Ja si shtetet nxisin ekstremizmin e dhunshëm, ç’duhet të bëjë SHBA-ja

Nga Nathaniel Allen, Michael Marcusa & Lawrence Rubin  “lawfareblog.com”

Gjatë 2 dekadave të fundit, ekstremistët i kanë shfrytëzuar me sukses politikat dhe marrëdhëniet ndërshtetërore problematike, për të zgjeruar projektet e tyre shtetërore. Në veçanti, ata kanë shënjestruar rajonet e margjinalizuara dhe periferike të shteteve të brishta, ku qytetarët përjashtohen politikisht dhe ekonomikisht nga qeveritë e tyre.

Ndalimi i përhapjes së ekstremizmit, kërkon një strategji më të gjerë, për të adresuar rolin shpesh kundërproduktiv që luhet nga aktorët qeveritarë, në vend se të fokusohet më ngushtësisht tek individët, që potencialisht mund të radikalizohen.

Politikëbërësit, janë përqendruar kryesisht në adresimin e shkaqeve individuale të ekstremizmit, duke shpresuar t’i shmangin individët nga bashkimi ose mbështetja ndaj grupeve të dhunshme. Kjo strategji ka sjellë disa suksese, veçanërisht programi INVEST në Afganistan, dhe Nisma Studentore e të Rinjve në Somali (SYLI).

Megjithatë, këto programe nuk janë një zgjidhje përfundimtare. Ne nuk e dimë nëse efektet e tyre do të zgjasin më shumë se sa një vit, apo nëse do t’i rezistojnë krizave politike apo ekonomike. Edhe programimi më i suksesshëm, nuk do të pengojë çdo pjesëmarrës që të mbështesë ekstremizmin.

Shumica e politikëbërësve, analistëve dhe praktikuesve, e kuptojnë se aty ku është përqendruar ekstremizmi, në shtetet e brishta apo shtetet ku një kombinim i qeverisjes së dobët, mundësohet shfaqja e kryengritjeve që kërkojnë territore.

Ajo që kuptohet më pak, është se militantizat ekstremistë, kufizohen zakonisht në rajone të caktuara nënkombëtare. Për shembull, në Nigeri gati treçereku i të gjitha vdekjeve që kanë të bëjnë me kryengritjen Boko Haram kanë ndodhur në shtetin Borno, një rajon që ka vetëm 3 për qind të popullsisë së vendit.

Në mbarë Lindjen e Mesme dhe Afrikë, qeverisja në nën-rajonet e margjinalizuara, është tejet e ngjashme. Shumica e këtyre rajoneve, janë të populluara nga grupe që janë historikisht të përjashtuara nga pushteti qëndror, dhe që kanë histori të rebelimeve popullore.

Për të rivendosur kontrollin, gati çdo qeveri kombëtare ka adoptuar sisteme të patronazhit dhe represionit, të fokusuara rreth bashkëpunimit me elitat tradicionale – një shenjë dalluese e qeverisjes në gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

Për shembull, në Libi Muamar Gadafi përdorte të ardhurat e naftës në vend, për të ndërtuar një “shtet distributiv”, që i shpërndante burimet përmes rrjeteve fisnore dhe klanore të patronazhit, duke shtypur të gjitha mosmarrëveshjet, përmes një shteti me stuktura të forta të sigurisë.

Tragjedia e madhe, është se kur aktorët e jashtëm ndërhyjnë në punët e shteteve të brishta, shpesh i përkeqësojnë gjërat. Ndihma e huaj ose ajo ushtarake, mund të forcojë aftësinë e qeverive në shtetet e brishta, për ta sunduar periferinë nëpërmjet sistemit të patronazhit dhe represionit, duke përforcuar pakënaqësitë, të cilat shfrytëzohen nga ekstremistët.

Për shembull, sasitë e mëdha të ndihmës që donatorët i dhanë shtetit afrikan të Malit para kolapsit të tij në vitin 2012, i thelluan pabarazitë rajonale, dhe ndihmuan në nxitjen e një rebelimi të mbështetur nga organizata terroriste Al-Kaeda.

Aktorët e jashtëm, mund të luajnë një rol edhe më shkatërrues kur bien shtetet e brishta, dhe ku aktorët ndërkombëtarë përpiqen të fitojnë ose ruajnë ndikimin duke mbështetur drejtpërsëdrejti fraksionet e armatosura jo-shtetërore.

Për shembull, Pakistani ofron mbështetje për talebanët, pjesërisht sepse preferon një Afganistan fqinj të dobët dhe të përçarë, sesa një shtet që fortë që mund të jetë aleat me Indinë armike, apo të jetë  nënshtruar ndaj Shteteve të Bashkuara.

Për të ndalur përhapjen e ekstremizmit të dhunshëm, politika e jashtme amerikane duhet të ndryshojë në 4 aspekte. Së pari, burimet diplomatike dhe zhvillimore, të destinuara për parandalimin e ekstremizmit, duhet të jenë më pak të fokusuara në ndërtimin e qendrës, në kurriz të periferisë së tij.

Së dyti, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj, duhet të kenë një qasje më koherente dhe të koordinuar. Më shumë se kurrë, Shtetet e Bashkuara duhet të sigurojnë që burimet e saj të shpenzohen në bashkëpunim me donatorë të tjerë në Evropë dhe gjetkë.

Së treti, fusha më e rëndësishme për angazhimin në nivel kombëtar, nuk është ajo me diplomatë dhe ekonomistë, por me ushtarë, gjyqtarë dhe oficerët e policisë. SHBA dhe partnerët e saj, duhet t’i japin përparësi përmirësimit të transparencës dhe llogaridhënies në sektorin e sigurisë, forcimin e sundimit

të ligjit, krijimin e një niveli bazë të komunikimit dhe besimit ndërmjet civilëve dhe forcave të sigurisë, si dhe rritjen e aftësisë së komuniteteve lokale për të policuar vetveten. Dhe së katërti, Shtetet e Bashkuara, duhet të dyfishojnë përpjekjet e saj për t’i ndihmuar shtetet e brishta që të parandalojnë, zgjidhin apo marrin veten nga konfliktet. Këto rekomandime, nuk do të jenë të lehta për t’u zbatuar.

Por me durim, përulësi dhe vendosmëri, SHBA-ja mund të ndërtojë një rrugë të re në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, që parandalon riforcimin e ekstremistëve në rajon, dhe i ndihmon qeveritë partnere të sigurojnë një të ardhme më të mirë për qytetarët e tyre.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment