Italia mund të drejtohet së shpejti nga një qeveri shumë më euroskeptike

Nga Enea Desideri “CAPX”

Fundi i vitit të shkuar, u dha italianëve njoftimin e pritur se parlamenti do të shpërbëhet. Tashmë është konfirmuar se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen më 4 mars. Ato vijnë në një moment vendimtar për vendin.

Ekonomia e Italisë po rritet në mënyrë të ngadaltë, pas një rimëkëmbje më të gjerë në nivel evropian. Por shumë njerëz druhen se zgjedhjet mund të rrezikojnë tendencën rritëse, dhe shifrat e sotme tregojnë se papunësia e të rinjve, ndonëse është reduktuar, është ende në nivelin 32.7 përqind.

Që prej vitti 2013, forcat e qendrës së majtë që kanë formuar shumicën e qeverive të njëpasnjëshme, që mbikëqyrin rimëkëmbjen ekonomike të Italisë, e kanë humbur mbështetjen popullore, dhe janë dobësuar nga përçarjet e brendshme.

Këto ndarje kanë rezultuar në shfaqjen e dy koalicioneve të ndryshme, një më të madh në qendrën e majtë të udhëhequr nga Partia Demokratike e ish-kryeministrit Mato Renci, dhe një e vogël në të majtë, që do të garojë në zgjedhje e vetme. Për rrjedhojë, qendra e majtë duket të jetë më e dobët sesa ajo e djathtë dhe Lëvizja Pesë Yjet, blloqet e tjera kryesore që do të rivalizojnë në zgjedhjet e marsit.

Ajo që kryeson në sondazhe është koalicioni i drejtuar nga Forca Italia e Silvio Berluskonit, dhe Lidhja e Veriut, dikur separatiste. E djathta po rifiton terren në Itali prej disa kohësh, dhe pritet të fitojë pjesën më të madhe të votës popullore.

Megjithatë, pavarësisht nga popullariteti i tyre në rritje, nuk është e qartë nëse ata do të jenë në gjendje të sigurojnë një shumicë qeverisëse, edhe pse sondazhet e fundit sugjerojnë se nuk do të jenë shumë larg këtij kufiri.

Në dritën e përvojave të mëparshme të qeverive të Berluskonit, Evropa dhe tregjet po e shohin me kujdes këtë perspektivë. Por edhe nëse e djathta siguron vende të mjaftueshme në parlament për të qeverisur, stabiliteti i koalicionit të tyre mbetet për t’u testuar. Tensionet mes Forza Italia dhe Lidhjes, kanë dale që tani në sipërfaqe.

Ndërkohë që janë qetësuar përkohësisht, për shkak të nxitjes që sistemi elektoral italian i jep formimit të aleancave parazgjedhore, ato mund të rishfaqen pas votimit. Edhe më pak siguruese për investitorët, është mundësia e një qeverie të drejtuar nga Lëvizja Pesë Yjet, haptazi anti-establishment.

Propozimet e saj politike, janë cilësuar si të paqarta dhe të dykuptimta. Lëvizja mbetet e paprovuar në qeveri në nivel kombëtar, dhe megjithëse ka qenë një zë i fortë në opozitë, është e vështirë të parashikohet se çfarë ndikimi mund të ketë në pushtet.
Në çdo rast, perspektivat e një qeverie të kësaj lëvizje janë më të kufizuara sesa sondazhet, të cilat e nxjerrin atë si partinë që do të marrë më shumë vota, mund të duket se e sugjerojnë. Kjo për shkak të përbuzjes, që Lëvizja Pesë Yjet ka për aleancat, në një sistem që favorizon marrëveshjet para-zgjedhore dhe post-zgjedhore.

Ka gjasa që zgjedhjet ta lënë Italinë pa ndonjë fitues të qartë. Siç e kam diskutuar edhe më herët, ligji zgjedhor kompleks i Italisë, parashikon një sistem që është proporcional në dy të tretat e tij (kandidatët e zgjedhur në zona përmes listave) dhe një të tretën mazhoritar (zgjedhjet me garim të drejtpërdrejtë të kandidatëve në zonë).

Aspekti i fortë proporcional, nënkupton se zgjedhjet mund të sjellin një mungesë të shumicës qeverisëse të menjëhershme. Kur kanë mbetur vetëm 2 muaj nga zgjedhjet, pasiguria mbetet termi më i saktë për të përshkruar gjendjen e politikës italiane. Dhe përballë kësaj pasigurie së madhe, diçka duket e sigurtë.

Zgjedhjet, do të konfirmojnë fundin e momentit bipolar të Italisë. Vendi po dëshmon riorganizimin e peizazhit të tij politik, që filloi me zgjedhjet e vitit 2013, dhe që ka gjasa të konsolidohet më tej në votimet e marsit. Panorama e re e fragmentuar, shton më tej paparashikueshmërinë ndaj një sistemi politik, që tradicionalisht nuk ka prodhuar qeveri të qëndrueshme.
Kjo parashtron disa pikëpyetje për të ardhmen afatshkurtër të Italisë, dhe rolin e saj në Evropë. Megjithatë, ndikimi i kësaj pasigurie, s‘duhet të ekzagjerohet. Institucionet italiane, janë mësuar të përballen me paqëndrueshmërinë politike, dhe aparati shtetëror dhe sistemi diplomatik, janë funksionalë pavarësisht nga ndryshimet e qeverive.

Më kuptimplotë për të ardhmen afatmesme të vendit, do të jetë dinamika paszgjedhore që mund të nxitet, në rast se nga kutitë e votimit nuk del asnjë fitues i qartë. Roli më interesant në këtë drejtim, është ai që do të luhet nga Lëvizja Pesë Yjet.

Lëvizja, bëri kohët e fundit një farë hapje të ndrojtur ndaj partive të tjera. Disa përfaqësues kryësorë të koalicionit të krahut të majtë, kanë thënë se një marrëveshje pas-zgjedhore me Pesë Yjet, nuk duhet të përjashtohet a priori. Po kështu, një aleancë me kërtë lëvizje pas zgjedhjeve, shihet nga shumë komentues si një mundësi edhe nga krahu i djathtë, nëse nuk arrin të fitojë një shumicë absolute.

Do të jetë interesante të shihet se cilën alternativë kjo (jo)parti, e cila pretendon të jetë përtej të majtës dhe të djathtës, do të zgjedhë, nëse ballafaqohet me domosdoshmërinë për të zgjedhur. Reformimi i peizazhit politik italian, mund të ketë ndikime të rëndësishme edhe për Evropën, edhe pse në një nivel praktik është e vështirë të parashikohet se çfarë mund të ndryshojë.

Koalicioni i krahut të djathtë, ka rënë dakord për një program që paraqet “pak kufizime nga Evropa”, si një nga objektivat e tyre qëndrore. Megjithatë, forcimi i Forca Italia i Berluskonit si partia kryesore në të djathtën italiane, ka gjasa të zbutë qëndrimin ndaj Brukselit. Berluskoni është i vendosur që Italia të mbetet pjesë e BE-së, dhe të kultivojë aleancat kyçe brenda, familjes së PPE-së.

Skenari i një marrëveshjeje midis Lidhjes dhe Lëvizjes Pesë Yjet, pothuajse me siguri do të kishte ndërlikime më të mëdha. Një qeveri e tillë, ka të ngjarë të përfaqësojë një distancim të fortë me të kaluarën e Italisë. Ajo mund të rishikojë të gjithë politikën evropiane të vendit.

Megjithatë, edhe në mungesë të një shqetësimi të madh, dobësimi i pritshëm i qendrës së majtë, tradicionalisht më mbështetëse e BE-së në Itali, i kombinuar me rritjen e së djathtës dhe performancën e fortë të Lëvizjes Pesë Yjet, do t’i dërgonte një mesazh i fuqishëm BE-së:Euroskepticizmi (ose të paktën një formë e ashpër e eurokriticizmit), nuk është zhdukur, madje mund të jetë duke u ngjitur drejt pushtetit në shtetet anëtare kryesore.

Shënim:Enea Desideri, është një analist hulumtues në think-tankun britanik “Open Europe”

Submit a comment