreje nga shfarosja e nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Unë nuk do të toleroj ndonjë ringjallje të antisemitizmit. Ne, forcat socialdemokrate dhe progresive evropiane, nuk duhet ta lejojmë atë. Por politikanët e së djathtës, kanë marrë pjesë gjatë viteve të fundit në flirte të rrezikshme me “profetët” e urrejtjes.

Për të vazhduar qeverisjen në Evropë, ata kanë përqafuar nacionalizmin, dhe në këtë mënyrë duket se kanë legjitimuar një numër të madh fanatikësh. Kësisoj, e djathta ekstreme po e paralizon idealin evropian.

Në vend se të përpiqen të sigurojnë që kontinenti të mbetet i bashkuar dhe një shtëpi për të gjithë, nacionalistët dëshirojnë të krijojnë sërish shtetet-kombe, që e shohin njëri-tjetrin me dyshim dhe mosbesim – përtej kufijve me tela me gjemba.

Sot, misioni i të gjitha partive progresive evropiane, duhet të jetë ndalimi i ndarjes dhe shkatërrimit të Bashkimit Evropian, dhe shpëtimi i të ardhmes e Evropës. Muajin e ardhshëm, zgjedhjet për në PE do të vendosin fatin tonë. Nuk duhet të lejojmë që nacionalizmi të triumfojë sërish, sikurse është parashikuar.

Kjo është arsyeja pse jemi të bindur se rivendosja e projektit evropian, duhet të fillojë me Kontratën e Re Sociale për Evropën – platformën politike të paraqitur nga progresistët, që synojnë ta transformojnë Evropën pas zgjedhjeve të majit.

Evropa ose do të bëhet më e bashkuar dhe progresive, ose nuk do të ekzistojë më  si e tillë. Nëse kontinenti do që të mbijetojë siç e njohim, BE-ja duhet të mbetet e paprekur, dhe po ashtu edhe ruajtja e të drejtave të njeriut, dinjiteti dhe liria për secilin prej nesh.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment