Joseph S.Nye:Turqia, “shtylla” e stabilitetit në Lindjen e Mesme

Nga Ipek Yezdani “Hurriyet Daily News”

Turqia mund të jetë “shtylla e stabilitetit” në Lindjen e Mesme. Kështu mendon Joseph S.Nye, politolog i shquar amerikan nga Universiteti i Harvardit, që ka shërbyer si ndihmëssekretar i mbrojtjes për çështjet e sigurisë ndërkombëtare, gjatë presidencës së Bill Klintonit.

“Nëse shohim në perspektivë, mund te kemi trazira në Lindjen e Mesme për një kohë të gjatë. Prandaj, një Turqi e qëndrueshme, do të jetë shumë e rëndësishme, në përpjekjet për të stabilizuar një rajon, që përndryshe kam frikë se do të zhytet në një kaos rajonal. Ne duhet të mbështetemi tek Turqia, si një spirancë solide sigurie në rajon”-tha ai për ‘Hürriyet’ në kuadër të një vizite në Stamboll ku dhe u vlerësua me një çmim për kontributin e tij akademik.

Joseph S.Nye, që shpiku termin “fuqi e butë” në fund të viteve 1980, mori çmimin ‘Sakip Sabancci” për Kërkimet Ndërkombëtare. Ai është bashkë-themelues, së bashku me Robert Keohane, i teorisë së marrëdhënieve ndërkombëtare të neoliberalizmit, të zhvilluar në librin e tyre të vitit 1977 “Fuqia dhe ndërvarësia”.

“Nëse shohim mosmarrëveshjet midis sunitëve dhe shiitëve në zonën e Irakut, Levantit; nëse shohim konkurrencën midis Arabisë Saudite dhe Iranit, unë druaj se mund të shohim disa vite destabiliteti në Lindjen e Mesme”- thotë Nye.

“Dhe Turqia, mund të jetë shtylla e stabilitetit për rajonin”- tha ai, duke shtuar se ky vendi ka qenë gjithmonë shumë i rëndësishëm, si një urë lidhëse midis kulturës evropiane dhe kulturës islame në Lindjen e Mesme.

“Kjo ka qenë e vërtetë për një kohë shumë të gjatë. Dhe është e vërtetë edhe sot. Për këtë arsye, unë mendoj se Turqia është një vend me një rëndësi të madhe”- theksoi ai. Duke iu përgjigjur pyetjes mbi rolin e ardhshëm të Turqisë, ai tha:”Mendoj se Turqia duhet të shihet si një ndërmjetëse e ndershme, që mund të punojë me vende të ndryshme”. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia duhet të mbajnë një marrëdhënie të mire mes tyre.

“E tashmja me marrëdhëniet turko-amerikane, është e vështirë dhe shpresoj që ne ta kapërcejmë këtë moment”- theksoi Nye. Profesori amerikan kritikoi ndëkohë politikën e jashtme të administratës së Donald Trumpit, për “nënçmimin e aleancave të tij”.

“Unë mendoj se politika e jashtme e Trumpit, ka qenë e gabuar, pasi forca e SHBA-së qëndron pikërisht tek aleancat e saj. SHBA ka aleanca me 60 vende, krahasuar me Kinën që ka aleancë me një vend. Trump ka gabuar duke nënçmuar aleancat tona. Dhe ky mendoj se është faji më i madh në politikën e tij të jashtme”- tha ai.

“Presidenti ka qenë i paqëndrueshëm në politikën e tij të jashtme në Lindjen e Mesme, përveç mbështetjes për Izraelin dhe Arabinë Saudite. Por ai nuk ka pasur një politikë të qëndrueshme mbi Sirinë, dhe unë mendoj se ai po gabon me nënçmimin e marrëveshjes për programin bërthamor të Iranit“- shtoi më tej eksperti i njohur.

Përktheu:Alket Goce

 

Submit a comment