Harrison Ford në Dubai:Po përballemi me krizën më të madhe morale të kohës sonë

Nga Tarek Ali Ahmad “Arab News”

Dubai- Tani, më shumë se kurrë, bota ka nevojë të mbrojë natyrën, ndërsa njerëzit po përballen me “krizën më të madhe morale të kohës sonë”. Është ky paralajmërimi që ka bërë sot nga Dubai i Emirateve të bashkuara Arabe, aktori i njohur dhe filantropisti amerikan, Herrison Ford.

Në një fjalim pasionant, gjatë ditës së tretë të Samitit të Qeverisë Botërore në Dubai, Ford paralajmëroi se “të gjithë ne, qofshim të pasur apo të varfër, të fuqishëm apo të pafuqishëm, do të vuajmë efektet e ndryshimeve klimatike dhe shkatërrimin e ekosistemit, teksa po përballemi me krizën më të madhe morale të kohës sonë”.

“Toka dhe deti, janë trashëgimia që do t’u lëmë brezave të ardhshëm. Ne duhet të ndërhyjmë dhe të veprojmë, përpara se të jetë shumë vonë”-deklaroi aktori duke shtuar se “ne duhet ta mbrojmë natyrën, pasi ajo nuk ka nevojë për njerëzit, por janë njerëzit ata që kanë nevojë për natyrën”.

Në këtë kuadër, Herrison shigjetoi qëndrimet e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, kur tha se ndryshimi i klimës ishte një dukuri reale, dhe se me të duhet të merren ekspertët. Aktori 76-vjeçar, i njohur për rolet e tij në “Star Ëars” dhe “Indiana Jones”, e vuri theksin tek rëndësia e njohjes së efekteve të ndryshimeve klimatike në botë.

Megjithëse nuk përmendi në asnjë rast emrin e Trump, ai iu drejtua qartazi presidentit amerikan në hapje fjalës të tij. “Rreth botës, elementë të lidershipit – duke përfshirë edhe vendin tim – për të ruajtur pozitat e tyre dhe statuskuonë, e mohojnë ose e denigrojnë shkencën. Ata janë në anën e gabuar të historisë”- u shpreh Ford.

Ford, i njohur publikisht si një avokat i fortë i klimës dhe mbrojtjes së mjedisit, ka mbajtur disa fjalime në konferenca të mëdha mbi rreziqet e shkatërrimit të mjedisit, si dhe ka realizuar serialin dokumentar mbi ndryshimin e klimës, “Vitet e të jetuarit rrezikshëm”.

“Më shumë se 3 miliardë njerëz jetojnë falë peshqve, dhe varen prej tyre si një burim jetese dhe ushqimi. Prandaj ne duhet të mbrojmë pasurinë ujore”- tha ai në sallën e mbushur me krerë shtetesh, studiues të njohur, gazetarë dhe shumë të tjerë nga e gjithë bota, që i dëgjonin në heshtje këto paralajmërime.

“Temperatura e Tokës është rritur me 40 përqind, prandaj duhet të investoni më shumë në shkencë, dhe të zbatoni praktikat mbrojtëse të klimës”, tha Ford, duke shtuar se “faktet kokëforta mbi ngrohjen globale, duhet të na udhëheqin të hartojmë plane dhe strategji praktike, për të adresuar sfidat klimatike”.

Ford foli jo vetëm mbi, por edhe për bukurinë e rizoforëve, pemëve të vogla që rriten buzë detit dhe që e stabilizojnë atë, duke mbrojtur komunitetet nga stuhitë, siguruar habitate jetike për shumë kafshë, dhe thithur sasi të mëdha karboni.

Ai vlerësoi Emiratet e Bashkuara Arabe për përpjekjet e saj, për të ruajtur rizoforët në bregdetin e saj. “Shtatëdhjetë e pesë për qind e qyteteve më të mëdha të botës, janë pranë vijës bregdetare. Ndërsa oqeanet tona po shkrihen, ato do t’i rrezikojnë këto qytete dhe popullsinë e tyre”- nënvizoi më tej ai, para se të shihte të gjithë në sallë duke thënë:”Kur vjen puna tek oqeanet, që mbulojnë 71 për qind të planetit, përpjekjet tona kanë qenë të pamjaftueshme”.

Para aktorit, fjalën e mori Ministri i Ndryshimit të Klimës dhe Mjedisit në Emiratet e Bashkuara Arabe, Thani Al-Zejudi, i cili tha se “njerëzimi ka pasur përfitime të panumërta nga oqeanet për mijëra vjet, por ne nuk po bëjmë mjaftueshëm së bashku, për të mbrojtur një nga burimet tona më të vlefshme”.

“Nëse nuk adresohet menjëherë, ndryshimi i klimës do të çojë në humbjen e jetës së 250 mijë njerëzve deri në vitin 2030”- paralajmëroi Al-Zejudi.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment