Ja pse islamofobia, është një lloj racizmi

Nga Wes Streeting “The Guardian”

Më 15 mars, një person i armatosur hyri në xhaminë Al Noor në Krisçërç të Zelandës së Re dhe hapi zjarr. Gjatë sulmit të tij edhe në Qendrën Islame Linud, 51 besimtarë u vranë në vendin e tyre të adhurimit, për asnjë arsye tjetër përveçse pse vrasësi i tyre mendonte, se besimi i tyre nënkuptonte që ata meritonin të vdisnin.

Por urrejtja kundër myslimanëve, nuk fillon me zhurmën e armëve të zjarrit që prishin qetësinë e paqtë të një vendi lutjeje. Ajo fillon me paragjykimet e thjeshta në shkollat, vendet e punës dhe në komunitetet tona.

Më shumë se 20 vjet që kur “Runnymede Trust”, publikoi raportin e tij të parë, “Islamofobia:Një sfidë për të gjithë ne”, kjo dukuri është në rritje. Grupi parlamentar i të gjitha partive në mbrojtje të myslimanëve britanikë, të cilët e drejtoj bashkë me Ana Sobri, është i vendosur ta përmbushë këtë sfidë.

Kjo është arsyeja pse kemi hartuar një raport, që krijon për herë të parë një përkufizim mbi dukurinë e islamofobisë. Nga provat që mblodhëm, duke përfshirë dëshminë e fuqishme të viktimave të islamofobisë, ishte e qartë se kjo dukuri është më e gjerë sesa urrejtja anti-myslimane. Është strukturore, shpeshherë mizore, dhe paragjykuese.

Pra, ne argumentojmë se “islamofobia është e rrënjosur tek racizmi, dhe është një lloj racizmi, që synon shprehjen e myslimanizmit, apo të perceptuarit si musliman”. Ne kemi përmendur një sërë shembujsh, të modeluar sipas përkufizimit të IHRA mbi antisemitizmin, për t’i ndihmuar njerëzit të kuptojnë se si shfaqet kjo:vrasja në tentativë e një gruaje myslimane dhe vajzës së saj 12-vjeçare, ne shënje “hakmarrje” për sulmin terrorist në Parson Green;

torturimi i një myslimanje të konvertuar nga 2 gra në Guisborou, teksa i bërtisnin:”Ne nuk na pëlqejnë myslimanët këtu!”; nëna myslimane e sulmuar në rrugë pse kishte veshur hixhab, teksa ishte duke marrë fëmijët e saj nga një shkollë fillore në Londër;

letrat mbi “ditën e ndëshimit të një mysliman” dërguar institucioneve muslimane, dhe figurave të shquara myslimane; racistët në Irlandën e Veriut, që lanë kokën e një derri në derën e xhamisë që e kishin mbushur me shkrime raciste; motoristët që i kërkojnë më shumë 1.000 paund për të siguruar makinën, të gjithë atyre që quhen Muhamed; gjetjet eKomisionit të Mobilitetit Social mbi paragjykimet e vetëdijshme dhe të pavetëdijshme kundër myslimanëve në tregun e punës;

sjelljet islamofobike ndaj njerëzve që nuk janë as myslimanë, pasi abuzuesit e tyre nuk mundën të dallonin për shembull një sikh me një turban në kokë nga një mysliman; dhe deri tek burrat që lidhën një copë proshutë derri, në dorezën e derës së një xhamie në Bristol.

Ne analizuam mbarë vendin, duke u angazhuar në konsultime të gjera me komunitetet myslimane, akademikë, avokatë, oficerë policie, shërbime publike, drejtues të shoqërisë civile dhe politikanë.

Si rezultat i kësaj, përkufizimi ynë tashmë ka një mbështetje të gjerë, duke përfshirë më shumë se 750 organizata myslimane britanike – përfshirë Këshillin Mysliman të Britanisë, Rrjetin e Grave Myslimane dhe Myslimanët Britanikë për Demokracinë Laike – si dhe kryeministren e Skocisë, kryetarin e bashkisë së Londrës, dhe autoriteteve lokale në të gjithë vendin.

Prandaj, është veçanërisht zhgënjyese të shohësh një kor të zhurmshëm të opozitës, që na akuzon se po përpiqemi ta përdorim termin “islamofobi”, për të shmangur kritikat ndaj Islamit, dhe për të futur në zbatim ligjet e blasfemisë.

Unë kam parë me habi dhe madje edhe me më shumë dëshpërim, që edhe Partia Konservatore është duke bërë saktësisht të njëjtat gabime rreth islamofobisë si Partia Laburiaste me antisemitizmin:shpërfillje, mohim dhe delegjitimim të shqetësimeve serioze të ngritura nga myslimanët e shquar, në lidhje me racizmin.

Tereza Mej mund të kishte ndjekur shembullin e udhëheqëses konservatore skocez, Ruth Dejvidson, duke e mbështetur këtë përkufizim dhe duke lënë kësisoj pas një trashëgimi të fuqishme për ta çrrënjosur partinë e saj nga sjellje që nuk e nderojnë aspak, dhe për të përmirësuar jetën e myslimanëve anembanë vendit.

Në vend të kësaj, me një mungesë të jashtëzakonshme të vetëdijesimit dhe përulësisë, kjo partia që ka dështuar në mënyrë spektakolare me myslimanët britanikë, dhe tani synon të prodhojë një përkufizim të qeverisë.

Dështimi i saj për të kuptuar dhe trajtuar islamofobinë brenda rradhëve të veta, sugjeron se nuk ka as informacionet dhe as besueshmërinë e duhur për ta bërë këtë. Duke pasur parasysh se pak më shumë se 1 vit më parë, ministrat e qeverisë mohuan se kishte nevojë për ndonjë përkufizim të tillë, unë mendoj se mund ta konsiderojmë tashmë këtë zhvillim të fundit si një shenjë përparimi.

Por ai është shumë i ngadaltë, dhe nuk do të tolerohet. Myslimanët britanikë meritojnë më mire, dhe kjo është siç e tha edhe vitin e kaluar “Runnymede Trust”, një sfidë për të gjithë ne.

Shënim:Wes Streeting, është bashkëkryesuesi i grupit parlamentar të të gjitha partive mbi myslimanët britanikë.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment